1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Informaticieni. Jan Ahrendt Klingel nga Inning

11 Tetor 2010

Qysh në moshë të re ai ka qenë i dhënë pas teknikës. Jan Arendt Klingel sot punon për departamentin e menaxhimit të riskut për teknologjinë informative TI në BMW. Specialisti mbron informatat e fshehta nga spiunazhi

https://p.dw.com/p/MvXl

Qysh në moshë të hershme ai ka qenë shumë i dhënë pas teknikës. Jan Arendt Klingel sot punon për departamentin e menaxhimit të riskut për teknologjinë informative TI në BMW. Specialisti i kompjuterëve mbron informatat e fshehta nga spiunazhi.

Zilja bie në orën gjashtë të mëngjesit. Jan-Arendt Klingel nuk parapëlqen të zgjohet kaq herët, por kjo është ora e vetme, kur rrugët që të çojnë drejt kryeqytetit të Bavarisë, Mynihut, janë ende relativisht të zbrazëta. Ai u bën mëngjesin dy djemve, Jannik (12) dhe Marvin (9). "Ne jemi pa pretendime, kënaqemi edhe vetëm me musli", thotë babai.

Luftë kundër kriminalitetit kompjuterik

Gesichter Deutschlands JaKlP1
Fotografi: DW

Që nga viti 2007 Klingel punon në sektorin e menaxhimi tët riskut në BMW dhe së bashku me katër kolege dhe kolegë të tjerë përcakton direktivat e sigurisë, të cilave duhet t'u përmbahen të gjithë bashkëpunëtorët e BMW-Group në të gjithë botën. Bëhet fjalë për informata për përdorim të brendshëm. Në bashkëpunim me organet e përndjekjes së krimit, departamenti i tij kryen hetime të brendshme dhe të jashtme. “Kriminaliteti është rritur, për shkak të mundësisë së shitjes së informacioneve për personelin, ose për hulumtimet në sektorin e zhvillimit të produkteve. Me to mund të bësh ndërkohë shumë para. Dhe kjo e rrit akoma më shumë përgjegjësinë tonë për t'i mbrojtur siç duhet këto informacione”, thotë Klingel.

Gesichter Deutschlands JaKlP3
Fotografi: DW

40 vjeçari nuk ka aspak rutinë në punën e përditshme. Në menaxhimin e riskut të Teknologjisë së Informacionit (TI) ka çdo ditë diçka të re për të mësuar. “Nuk ka një rrugë të caktuar që më parë, të cilën duhet ta ndjekim. Tek ne ka vazhdimisht ndryshime dhe ne duhet t'u përshtatemi atyre vazhdimisht. Çdo ditë sjell sfida të reja, impulse të reja, të cilat duhet të përpunohen.” Zyra e tij është një dhomë, ku nga të katër anët depërton drita e diellit. Megjithëse ka edhe katër kolegë të tjerë në zyrë, atmosfera është e qetë, në se në atë moment nuk zhvillohet ndonjë konferencë, qoftë kjo e drejtpërdrejtë, ose me telefon a video. Puna kërkon përqendrim të lartë. Shumë shpesh ai shkon nëpër departamente të tjera për të mësuar nga kolegët, se cilat janë ankesat e tyre për mangësitë e sigurisë dhe për të komunikuar direktivat më të fundit për mbrojtjen e të dhënave.

Me dhjetë kartonë dhe një foshnjë në SHBA

Gesichter Deutschlands JaKlP2
Fotografi: DW

Që ai në jetën e tij do të kishte të bënte me kompjuterë, këtë Jan Ahrendt Klingel e dinte që në rini. Menjëherë pas përfundimit të studimeve të matematikës dhe informatikës në Fulda, i erdhi shansi i madh. Një firmë, tek e cila kishte bërë një praktikë si student, i ofroi një vend pune si menaxher TI-je në Detroit, të shtetit amerikan Miçigan. Për të dhe të shoqen, Susannen, ky kapërcim i Atlantikut përbënte një ndryshim radikal, aq më tepër në atë kohë, kur atyre sapo u kishte lindur djali i parë.

„E paketuam gjithçka që kishim në dhjetë kartonë dhe u nisëm me gjithë fëmijët në Amerikë. Në fillim e patëm shumë të vështirë. Çdo gjë na u desh ta rregullonim vetë, duke filluar që nga sigurimi social e deri tek patenta. Dhe të gjitha me anglishten tonë të atëhershme, që nuk ishte shumë perfekt”, rrëfen ai.

Gesichter Deutschlands JaKlP4
Fotografi: DW

Ishte një periudhë shumë e vështirë për familjen e re, por edhe një sfidë e madhe profesionale. „Ne mësuam shumë. Unë fillova si menaxher TI-je dhe m'u desh të merresha me lloj-lloj gjërash të ndryshme, duke filluar që nga problemi më i vogël e deri tek ai më i madhi.”

Nga Detroiti në Mynih

Mbas tre vjet e gjysmë në Detroit, Klingel kërkoi punë tek BMW-ja në Gjermani. Atë e ftuan në New York dhe mbas një interviste me anë të videos e pranuan në punë. „Më ofruan një vend pune, ku kisha për detyrë të lidhja me njëra-tjetrën me filialet e ndryshme të BMW-së. Më vonë atë e çuan edhe një herë për tri vjet në SHBA, në South Carolina.

Ndërkohë jeton me të shoqen dhe tre djemtë në Inning, një vend turistik në Bavari e me pamje idilike ndërmjet Liqeneve Woerther dhe Ammer. Në ditët e kthjellëta i shpaloset para dritareve panorama impresionuese e Alpeve Bavareze. Ky vend idilik e ka çmimin e vet: 43 kilometra rrugë distancë nga shtëpia në punë.

Gesichter Deutschlands JaKlP5
Fotografi: DW

Por ai do të kishte dëshirë të shkonte sërish jashtë shtetit. Në SHBA ai thotë se ka mësuar vlera të tilla, si toleranca dhe të qenit i hapur. Këto vlera ai do të dëshironte t'ua transmetonte edhe fëmijëve të vet. Por këtë radhë, ai do të preferonte të shkonte në Amerikën e Jugut, ndoshta në Brazil.

Feedbackfrage: A do të kishit dëshirë të jetonit jashtë shtetit?

Autorin: Eva Usi / Anila Shuka

Redaktion: Masthias von Hein/Angjelina Verbica