1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Portret

"Integrimi është proces i vazhdueshëm"

“Unë gjithmonë kam dashur të bëhem infermier“. Një vendosmëri e tillë mund të tingëllojë si frazë boshe. Por Sefedin Rreci flet me shumë dashuri për profesionin e tij.

Në foto, Sefedin Rreci

Në foto, Sefedin Rreci

Ka qenë pikërisht profesioni i infermierit ai që e shtyu Sefedin Rrecin në moshë shumë të re të marrë rrugën e kurbetit: „Në vitet e 90-ta në Gjermani kishte një deficit shumë të madh për profesionin tim dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ekzistonte mes Jugosllavisë së atëhershme dhe Gjermanisë, i mundësonte rinisë që për një kohë të caktuar të punonte në Gjermani. Perspektiva në Kosovë ishte shumë e zymtë që unë të ushtroja atje profesionin tim.“

Dhe me ardhjen në Gjermani atëherë 19 vjeçari nga Llausha e Skënderajit sikur çdo i huaj ndesh me një botë të re dhe kulturë krejtësisht tjetër. “Sidomos kultura e punës këtu është ndryshe. Unë kisha fatin e mirë që kulturën e punës po e fitoja këtu nga e para dhe nuk më duhej që të hiqja dorë nga ndonjë zakon i vjetër. Dhe ajo që më bën ta dua me zemër profesionin tim është se puna në spital të ofron mundësinë që të takosh njerëz të kulturave të ndryshme si dhe njerëz të të gjitha shtresave sepse sëmundja nuk pyet se kush je dhe prej nga vjen. Ata janë njerëz nga vende të ndryshme dhe të profesioneve të ndryshme, avokatë, doktorë shkencash, profesorë, politikanë lokalë etj.“

Sefedini me gruan Afërditën dhe fëmijët Laurën dhe Denisin

Sefedini me gruan Afërditën dhe fëmijët Laurën dhe Denisin

Dhe përmes punës por edhe aktiviteteve në kohën e lirë Sefedini arriti të njihet më mirë me kulturën gjermane. Dhe duke u njohur me këtë kulturë ai arriti të zbulojë më mirë edhe vendin e tij dhe ta çmojë atë edhe më shumë: „Unë mendoj se është një ndërthurje e mirë e vlerave që i kam marrë prej Kosovës si fëmijë dhe vlerave që kam përvetësuar këtu. Unë në Gjermani kam ardhur me një bazë të mirë të kulturës që e kemi si shqiptar, por dorën në zemër duhet thënë që na ka munguar një pjesë e modernes, natyrisht për shkak të zhvillimit ekonomik dhe rrethanave politike që kanë ekzistuar në atë kohë në vendin tonë. Dhe atë pjesë të modernes unë e kam gjetur këtu“.

Por siç e thotë Sefedini integrimi është një proces i vazhdueshëm që ndoshta nuk përfundon kurrë në tërësi: “Për ne që nuk kemi lindur këtu integrimi dhe njohja e kulturës është një proces i vazhdueshëm. Çdo herë kur mendojmë se kemi arritur në cak njoftohemi me imtësi të reja të cilat e bëjnë kulturën edhe më interesante dhe e begatojnë edhe më shumë jetën tonë. Pastaj përveç kulturës është edhe feja që na dallon dhe ky është një proces i gjatë ku njeriu secilën herë mund të mësoj diçka të re.”

39 vjeçari Sefedin është i martuar me Afërditën dhe ka dy fëmijë, Laurën 10 dhe Denisin 7 vjeç. Dhe megjithë angazhimet shtesë që i kërkojnë sidomos fëmijët Sefedini ka vazhduar aftësimin e tij profesional. Ai është motivuar nga punëdhësitë dhe kolegët që të aftësohet në dy drejtime të reja: njëri për udhëheqje praktike në drejtim të pedagogjisë në aftësimin e nxënësve në drejtimin e infermierisë dhe tjetri për udhëheqjen e një stacioni të sëmundjeve të brendshme, gjë që është duke e bërë tani: „Besoj që shqiptarët si individ po e gjetën veten në vendin ku punojnë dhe u ofrohet mundësia të jetësojnë idetë e tyre, atëherë kanë edhe fuqi të brendshme që t‘i realizojnë ato. Megjithatë unë vetë prej natyrës nuk jam oportunist që t‘i marrë të gjitha të mirat që i ofron shoqëria, pastaj nuk jam as njeri që „hap rrugën me bërryla“ siç thotë populli. Bile edhe kur më kanë ofruar diçka jam menduar dy- tre herë se çfarë do të thoshte ajo për mua, a është diçka që mund ta përballoj dhe të jem i suksesshëm“, thekson Sefedini.

Gjatë një ndeshje futbollistike...

Gjatë një ndeshje futbollistike...

Dhe infermieria nuk është fusha e vetme ku ai ka arritur sukses. Të paktë janë ata shqiptarë në Gjermani, Zvicër apo Austri që nuk iu ka rënë të paktën njëherë të dëgjojnë për portalin në internet kosova.de. „Në vitin 1997 kishte një iniciativë të disa studentëve shqiptarë në Gjermani për krijimin e një portali informativ për Kosovën në internet. Në prag dhe gjatë luftës së Kosovës, portali ishte shumë i suksesshëm në hapësirën gjermanofolëse ku kishim filluar një sërë bashkëpunimesh me shumë institucione e media, kryesisht gazeta e revista informative në gjuhën gjermane.“

Këtij projekti iu bashkua qysh atëherë Sefedin Rreci, duke vazhduar më pas edhe atëherë kur humbën energjinë kolegët e tij. Projekti ekziston edhe sot duke ju falendëruar mbështetjes financiare të firmës AlbamatriX, bashkëpronar i të cilës është Sefedini.

Sefedin Rreci qe disa vite është pjesëmarrës aktiv edhe në kryesinë e klubit FC Kosova në Sankt Augustin. „Detyrë kryesore e klubit është të bashkojë rininë shqiptare, duke nxitur në këtë formë kontaktet sociale mes shqiptarëve dhe njëkohësisht përmes sportit t'iu jap atyre mundësi edhe më të mëdha për integrim në shoqërinë gjermane.“

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama