1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Iniciativa gjermane "Të blejmë nga Ballkani"

Edhe pse Ballkani së fundit përmendet vetëm për valën e refugjatëve, qeveria në Berlin bën përpjekje për përmirësimin ekonomik të rajonit. Takimet e drejtpërdrejta të bisnesmenëve kanë sjellë tashmë frytet e para.

"Kemi zbuluar mundësi krejtësisht të reja për zhvillimin e bizneseve tona", ky është reagimi i vetëm njërit prej biznesmenëve gjermanë, që janë pjesë e iniciativës për blerjen e mallrave në Ballkan ("Einkaufsinitiative Balkan"). Iniciativa nisi si rezultat i konferencës së vitit të kaluar për Ballkanin Perëndimor në Berlin, dhe iniciatorët e saj janë shoqata gjermane e Logjistikës dhe firma blerëse BME, Dhoma gjermane e Ekonomisë dhe Tregtisë DIHK dhe qeveria në Berlin.

Qëllim i iniciativës është që të kontaktojë direkt prodhuesit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor me blerësit potencialë, firmat nga Gjermania. Qershorin e kaluar në Mynih u mbajt edhe konferenca e posaçme, në të cilën BME organizoi më shumë se 400 bisedime direkte "vetëm për vetëm" mes partnerëve të mundshëm. Në takime të ndara, para 22 partnerëve të mundshëm nga Gjermania u prezantuan gati 100 firma të zgjedhura nga hapësira e Ballkanit Perëndimor.

Muajt e fundit këto firma nga Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kroacia kanë marrë 170 kërkesa konkrete prej blerësve gjermanë.

"Pas një farë kohe dhe analize mund të themi se kjo inciativë është një sukses i madh", thotë Olaf Holzgrefe nga shoqata BME. Ai thekson se janë kontraktuar biznese me vlerë prej më shumë se qindra mijëra euro. "Firmat nga Ballkani që morën pjesë në konferencë kanë qenë të përgatitura shkëlqyeshëm. Disa nga përfaqësuesit e tyre flisnin gjermanisht, gjë që u la përshtypje të mirë biznesmenëve tanë. Përshtypje shumë të mirë bënë përfaqësuesit nga shtetet, prej të cilave nuk pritej shumë, fjala është për Bosnjë-Hercegovinën. Ky shtet ka më shumë potencial nga ç'pritej."

Olaf Holzgrefe nga shoqata BME

Olaf Holzgrefe nga shoqata BME

Holzgrefe thekson se potenciali ekziston në segmentet, ku është i nevojshëm përpunimi teknik i materialeve, në rradhë të parë në industrinë e përpunimit të metalit. Industria e automobilëve në Gjermani është natyrisht një blerës i madh potencial, por në këtë moment ekzistojnë synime reale. "Shansi është bashkëpunimi me firma të mesme gjermane, në investimet në zhvillimin e segmenteve të reja të prodhimit, në investimin për kualifikimin e fuqisë së vet punëtore dhe zotërimin e disa proceseve të caktuara të prodhimit."

"Pengesat më të vogla nga ç'mendojmë"

Në mesin e atyre, që kanë gjetur mënyrën e bashkëpunimit, është edhe firma "Masterwerk GmbH" nga Mynihu, pronar i të cilës është Muamer Babajiç. Kjo firmë merret me ndërtimin dhe prodhimin e pjesëve për industrinë e automobilave dhe atë mekanike, dhe me robotikën. Pas konferencës në Mynih ai ka krijuar ndërkohë lidhje me firma nga Serbia, ndërsa bisedimet me firmat nga Bosnjë-Hercegovina vazhdojnë. Babajiç thekson se mundësitë e bizmenëve nga rajoni janë shumë më të mëdha, sesa ata mendojnë. Kufijtë nuk ekzistojnë, kur është fjala për blerjen e pajisjeve, prodhimeve dhe transferimin e njohurive.

"Nuk duhet investuar vetëm në makineri. Shumë e rëndësishme është të transferohet know-how - njohuritë. Duhet të jemi realistë, lufta na ka kthyer disi pas. Pra në këtë moment duhet të bëjmë atë që jemi në gjendje të bëjmë, por edhe të mendojmë për hapin tjetër. Megjithatë nganjëherë kam përshtypjen që njerëzit duan të arrijnë disa synime brenda natës dhe të maten me ndërmarrje nga shtetet e zhvilluara. Duhet t'i vlerësojmë realisht mundësitë aktuale", thotë Babajiç.

Muamer Babajiç, pronar i firmës Masterwerk GmbH në Mynih

Muamer Babajiç, pronar i firmës "Masterwerk GmbH" në Mynih

Ai dhe firma e tij punojnë për transferimin e njohurive në rajon. Me një agjenci gjermane e afërt me shoqatat gjermane të biznesit dhe ministrinë gjermane të Zhvillimit, momentalisht bisedohet për ndihmën për ngritjen e një qendre trajnimi për punën dhe programimin e robotëve industrialë në Tuzla.

Tuzla mund të bëhet në këtë mënyrë qendër në rajon, thotë Babajiç. "Kështu ne mund të tërheqim jo vetëm njohuri, por edhe investitorë, që dëshirojnë të investojnë në rajon. Rritja e prodhimit përmes automatizimit e bën rajonin më atraktiv, sesa të ofrojmë vetëm nivele të favorshme të pagës të fuqisë punëtore. Qëllimi ynë është të përgatisim kuadro, që mund të automatizojnë proceset dhe të drejtojnë robotët."

"Punë e madhe"

Gjëja më e rëndësishme është që prodhuesit nga rajoni të fitojnë besimin e blerësve në Gjermani. Duhet respektuar cilësia, që kërkohet, proceset dhe afatet, që kërkohen. Pa besim nuk ka punë, thekson Babajiç. Duhet të bëhemi të besueshëm. Ajo për të cilën bihet dakord, duhet respektuar. Nëse është ndonjë problem, ai duhet pranuar në komunikim, sepse gjermanët e respektojnë një gjë të tillë. Kjo është shumë më e mirë se mënyra jonë: "Hajde punë e madhe". Ajo "punë e madhe" na kushton nganjëherë shumë.

Kur është fjala për Bosnjë-Hercegovinën ai shton se ky shtet mund të bëjë më shumë për të reduktuar burokracinë dhe për të subvencionuar eksportet, që të stimulojë ekonominë. Si shembull profesionalizmi ai përmend Serbinë, ku ka gjetur dyer të hapura për të krijuar bashkëpunim me firmat e atjeshme.

Balkani mund të marrë pjesë nga torta e Kinës

Edhe Babajiç edhe Holzgrefe theksojnë se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka shansin të marrë një pjesë të kontratave, që gjermanët u japin prodhuesve në Azi. Gjeografikisht janë afër, kulturat janë po ashtu që afërta, ajo që mungon, është konstantja në cilësi dhe profesionalizëm. Nuk mund të depërtohet në tregun shumë kërkues gjerman, e të mos ketë së paku faqe interneti në gjuhën gjermane apo angleze. Holzgrefe thekson se bashkëpunimi ekonomik është ndihma më e mirë për rajonin, i cili ka nevojë urgjente për vende pune.

"Biznesi i disa qindra mijëra eurove sjell vende pune, sjell para në regjistrin publik. Mbani parasysh se firmat gjermane si rregull, kur vendosin një bashkpunim, nuk bëjnë vetëm një biznes, por ky bashkëpunim vazhdon. Firmat gjermane përveç kësaj sjellin me dëshirë edhe njohuritë dhe teknologjinë që kanë, për t'i siguruar vetes partnerë për të ardhmen", thotë Holzgrefe.