1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Instituti i Politikës Greke për Imigracionin nuk arrin të festojë 10-vjetorin e themelimit

Ministria e Brendshme greke vendosi suprimimin e institutit të vetëm për emigracionin të ngritur para 8 vjetësh.

default

Emigrantë shqiptarë në Greqi

I ngritur në vitin 2002 me qëllim që të ndihmojë me veprën e tij studimore në përpilimin e një politike efikase për emigracionin, Instituti i Politikës Greke për Imigracionin nuk arriti të festojë as 10-vjetorin e tij. Ministria e Brendshme, që e ka në kompetencë, komunikoi suprimimin e tij me motivacionin se “nuk ka plotësuar objektivat për të cilat është ngritur dhe janë shënuar shpenzime të tepruara në aktivitete luksoze”. Shifrat që dëshmojnë famën e “institucionit luksoz” që financohej edhe me paratë e vetë imigrantëve (10% nga tarifat e lejeve) dhe motivojnë sakrifikimin e tij thonë se për vitet 2008 dhe 2009 është subvencionuar nga shteti me 1.600.000 dhe 2.435.000 euro respektivisht dhe ka shpenzuar shumë më tepër (3.574.000 në vitin 2008 dhe 2.958.000 në vitin 2009) duke reduktuar me 1.6 milion euro kursimet e tij, që aktualisht arrijnë në 4 milionë euro. Ndër kusuret e tjera që i “faturojnë” janë rezidenca e shtrenjtë për shkak të qirasë së lartë, dy automjete luksoze dhe honoraret e larta në udhëtimet e shumta të personelit të tij nëpër botë. Por presidenti i Institutit që në vitin 2004, Aleksandros Zavos, që flet për DW-në, i hedh poshtë si “tendecioze” shifrat dhe bën bilanc tjetër. “Fakti që brenda 6 vjetësh arritëm të lemë menjanë 5-6 milionë euro, duke marrë 2 milionë euro për çdo vit, tregon se sa i drejtë ishte menaxhimi i parave. Ka raporte të kontrollorëve të administratës publike që thonë se të gjitha procedurat e tenderimeve, shpalljeve dhe të çdo aktiviteti tjetër janë konform ligjeve”, thotë Zavos, i cili sqaron se udhëtimet e shumta të dy viteve të fundit me një kosto prej 290.000 eurosh në Manila, Gjenevë apo Uashington diktoheshin nga nevojat e mbajtjes së Forumit Botëror për Emigracionin dhe Zhvillimin nëntorin e kaluar në Athinë. “Mbajtëm 4 kongrese paraprake çdo vit që të mund të mbështesim Forumin Botëror”, thotë Zavos, i cili për rezidencën luksoze thotë se e trashëgoi nga parardhësi i tij me një kontratë të detyrueshme për 6 vjet dhe se njëri nga automjetet që cilësohet si luksoz është “model i vitit 1991”.

Alexandros Zavos

Alexandros Zavos, president i Institutit ër Imigracionin në Athinë

Pse e mbyll qeveria institutin?

“Për mendimin tim, qeveria përpiqet të tregojë se bën kursime në një shkallë të gjerë. Gjen 4 milionë euro tepricë dhe shpëton dhe 2 milionë të tjera nga detyrimi i përvitshëm ”, thotë Zavos. Gjithkush mund ta konsiderojë si teprim arsyetimin e tij tjetër se “ndoshta nuk mund të gjente personel po aq të aftë për të kryer po të njejtën vepër me të njejtat para” por jo edhe bilancin e veprës të gjithë këtyre viteve. “Gjynah se me gjithë dobësitë që kishte ka bërë punë”, thotë gazetarja Konstandina Karaxhu, që mbulon çështjet e imigracionit, dhe përmend studimet dhe aktivitetet e panumërta, por edhe bibliotekën prej 3.000 ekzemplaresh për emigracionin. Emri i Institutit u bë i njohur edhe jashtë vendit si një “pasaportë” e mirë dhe për imazhin e vendit dhe në aktivin e tij jo rastësish ka memorandume bashkëpunimi me Universitetin e Moskës dhe seksionin e UNESCOS, me ministrinë e Imigracionit të Indisë apo me Komisariatin e Lartë të OKB-së për Emigracionin. Tre vitet e fundit studentë evropianë bënin praktikën e tyre në Institut.

Por përfytyrimi i vetë emigrantëve për një Institut të tyre ishte tjetër me sa duket, po të gjykojmë dhe nga reagimi i tyre ndaj pyetjes sonë nëse e gjykojnë apo jo të drejtë vendimin qeveritar. “Nuk mund të jap një përgjigje direkte për këtë. Atë që mund të them është se nuk ka bërë punën që duhet të bënte si think tank për çështjet e imigracionit. Funksionet e tij janë ndërruar disa herë me amendamente të ndryshme, që nuk janë vënë në jetë. Në letra mbeti edhe amendamenti i fundit dhe nuk mundi të shndërrohet në nyje lidhëse midis shoqatave të imigracionit dhe shtetit”, thotë për DW-në Ahmed Moavia, koordinatori qëndror i Forumit të Emigrantëve me 35 shoqata në gjirin e tij. Përkundër qëndrimit të rezervuar afroaziatik Flutura Tafilaku, kryetare e Shoqatave Shqiptare të Imigracionit, shpreh pezmatimin e natyrshëm të imigracionit për mbylljen e institucionit të tyre të vetëm me gjithë mangësitë e tij. “Ishte një befasim i madh për ne emigrantët. Në kohën që tjetër gjë mund të prisnim si ngritja e një ministrie të posaçme për emigracionin, që unë e shtrova si kërkesë në Forumin Botëror të emigrantëve në nëntror, tani i vihet dryni të vetmit institucion për emigracionin. Pavarësisht nga mangësitë, qe një institut që i kujtonte qeverisë dhe shoqërisë greke prezencën e imigracionit, që siç duket paguan i pari haraçin e krizës së thellë financiare të vendit”.

Parametrin e krizës, si arsyen më të thellë nuk mund ta fshehë duke folur për DW-në as vetë zëvendësministrja e Brendshme Theodhora Xakri, që firmosi vendimin dhe insiston në motivacionin e tij fillestar. “Atë që kam për të thënë për administrimin e Institutit të Politikës për Imigracionin, në vitet e drejtimit të tij nga zoti Zavos, është se u njejtësua me një menaxhim luksoz që nuk i shkon për shtat synimeve për të cilat është ngritur dhe për më tepër nuk i shkon për shtat koninukturës së vështirë financiare të vendit. Është marrë më tepër me aktivitete luksoze, si edhe udhëtime jashtë shtetit dhe më pak me veprën sociale dhe studimore të Institutit”. Nuk e konsideron aspak paradoks, siç i vemë në dukje, faktin që një qeveri me prioritet imigracionin suprimon të vetmin institut të tij dhe sqaron: “Jemi qeveri që krijuam Sekretariatin e Posaçëm të Politikës së Imigracionit (në kuadrin e ministrisë së Brendshme) që do të përmbushë synimet që nuk përmbushte IPM dhe i referohem punës studimore dhe shoqërore”. Ndërkohë ish- presidenti Zavos e vlerëson “zhvleftësimin e Institutit me qëllim suprimimin e tij problem të cilësinë së vetë demokracisë” dhe paralajmëron se do t'i drejtohet drejtësisë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 24.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NVmL
  • Data 24.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NVmL