1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Vullnetarë të dialogut

Integrim në vend të getoizimit - Romët në Maqedoni

Pavarësisht përparimeve të shumta, shumica e romëve në Maqedoni ende janë të margjinalizuar nga shoqëria. Për të përmirësuar gjendjen e tyre nevojitet edhe ndihma nga jashtë.

Në krahasim me vendet e tejra integrimi i romëve në Maqedoni ecën mirë. Në qeveri ato kanë një ministër për romët, një deputet në parlament dhe në Shuto Orizari, vendbanimi më i madh me romë në Evropë, kryetari i bashkisë vjen nga rradhët e komunitetit rom. Romët punojnë gjithashtu si këshilltarë të autoriteteve lokale dhe shumë drejtues të administratës shtetërore janë romë. Prej vitesh në politikën maqedonase ekziston një konsensus, që romët duhet të jenë të përfaqësuar në të gjitha nivelet e administratës.

I kënaqur me këtë zhvillim është edhe Nezhdet Mustafa, që prej vitit 2008 ministër pa portofol për çështjet e romëve dhe koordinator i strategjisë kombëtare të Dekadës Evropiane për Përfshirjen e romëve (2005-2015). Dekada synon përmirësimin e situatës së romëve në këto katër fusha: strehim, shëndetësi, punësim dhe arsim. „Shumë gjëra janë arritur ndërkohë“, konstaton me kënaqësi Mustafa dhe përmend menjëherë arsyen: „Fondet e buxhetit rriten vazhdimisht.“ Megjithatë mbetet ende shumë për t'u bërë, „sidomos në mënjanimin e varfërisë dhe në luftimin e papunësisë“, thekson Nezhdet Mustafa.

Roma Mazedonien

Suto Orizarikat - Lagja rome në Shkup

Gjendje e vështirë ekonomike

Niveli i papunësisë në Maqedoni është rreth 30 për qind, te romët ai arrin gati 90 përqind. Dhe ndërsa një përqind e të punësuarve në vend i përkasin pakicës etnike rome, ata përbëjnë më shumë se 90 për qind të përfituesve të ndihmave sociale. “Politikanët thonë se kanë bërë shumë për ne”, thotë 67 vjeçarja Irfana Bekirova nga Shuto Orizari, ”por ne këto nuk i shohim. Nuk ka punë. Dhe pastaj çuditen, pse romët shkojnë për të kërkuar punë jashtë vendit.” Ndërsa paga mesatare në vend është 350 euro, ndihma sociale mujore për një person arrin 37 euro, deri më së shumti 90 euro për familjet me pesë dhe më shumë persona. Kjo është gati e pamjaftueshme për të mbijetuar dhe pas tre vjetësh kjo shumë madje zvogëlohet. Edhe 61 vjeçarja Anika Latif, shitëse perimesh, lufton çdo ditë kundër varfërisë, ajo e ofron mallin në tregun e Shuto Orizarit. “Unë punoj gjithë ditën dhe fitoj 300 dinar (rreth 5 euro), nuk kam rrugë tjetër. Ndihma sociale është krejtësisht e pamjaftueshme. “Shumica e të papunëve i fitojnë paratë me shitjen e hekurishteve të vjetra, plastikës, apo letrave.”

Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2002 në Maqedoni jetojnë afro 55 mijë romë, gati 2,6 për qind e popullsisë. Por organizatat joqeveritare janë të bindura se numri i tyre është shumë më i lartë, nga 120 000 deri 150 000. Vetëm në Shuto Orizari, lagja rome në Shkup, duhet të jetojnë rreth 50 000 romë. Arsyeja e shifrave të ndryshme është se shumë romë pas shpalljes së pavarësisë të vendit në vitin 1991 nuk janë përfshirë në asnjë statistikë dhe nuk kanë nënshtetësi. Shumë romë nuk kanë kurrfarë dokumentash personale dhe as para për t'i marrë ato. Dhe në qoftë se prindërit nuk kanë dokumenta, edhe fëmijët mbeten pa u regjistruar.

Roma Mazedonien

Suto Orizarikat - Lagja rome në Shkup

Baba shteti dhe "nënë Esmaja"

Kushtet e jetesës së romëve në vend janë relativisht të ngjashme. Ata jetojnë në mjedise, që u ngjajnë getove, të cilat pas integrimit duhet t'i përkasin së kaluarës. Shuto Orizari është një periferi e kryeqytetit të Maqedonisë Shkup, ku jetojnë rreth 50.000 romë. Këtu mungon sistemi i kanalizimeve, në ndërtesat e larta ka vështirësi në furnizimin me ujë dhe banesat përreth kësaj lagjeje nuk furnizohen mjaftueshëm me energji elektrike.

Këtu e ka shtëpinë Esma Rexhepova. Ajo ka fituar famë në botë si "mbretëresha e muzikës rome”. Por ajo është shumë e angazhuar në komunitetin rom, edhe politikisht. Si këshilltare e autoriteteve lokale të kryeqytetit ajo konstaton se romët në Maqedoni vitet e fundit kanë bërë përparime të mëdha.

Unë jam zëvendëspresidente e Organizatës Botërore të Romëve, (IRU). Kur bëhen kongrese të gjithë më thonë. „Sa fat keni ju romët në Maqedoni.“ Eshtë e vërtetë. Vetëm në Maqedoni romët janë të njohur me kushtetutë si grup etnik. Modelin tonë duhet ta adoptojnë edhe vendet e tjera“, thotë Rexhepova. Në lagjen e saj atë e quajnë edhe „nënë Esmaja“, sepse kujdeset për 47 fëmijë të adoptuar. Ndërkohë ajo ka 123 nipër e mbesa dhe tre stërnipër e stërmbesa. Shumica shkojnë në shkollë, disa kanë kryer edhe studimet e larta.

ESC Eurovision Song Contest in Malmö

Esma Rexhepova në Eurovision Song Contest në Malmo, 16.05.2013

Por edhe fëmijët, që nuk kanë pasur fatin të rriten tek nëna me famë botërore, kanë në Maqedoni shanse relativisht të mira për t'u shkolluar. Si autoritetet ashtu edhe organizatat joqeveritare janë të një mendimi, se suksesi më i madh në integrimin e romëve është arritur në arsimimin e tyre. Numri i romëve me arsim të lartë rritet vazhdimisht, madje edhe numri i romëve me doktoraturë. Shembull i mirë për përpjekjet e qeverisë për të integruar romët në sistemin arsimor është projekti “Përfshirja në arsimin parashkollor”. Që prej shtatë vjetësh në shumë komuna fëmijët romë përfitojnë tekste shkollore falas si dhe bursa. Momentalisht nga ky projekt përfitojnë më shumë se 1000 fëmijë.

Ndihma nga jashtë është e rëndësishme

Megjithë këto përpjekje edhe Maqedonia nuk është e çliruar nga diskriminimi i romëve në jetën e përditshme. "Numri i ankesave rritet vazhdimisht", thotë Duško Minovski, Kryetar i Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Spektri shtrihet nga refuzimi i një pishine në kryeqytetin Shkup për të lejuar, që fëmijët romë të notojnë aty, deri te ankesat për një libër shkollor, në të cilin romët deri para pak kohe quheshin ciganë.

Prandaj mbetet e nevojshme puna e OJQ-ve, që angazhohen për të integruar romët në shoqëri. "Për këtë arsye", thotë Latife Sikovska, kryetare e OJQ-së "Ambrela", "është aq e rëndësishme ndihma nga jashtë." Nganjëherë të hollat zhduken në rrjetet hierarkike të konsulentëve dhe ekspertëve, ankohet Sikovska, por "ne punojmë edhe me atë copë, që na mbetet. Ne jemi ata, që u ndihmojmë drejtpërdrejtë njerëzve.” Pa këtë ndihmë, thotë Sikovska, do të ishte shumë e vështirë për organizatat joqeveritare.“