1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Iniciativë gjermano-polake kundër fushatës elektorale të nacionaldemokratëve

Rrugët e qytetit të Saksonisë Görlitz janë të mbushura me pllakate parazgjedhore të partisë NPD, ku mbizotërojnë parullat kundër të huajve. Vetë qytetarët kanë vepruar për heqjen e këtyre parullave.

Pllakatë kundër NPD-së në Zgorzelec (Poloni), qytet partner i Görlitz-it.

Pllakatë kundër NPD-së në Zgorzelec (Poloni), qytet partner i Görlitz-it.

Pllakatet parazgjedhore të Partisë Nacionaldemokrate të Gjermanisë, NPD, si ato „Stop pushtimit polak" dhe "Të huajt jashtë", janë të ndaluara në fushatën elektorale. Por ato janë vendosur në disa qytete. Një grup nga shoqata polako - gjermane, ka vendosur të kërkojë heqjen e tyre. Kryetari i shoqatës, Frank Gottschlich, thotë se gjërat e tilla i dëmtojnë raportet mes këtyre dy grupeve etnike: "Görlitz-in e shohim si një urë bashkëpunimi me ekonominë polake dhe kemi bërë disa përgatitje, së bashku me Varshavën. Duam që Görlitz-i të bëhet një portë për prodhimet polake drejt Perëndimit."

Waldemar Gruna, një bashkëpunëtor i tij dhe botues i gazetës dygjuhëshe „Rajonet e Evropës", thotë, se ai që lejon propagandën e NPD-së, dëmton imazhin e Görlitzit: "Në dy javët e fundit kemi pasur dy ceremoni festive në Zgorzelec dhe Görlitz, ku kanë marrë pjesë gati 300.000 vizitorë."

Pllakatet parazgjedhore të NPD-së në Görlitz, të lënë përshtypjen se kjo parti është e fuqishme. Por kjo të mashtron, sepse vetëm 7% e qytetarëve kanë votuar për të në zgjedhjet komunale. Anëtarët e shoqatës gjermano - polake kanë biseduar disa herë me kryetarin e bashkisë. Në gusht kanë kërkuar edhe ndalimin e NPD-së nga Gjykata Kushtetuese, ndonëse e dinin, se procesi do të përfundonte pa sukses, thotë Frank Gottschlich: "Me këtë kemi dashur t'i themi kryetarit të bashkisë, se ajo që po bën është gabim. Gabimi duhet të korrigjohet, sepse këto parulla drejtohen kundër polakëve."

Në qytetin e Brandenburgut Loeknitz, rreth 300 kilometra larg Görlitzit, situata është tjetër. Kryetari i bashkisë atje ka vendosur që të hiqen pllakatet parazgjedhore të NPD-së. Në Görlitz ishin qytetarët ata që morën shkallët dhe polakë e gjermanë së bashku, hoqën pllakatet e NPD-së. Në qoftë se pllakatet vihen sërish, ata kanë vendosur që të ankohen edhe në Gjykatën Evropiane.

Autor: Barbara Cöllen / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 11.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JcxH
  • Data 11.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JcxH