1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Inkurajim për reformatorët

Pas pritjes disa vjeçare Serbia bëhet kandidat për anëtarësim në BE. Serbia forcohet në rrugën drejt BE-së. Por kjo mund të jetë një rrugë e gjatë, komenton Verica Spasovska.

Verica Spasovska

Verica Spasovska

Optimizëm në Serbi. Ky vend më në fund është zyrtarisht kandidat për antarësim. Tani për tani ky është një shans, as më shumë e as më pak. Kjo pasi ndonëse vende të tjera në Ballkanin Perëndimor e kanë prej kohësh këtë status, ato ende nuk janë afruar si duhet me BE-në gjatë viteve të shkuara. P.sh. Maqedonia, e cila për shkak të grindjes për emrin me Greqinë prej vitesh ka mbetur në vendnumëro dhe deri më sot ende nuk ka marrë një datë konkrete për fillimin e bisedimeve të antarësimit.

E megjithatë: duke sjellë me vete këtë sukses në politikën e jashtme, presidenti serb Boris Tadiç mund të hyjë më i fortë në luftën elektorale. Më e qartë se kaq s'mund të ishte mbështetja nga Brukseli ndaj kursit të tij pro-evropian. Kundërshtarët nacional-konservatorë, si ish-kryeministri serb Vojislav Koshtunica, në sfondin e kësaj mbështetejeje nga Brukseli do ta kenë më të vështirë garën për mbledhjen e votave. Për më tepër që gjesti nga Brukseli e çliron tani përfundimisht Serbinë nga imazhi i shtetit pariah që u krijua për shkak të rolit të këtij vendi gjatë konflikteve të armatosura në Ballkan në këto dy dekada. Porta për integrimin euroatlantik është hapur tashmë më shumë se kurrë.

Çështja e Kosovës ende e hapur

Për ta përshkuar më tej rrugën duhet të zgjidhet grindja territoriale me Kosovën. Sepse për aq kohë sa mbetet e diskutueshme çështja e pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia ende vazhdon ta konsiderojë si pjesë të territorit të saj, ajo rëndon zhvillimin demokratik si të Serbisë edhe të Kosovës, i pengon të dyja vendet në procesin e anëtarësimit në BE dhe përçan BE-në. Pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran.

Këtë e vështirëson edhe më shumë pretendimi, pak a shumë i hapur i Serbisë, për bashkimin e veriut të Kosovës, i banuar nga shumë serbe, me Serbinë. Një zgjidhje e çështjes së Kosovës përmes zhvendosjeve të reja të kufijve? Një gjë e tillë as që duhet çuar nëpërmend, sepse korrigjimet e reja të kufijve në Ballkan mund të shkaktojnë efektin domino, që mund të prekë dretpërdrejt vendet fqinjë si Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, për shkak të problemeve që kanë ato me minoritetet. Gjithashtu Kosova është njohur tashmë në kufijtë e saj nga më shumë se tetëdhjetë vende.

Një perspektivë për të gjithë rajonin

Zhvendosjet e reja të kufijve nuk janë zgjidhje për çështjen e Kosovës. Afatgjatë zgjidhja mund të jetë vetëm, nëse BE-ja e ngre me vendosmëri këtë çështje në rendin e ditës. Me ndërmjetësimin e BE-së duhet të zhvillohen bisedime të mirëfillta për statusin e Veriut të Kosovës, që zëvendëson "dialogun" mes Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhjen e problemeve të ditës. Nëqoftëse Bashkimi Europian pas Qipros do që ta shmangë një konflikt të mëtejshëm terriatorial, atëherë ai duhet të aktivizohet më fort se deri më sot si ndërmjetësues.

Ftesa nga Brukseli është jo vetëm për Serbinë një hap i rëndësishëm në shtegun e integrimit në BE. Ajo tregon gjithashtu, se BE-ja pavarësisht turbullirave, të shkaktuara prej krizës financiare, vazhdon t'i përmbahet strategjisë së zgjerimit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky është një sinjal inkurajues ndaj të gjitha vendeve të rajonit për t'i vazhduar përpjekjet e tyre për reformat.

Reformat janë të domosdoshme

Vendimi në Bruksel nuk duhet të fshijë nga vëmendja, që në Serbi ka ende shumë për t'u bërë dhe që qeverisë serbe i duhet tani t'i përvishet punës për reforma jopopullore: administrata publike e vendit duhet të modernizohet, korrupsioni duhet të luftohet më fuqishëm se deri më sot dhe duhet të shkurtohet burokracia e tepruar. Nisur nga fakti që pasojat e krizës financiare kanë lënë gjurmë edhe në Serbi, qeveria në Beograd duhet të zbatojë reforma të mirëfillta ekonomike, si p.sh. privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore. Duhet të garantohet edhe pavarësia e drejtësisë.

Qeveria në Beograd duhet t'i thotë të vërtetën elektoratit: Rruga për në BE arrihet vetëm përmes reformave të dhimbshme. Kjo mund ta zbehë optimizmin, por shmang shpresat e ekzagjeruara dhe ndonjë zhgënjim të papritur. Se çfarë ndiesie mund të jetë kjo, këtë mund ta shpjegojnë gjerë e gjatë fqinjët grekë.

Autor: Verica Spasovska

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM