1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Integrim në vend të kufizimit

Kina kërkon të rikthehet në krye të botës. Përgjigja e Evropës dhe e Perëndimit duhet të jetë: Kina të integrohet - të paktën në sektorët, ku kjo është e mundur, mendon Philipp Bilsky.

Mesazhi ishte i qartë. "You go!"-"Mbathjani!". Gjithsej tetë herë i kërkoi marina kineze javën e kaluar një avion spiunazhi të SHBA që të tërhiqet. Avioni ushtarak amerikan po fluturonte mbi një rajon në Detin e Kinës së Jugut, për të cilin Kina ka pretendim për vete. Një zonë detare, në të cilën Republika Popullore përpiqet që me ndërtimin e ishujve artificialë të krijojë fakte - më shumë se 1000 kilometra larg zonës kontinentale të Kinës dhe nën protestat e ashpra të disa shteteve fqinje dhe të SHBA.

Kina i përfaqëson interesat e saj në rajon në mënyrë shumë më intensive se sa disa vite më parë. Qendra Kërkimore kryesore në Gjermani për studimet për Kinën, Insituti Mercator për Studimet për Kinën në Berlin, sheh madje një fund të politikës kineze të hapjes. Kolonat bazë të politikës së njohur nga Ten Hsiaopini, në tri dekadat e gjysmë të kaluara, tani nën Xi Ping po eleminohen njëra pas tjetrës - midis tyre edhe politika e përmbajtur e jashtme.

Ndryshim thelbësor në politikën e jashtme të Kinës?

Shumëçka flet për një tezë të tillë. Veprimet e forcës në Detin e Kinës Jugore janë vetëm një shembull. Veç kësaj, Kina përpiqet që me projektin e saj për një Rrugë të re të mëndafshtë të depërtojë në Azi me një rrjet infrastrukturor, në qendër të të cilit të jetë Kina. Dhe Pekini po krijon institucione të reja ndërkombëtare, në të cilat Kina ka një peshë më të madhe. Këto veprime jashtë vendit shoqërohen në vend me një ndryshim rrënjësor të ekonomisë kineze. Deri në vitin 2049 Kina do të kthehet në një superfuqi industriale - të mos jetë vetëm tavolina e punës e botës, por një qendër inovacioni dhe efikasiteti.

Bilsky Philipp

Philipp Bilsky

Kina do që të kthehet atje, ku Pekini mendon se e ka pasur historikisht vendin: në krye të shteteve të botës. Që kjo të arrihet, është gjithçka tjetër por jo vetëkuptueshme. Sepse lista e sfidave duket e pafundme. Sfida ndoshta më e madhe nga pikëpamja e qeverisë kineze: mbajtja e premtimit, që i ka dhënë partisë komuniste në dekadat e shkuara legjitimimin në popull - që kinezët të jetojnë sot ekonomikisht më mirë se dje. Dhe që nesër ata të jetojnë më mirë se sot. Mbajtja e këtij premtimi duket - përballë nevojës së rishpikjes së plotë të modelit ekonomik kinez - e parë nga jashtë nganjëherë gati e pamundur.

Kina kërkon ta zgjerojë edhe më ndikimin

Por këto janë çështjet e dekadave të ardhshme. Për momentin është e sigurtë: Kina po e zgjeron edhe më tej ndikimin e saj. Çfarë do të thotë kjo për Evropën? Çfarë do të thotë për Perëndimin? Ata duhet të përpiqen - sa herë të jetë e mundur - të bashkëpunojnë me Kinën dhe ta përfshijnë e integrojnë Kinën. Ajo që nuk funksionon, këtë e konfirmuan në mënyrë impresionuese SHBA para pak kohësh: të kufizohet ndikimi i Kinës dhe që Kinës t'i vendosen kufij. Kur Pekini ngriti Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë (AIIB), SHBA u përpoqën t'i bindin aleatët e tyre që t'i rrijnë larg këtij institucioni të ri. Për Uashingtonin ky ishte një superskandal diplomatik. Njëri vend pas tjetrit u bashkuan me inisiativën kineze, edhe me argumentin se fjalën e tij mund ta thotë vetëm ai që edhe ndodhet në tryezë.

Një hap i drejtë. Por e qartë megjithatë është edhe: atje ku interesat kundërvihen direkt, bashkëpunimi është thuajse i pamundur. Deti i Kinës Jugore është shembulli më i mirë. Kina do ta zgjerojë edhe më tej ndikimin e saj atje. Jo së fundi, sepse ky rajon edhe për zhvillimin ekonomik të Kinës, nga pikëpamja kineze ka një rëndësi strategjike. SHBA nga ana tjetër shohin se vendi i tyre i deritashëm në rajon është i rrezikuar. Ndërsa vendet fqinjë e shohin gjithashtu me shqetësim dominimin e parashikueshëm të Pekinit. Një zgjidhje e kësaj çështjeje nuk duket në horizont, konfliktet e ardhshme janë paraprogramuar që sot