1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Indiferencë apo protestë për politikën?

Në ethet e fushatës elektorale në Shqipëri dilema për subjektet konkurruese është niveli i pjesëmarrjes në votime. Rivalitet mes iniciativës "Fleta e bardhë" me apelin “Nëse nuk votojmë, nuk flasim!”

default

Motorët elektoralë të partive politike janë duke punuar me ngarkesë të plotë. Fushata elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit zhvillohet në të gjithë territorin e Shqipërisë, organizohen tubime masive, takime në rrethe të ngushta votuesish, kontakte në ambjente familjare, shfrytëzohen rrjetet sociale, janë vendosur kudo simbole dhe banera me slogane shumëngjyrëshe partiake, ndërkohë që media gjatë gjithë ditës përcjell me imtësi atë që ndodh në terren, si dhe emeton debate e intervista me kandidatët për deputetë. Strategjitë dhe objektivat e shtabeve elektorale duken se konvergojnë tek synimi që të zgjerojnë sa më shumë mbështetjen tek popullata me të drejtë vote.

Por si është pritmëria për pjesëmarrje në këto zgjedhje? Në diskursin politik po qarkullon iniciativa e etiketuar si "Fleta e bardhë", për të cilën ka pasur jo pak prononcime të opinionistëve dhe personaliteteve publikë. Ideja për të shkuar në kutinë e votimit dhe fletën e votës ta lësh të papërcaktuar, ka pro dhe kundër. Ndërkohë nuk kanë munguar dhe qëndrimet e faktorit ndërkombëtar, me apele dhe ndërgjegjësim për pjesëmarrje masive në votimet e 23 qershorit 2013.

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu në disa takime të ditëve të fundit ka bërë thirrje për dalje masive në votime, "që të bëheni pjesë e demokracisë". Sipas tij, që një demokraci të funksionojë, "pjesëmarrja sa më madhe që të jetë e mundur në votime është një element që ka nevojë të rritet." Slogani i Ambasadës së SHBA-ve është “Nëse nuk votojmë, nuk flasim.”. Në të njëjtën gjatësi vale shefi e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi, ka këmbëngulur se përgjegjësia e secilit nuk duhet të përfundojë tek hedhja e votës. “Qëndroni gjithmonë të interesuar për problemet, Qëndroni gjithmonë të interesuar për demokracinë dhe të ardhmen e vendit tuaj."

Dy lëvizjet synojnë ti japim vlerë zërit të qytetarit

Albanien Deutschland Roland Lami in Tirana Konrad Adenauer Stiftung

Roland Lami - sociolog

Pedagogu i Shkencave Sociale në Universitetin Europian të Tiranës, Roland Lami, mendon se lëvizjet "Fleta e bardhë" dhe “Nëse nuk votojmë, nuk flasim!” pavarësisht qëllimeve të ndryshme, sipas tij bashkohen në një pikë. Ky është interesi për të nxitur njerëzit të shkojnë në qendrën e votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre, pasi ky është i vetmi mekanizëm që mundëson transmetimin e mesazhit tek aktorët politikë, thotë Lami për DW.

"Kështu që, pavarësisht se për çfarë motivesh nxiten njerëzit të shkojnë të votojnë në këto zgjedhje, e rëndësishme është që ata të shprehin vullnetin e tyre, qofte dhe refuzues për ofertat që propozohen nga partitë politike. Kjo është e rëndësishme, pasi shkalla e lartë e pjesëmarrjes krahasuar me zgjedhjet e kaluara si dhe përqindja e votuesve që mund të përdorin “Votën e Bardhë” si shprehje e pakënaqësisë sado që të jetë, do të nxisë partitë politike të bëjnë korrigjimet e nevojshme në të ardhmen. E kundërta, siç ka ndodhur ndër vite përbën problem. Pikërisht nisur nga ky fakt duhen përgëzuar të dy lëvizjet pasi synojnë ti japim vlerë zërit të qytetarit.

Po u prekën zgjedhjet, qyetarët do ti rrinë larg kutive të votimit

Mentor Nazarko Journalist in Tirana

Mentor Nazarko - gazetar

Komentatori politik Mentor Nazarko mendon se ka një perceptim për lodhjen e elektoratit dhe mosbesimin ndaj politikës. Sipas tij, kjo stimulohet nga propaganda e afërt me qeverisjen, e cila kërkon të thotë se ata që duan të vinë në pushtet janë të njollosur. Kësaj përpjekeje propagandistike që pengon ndryshimin besoj se do ti japet përgjigje nga qytetarët në datën 23 qershor, thotë Nazarko për DW.

"Në rast se edhe këtë herë zgjedhjet do të preken, atëherë vendi do të bjerë në sindromin e pasigurisë për të mbajtur një palë zgjedhje të lira dhe demokratike, që është një cënim thelbësor i demokracisë, dhe hapa shumë prapa nga procesi i integrimit europian. Dhe gjithmonë e më tepër qyetarët do ti rrinë larg kutive të votimit. Mendoj se në zgjedhjet e 23 qershorit pjesmarrja në votime do të jetë më e lartë në vlerë absolute krahasuar me zgjedhjet parlamentare të para 4 viteve. Them në vlerë absolute se vlera në përqindja është e palexueshme, përderisa listat e votuesve në Shqipëri janë super të fryra, nga emigrantë të cilët nuk kanë ardhur asnjëherë në vendlindje dhe nuk kanë marrë pjesë në asnjë proces zgjedhor, apo siç është raportar nga përfshirja e në lista e personave që nuk jetojnë më, ata që figurojnë në më shumë se një qëndër votimi etj."

Investimi i PD dhe PS për pjesmarrje të gjerë

Mentor Nazarko vë re se partitë kryesore PD dhe PS po investohen që në ditën e votimeve të vijnë për të votuar dhe emigrantët, kryesisht nga vendet fqinje.

"Duke ju krijuar atyre pse jo dhe lehtësi të udhëtimit falas. Unë besoj se do të ketë pjesmarrje dhe të të rinjëve, aq më tepër shtysë do të jenë për një pjesmarrje të shtuar në votime dhe mesazhet që lihen si 'gur i fundit' nga politikanët kryesorë, mesazhe të cilat adresohen zakonisht në ditët e fundit të fushatës elektorale".

Enton Abilekaj, Medienanalytiker in Tirana Albanien

Enton Abilekaj - TV News 24

Për drejtorin e lajmeve në Televizionin News 24, Enton Abilekaj, në pamje të parë krijohet përshtypja se kjo fushatë elektorale është e vakët, pasi sipas tij, mungon ashpersia karakteristike e fushatave të mëparshme. Njerëzit e zhgënjyer duket se predominojnë ndaj militantëve superaktivë.zhgënjimin daj klasës politike që duket qartë, shprehet për DW Enton Abilekaj. 

"Jo vetëm keqqeverisja, jo vetëm varfëria, por edhe mungesa e shpresës në alternativën opozitare ndikon. Megjithëse ndëshkimi ndaj klasës politike në përgjithësi është i madh, zhgënjinimi ndaj qeverisë është shumë i ndjeshëm.
Ndaj sot kemi këtë situatë të tillë, që kutitë e votimit do të bojkotohen nga mungesa e shpresës, por do të depozitojnë edhe zëmërimin popullor. Pjesëmarrja më e ulët dhe vendimi qartësisht opozitar pritet të dalë nga kutitë."