1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Informaliteti dhe kontrolli i qeverisë - Faktorë të përkeqësimit të lirisë së medias në Shqipëri

Hapet debati dhe nxitet lëvizja për përmirësimin e situatës së mediave në Shqipëri. "Reporterë pa kufi": Në 2009 Shqipëria cilësohet si vendi me më pak liri shtypi në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

default

Sektori i medias ka një rritje dhe vitalitet impresionues për një vend të vogël si Shqipëria. Shifrat zyrtare tregojnë se botohen 24 gazeta të përditshme, ka 86 operatorë radio televizivë dhe 64 periodikë javorë dhe mujorë. Por ky vitalitet dhe kjo pasuri nuk është shoqëruar edhe me rritjen e dimensioneve të lirisë dhe të pluralizmit në informimin e publikut. Përkundrazi, siç tregon edhe raporti i sivjetëm i "Reporterë pa kufi" liria e shtypit është limituar. Aleksandër Cipa, analist i pavarur i Tiranës, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë tregon për Deutsche Welle-n faktorët kryesorë që kanë sjellë këtë situatë: "Informaliteti që zotëron në sektorin mediatik shqiptar qëndron në krye të faktorëve që e vendos Shqipërinë në këtë nivel të ulët të lirisë së shtypit. Faktori i dytë është përdorimi i mediave nga grupet e interesit për të flirtuar me politikën dhe për të qenë në shërbim të saj."thotë ai.

Cipa: Rënie e vazhdueshme e trazhit të gazetave dhe e besueshmërisë së publikut

Këtyre faktorëve u shtohet edhe mungesa e integritetit profesional të stafeve editoriale, e përforcuar nga mungesa e ligjit për shtypin. Rastet më të freskëta flagrante të vënies së mediave në shërbim të politikës, në kurriz të profesionalizmit dhe lirisë së informimit, i përkasin fushatës elektorale për zgjedhjet palamerntare të 28 qershorit 2009. Ato tregojnë që stafet editoriale te mediave audiovizive të Tiranës pranuan të transmetojnë kaseta të përgatitura në selitë e partive politike kryesore, veprim që e cënoi rëndë lirinë e tyre. "Ky partneritet kompromentues mes pushteteve partiake dhe mediave ka rikthyer efektin politizues në Shqipëri. Jemi rikthyer në situatën e shumë viteve më parë, kur në Shqipëri kishte vetëm një spektër njëngjyrësh mediatik, një pro dhe një kundër qeverisë.Tani mungon tërësia e mediave të tjera të pavarura. Për këtë arësye sot tirazhet e gazetave janë në rënie të vazhdueshme dhe po kështu edhe besueshmëria e publikut“, vëren Aleksandër Cipa.

Raporti gjeneron debatin dhe lëvizjen për gjetjen e mekanizmave për ndryshimin e situatës

Kjo situatë vjen edhe nga shndërrimi i pronarëve dhe i administratorëve të mediave në autoritetet kryesore, që bëjnë politikat editoriale të institucioneve mediatike. Zoti Cipa e cilëson këtë një qëndrim arbitrar që shfaqet në komunikimin e përditshëm mes administratorit dhe stafit gazetaresk. Pasoja e dukshme që cënon rëndë lirinë është autocensura e gazetarëve. Gjendja rëndohet edhe më shumë nga kriza ekonomike, që nuk ka lenë pa prekur tregun mediatik. " Gjithë tregu mediatik në Shqipëri, marrdhëniet mes admnistratorëve dhe gazetarëve, po përjetojnë një krizë të pakrahasueshme me ndonjë periudhë të mëparshme të tranzicionit 19 vjeçar të Shqipërisë. Në 24 gazeta të përditshme 16 prej tyre nuk arrijnë të japin rregullisht pagat mujore të gazetarëve dhe redaktorëve. Në shumicën e mediave audio- vizive, përjashto ato të mëdhatë, kombëtaret dhe të vetmin institucion publik RTSH, mungesa e pagesave mujore është tepër e dukshme. Kriza në të ardhurat nga marketingu, publiciteti dhe reklamat është më e rëndë se kurrë. Tërësia e gjitha këta faktotoreve ka ndikuar në uljen e lirisë së medias.“, thotë Aleksandër Cipa.

Renditja e Shqipërisë në raportin për vitin 2009 të „Reporterë pa kufi“ si vendi në Ballkanin Perëndimor me më pak liri në media, ka gjeneruar debat dhe lëvizje në organizatat e gazetarëve për të gjetur mekaniznat e ndryshimit të situatës. Ndërkohë aplikimi i Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE e vë qeverinë e Tiranës para angazhimesh konkrete lidhur me mediat dhe lirinë e tyre. Kombinimi i lëvizjes, që ka filluar në rradhët e gazetarëve, me presionin e pritshëm nga Komisioni Evropian ndaj qeverisë dhe grupeve të tjera të interesit për plotësimin e standardeve evropiane lidhur me lirinë e medias, përbën bazën që vitin e ardhshëm Shqipëria të mos jetë përsëri e kualifikuar, si këtë vit, vendi më problematik në Ballkanin Perëndimor lidhur me këtë tipar thelbësor të demokracisë siç është liria e shtypit.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 28.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KHid
  • Data 28.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KHid