1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Indinjatë ndaj përgjimeve të NSA-së

Shërbimi i fshehtë amerikan NSA ka përgjuar me sa duket më shumë vende, nga sa dihej deri tani. Në Meksikë është përgjuar presidenti, në Francë janë mbledhur brenda një dite të dhëna nga 7 milionë telefonata.

SHBA bien nën trysninë diplomatike të shumë vendeve pas zbulimeve të fundit në lidhje me veprimtarinë e shërbimit sekret NSA. Franca dhe Meksika kanë shprehur indinjatën e tyre për njoftimet e mediave, sipas të cilave NSA ka kryer përgjime në të dyja vendet. Qeveria e Meksikës dënoi spiunimin e zyrtarëve të lartë. Aksione të tilla janë të "papranueshme, ilegjitime dhe cënojnë ligjin meksikan dhe ndërkombëtar", deklaroi Ministria e Jashtme në Meksiko-City të dielën (ora lokale).

Revista "Der Spiegel" njofton, duke iu referuar dokumenteve të ish-punonjësit të shërbimit të fshehtë amerikan Edward Snowden, për dimensione deri tani të papara të aktiviteteve të spiunazhit të NSA. Një njësi speciale e shërbimit sekret amerikan duhet të ketë arritur për herë të parë në vitin 2010, që të hapte aksesin e email-it të presidentit të atëhershëm të Meksikës, Felipe Calderón. SHBA ishin të interesuar në rradhë të parë të dinin për tregtinë e drogës dhe drejtimin e shtetit në Meksikë, shkruan gazeta.

Ish presidenti i Meksikës Felipe Calderon (majtas) dhe pasuesi i tij Pena Nieto

Ish presidenti i Meksikës Felipe Calderon (majtas) dhe pasuesi i tij Pena Nieto

Qeveria meksikane do të kërkojë "sa më shpejt të jetë e mundur" llogari nga autoritetet amerikane, njoftoi Ministria e Jashtme në Mexiko-City. Në deklaratë qeveria meksikane dënon "shkeljen e konfidencialitetit të komunikimit të institucionave meksikane dhe shtetasve meksikanë".

Që në shtator stacioni televiziv brazilian Globo, duke iu referuar dokumenteve të Snowdenit, kishte raportuar se NSA ka përgjuar edhe presidentin e sotëm Enrique Peña Nieto dhe njerëzit përreth tij. Kjo duhet të ketë ndodhur gjatë një fushate elektorale.

Përgjime në Francë

Shërbimi i fshehtë NSA duhet të ketë mbledhur nga fillimi i dhjetorit 2012 deri në fillim të janarit 2013 deri në shtatë milionë telefonata brenda ditës në Francë. Këtë e njoftoi gazeta franceze "Le Monde" duke iu referuar dokumenteve të Edward Snowden.

Ministri i Brendshëm i Francës, Manuel Valls, i cilësoi zbulimet e "Le Monde" si shokuese dhe kërkoi në një intervistë "shpjegime të sakta të autoriteteve amerikane". Praktikat, që cënojnë jetën private, janë krejtësisht të papranueshme mes partnerëve, u shpreh ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, në kuadër të një takimi të BE-së në Luksemburg.

Edhe vende të tjera janë përgjuar përveç Meksikës

Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff

Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff

Meksika nuk është i vetmi vend i Amerikës Latine, që ka një marrëdhënie të trazuar me Uashingtonin, për shkak të aferës së përgjimit të NSA-së. Në shtator presidentja braziliane Dilma Rousseff e anuloi një vizitë shtetërore të planfikuar për në tetor në Uashington, pasi u bë e ditur se NSA ka përgjuar e-maile dhe telefonata të presidentes, të këshilltarit të saj, si dhe të sipërmarrjeve braziliane.

Përveç Meksikës dhe Brazilit të prekura duhet të jenë edhe Venezuela, Argjentina, Panamaja, Costa Rica, Kili, Nikaragua, Hondurasi, Paraguai, Peruja dhe El Salvadori. Këtë e njoftuan mediat duke iu referuar dokumenteve sekrete të informantit Snowden.