1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Informacionet e pasakta vrasin civilë në Siri

Tornadot gjermanë u përfshinë në bombardimin e një shkolle në Siri, një ndër shumë raste, ku viktima janë civilët. Chris Woods nga platforma airwars.org flet për viktimat civile në luftë kundër IS-it dhe rolin gjerman.

Deutsche Welle: Me shumë gjasa tornadot gjermanë, pra avionët e spiunazhit kanë luajtur rol kryesor në bombardimin e një shkolle në Al-Mansoura, pranë Rakas. Sipas raportimeve të mediave gjermane humbën jetën 33 civilë. Sa viktima civile ka në sulmet e koalicionit botëror kundër IS-it?

Chris Woods: Lufta kundër IS-it filloi në gusht 2014. Në shtator 2014 filluan bombardimet e para në Siri, pra para misionit të tornadove gjermanë, që filluan në janar 2016. Nga shtatori 2014, sipas informacioneve tona kanë humbur jetën 1400 civilë në Siri. Bashkë me Irakun mund të flitet për 2800 viktima civile. Kemi të bëjmë me një konflikt të rrezikshëm, me një numër fatkeqësisht shumë të lartë viktimash të civilëve.

Opinionit gjerman iu tha, se avionët gjermanë nuk do të përdoren për sulme. Por a mund të bëhet dallimi mes përgjimit nga njëra anë dhe përzgjedhjes së objektivave dhe sulmeve vdekjeprurëse nga ana tjetër? Çfarë bëjnë saktësisht tornadot dhe sa të rëndësishëm janë?

Konflikti në Siri varet shumë nga përgjimi nga ajri. Vende si Gjermania, që nuk marrin pjesë në sulme të drejtpërdrejta, luajnë megjithatë një rol të rëndësishëm në mbledhjen e informacioneve të rëndësishme nga ajri, që transferohen pastaj në sulme vdekjeprurëse të të tjerëve, më shumë të SHBA-së. Tornadot gjermanë nuk bombardojnë, por ata ofrojnë informacione, që përdoren për operacione vdekjeprurëse. Gjermania nuk e ka gishtin në shënjestër, por informacionet gjermane luajnë rol qendror në sulmet ajrore kundë objektivave të IS-it.

Ofensiva kundër Mosulit është në zhvillim e sipër, edhe ofensiva kundër Rakas po përgatitet. Duhet të përgatitemi për më shumë viktima në civilë?

Muajt e fundit kemi një rritje të dukshme të viktimave të civilëve përreth Rakas, kjo më parë se të fillonte sulmi i parashikuar kundër Rakas. Ajo që duket më shqetësuese, është se numri më i madh i viktimave është në fshatrat e qytetet e vogla jo me popullsi të dendur. Ne shqetësohemi, se kjo rritje e numrit të civilëve është pasojë e strategjisë së përshpejtimit të luftës. Aktualisht kemi 10 herë më shumë sulme ajrore mbi Rakan, se para një gjysmë viti.

Por ne mendojmë, se ka më shumë viktima në civilë, edhe sepse informacionet nuk janë të sakta, si nga ajri ashtu edhe nga toka. Në Raka koalicioni kundër IS-it punon me forcat kryesisht kurde të vetëmbrojtes, SDF. Por ata nuk vijnë nga ky rajon, por nga rajone të tjera. Po ashtu për shkak se koalicioni vetë ka informacione të kufizuara për terrenin lokal, kemi këtë situate, që civilët humbasin jetën për shkak të informacioneve të pasakta. Sipas mendimit tonë, rreziku për civilët është rritur.

Chris Woods është drejtor i organizatës jofitimprurëse airwars.org, e cila kujdeset për transparencë në konfliktet e armatosura, dhe hulumton e publikon shifrat e të civilëve të prekur.