1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Inspektorët e armëve kimike nderohen me Çmimin Nobel të Paqes

Çmimi Nobel për paqen vë në qendër të vemendjes një organizatë, e cila deri tani ka qendruar nën hijen e OKB-së. Inspektorët e OPCW ndodhen ndërkohë në Siri. Misioni i tyre është si një tokë ende e pashkelur.

Siria hyn në Organizatën Ndëkombëtare për Monitorimin e Armëve Kimike (OPCW)javën e ardhshme dhe do të jetë kështu vendi i 190-të anëtar i saj. Presidenti sirian Assad ra dakord nën presionin e madh ndërkombëtar, që të heqë dorë nga arsenali i armëve kimike. Në këtë mënyrë ai mundi ta shmangë ndërhyrjen ushtarake amerikane.

Aktualisht 27 inspektorë të OPCW ndodhen në Siri, për të kontrolluar qendrat e armatimit dhe për të nisur asgjësimin e arsenalit. Ata do të pasohen nga inspektorë të tjerë. Inspektorët ndodhen në vendin e luftës civile që nga fillimi i tetorit. Deri tani ekspertët, sipas të dhënave të veta, kanë inspektuar tre komplekse ushtarake. Sipas vlerësimeve regjimi i presidentit Bashar al-Asad ka rreth 1000 ton armë kimike. Në mesin e vitit 2014 ky vend sipas një vendimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të mos ketë më arsenal armësh kimike.

OPCW është përgjegjëse për zbatimin e Konventës së Armëve Kimike të vitit 1997. Ajo ndalon përdorimin dhe prodhimin e armëve të tilla dhe kërkon shkatërrimin e të gjitha rezervave. Edhe vetë planimetria në formë C-je e ndërtesës së OPCW në Hagë tregon se 500 punonjësit e organizatës merren çdo ditë me armë kimike.

Në rradhën e dytë

Punonjësit e OPCW hetojnë dhe kontrollojnë, por rezultatet i paraqesin Kombet e Bashkuara. "OKB-ja është porositësja dhe në këtë mënyrë edhe pronarja rezultateve të hetimeve", thotë zëdhënësi i OPCW-së, Michael Luhan. Organizata mbetet kështu e padukshme për shumëkënd.

Ndërtesa e OPCW në Hagë

Ndërtesa e OPCW në Hagë

I panjohur si OPCW-ja është edhe sekretari i saj i përgjithshëm. Turku Ahmet Yzymçy e drejton organizatën që nga viti 2010. Ai e njeh Sirinë, sepse nga viti 1982-1984 ka jetuar dhe punuar atje si konsull i përgjithshëm i Turqisë në qytetin e goditur rëndë nga lufta civile, Alepo.

Misioni i parë në një zonë, ku luftohet

Një mision si ai i Sirisë është diçka e re për OPCW-në. Kurrë më parë inspektorët e OPCW-së nuk janë dërguar për të hetuar përdorimin e gazit helmues, apo për të punuar në një territor, ku luftohet. Detyra kryesore e organizatës është krejt tjetër. Të gjitha shtetet të përfshira në Konventën e Armëve Kimike janë angazhuar për t'i asgjësuar arsenalet ekzistuese të armëve të tyre kimike. OPCW u krijua në vitin 1997 si një instancë mbikqyrëse për ta monitoruar këtë proces me 125 inspektorët e saj. Punonjësit kanë të drejtë që të hyjnë në çdo kohë në komplekset përkatëse ushtarake të shteteve të përfshira në konventë.

Kjo financohet nga vetë shtetet me të njëjtin kod, me të cilin ata paguajnë edhe kontributet në Kombet e Bashkuara. Megjithë lidhjen e ngushtë me OKB-në OPCW është një institucion i pavarur, që ka lidhur vetëm një kontratë me Kombet e Bashkuara.

Në mbarë botën pothuajse të gjitha shtetet e kanë miratuar Konventën e Armëve Kimike, që është një nga marrëveshjet ndërkombëtare. Por ka disa përjashtime. Angola, Egjipti, Koreja e Veriut dhe Sudani i Jugut nuk e kanë nënshkruar konventën, Izraeli dhe Mianmari nuk e kanë ratifikuar ende atë.

Janë shënuar suksese

Sipas zëdhënësit të OPCW-së Luhan shumica e armëve kimike të depozituara në botë është shkatërruar. "Ne mund të vërtetojmë se 80 përqind e të gjitha armëve kimike ekzistuese janë shkatërruar tashmë."

Këtë shifër e konfirmon edhe Ralf Trapp, i cili është një nga themeluesit e OPCW-së dhe sot punon si këshilltar i pavarur për çarmatimin. Në të njëjtën kohë ai i relativizon sukseset. "Në fakt ishte parashikuar, që brenda dhjetë vjetëve të shkatërroheshin të gjitha armët kimike. Maksimalisht mund të ketë një zgjatje prej 15 vjetësh, e matur që nga hyrja në fuqi në vitin 1997".

Symbolbild OPCW Syrien Untersuchung Giftgas

Inspektorët e OPCW kërkojnë gjurmë të gazit helmues në Siri

Në fakt procesi duhet të kishte përfunduar me kohë, por veçanërisht Rusia dhe SHBA-ja janë prapa. Ato janë vendet me arsenalin më të madh të armëve kimike. Sipas OPCW Rusia ka pasur fillimisht rreth 40.000 ton, nga të cilat 75 për qind janë shkatërruar. SHBA kishin fillimisht 30.000 ton, 90 për qind e të cilave duhet të jenë shkatërruar.

"Eshtë gati dhjetë herë më e shtrenjtë që të shkatërrohen armët kimike, se sa të prodhohen", thotë Trapp." Për t'i shkatërruar këto sasi, në mënyrë që të mos mbetet asgjë prej tyre dhe të mos dëmtohet as mjedisi dhe as njerëzit, nuk është aq e thjeshtë. Duhet shumë kohë dhe është një investim masiv." OPCW do të vazhdojë ta monitorojë këtë proces, ndoshta së shpejti edhe në Siri.