1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Indeksi i barazisë gjinore në Shqipëri shumë i ulët

Shqipëria bashkë me Turqinë dhe Maltën klasifikohen nga rrjeti social "Watchdog Organization" si tre vendet me Indeksin më të ulët të Barazisë Gjinore në Europë.

default

Klasifikimi i sapopublikuar i bashkohet shqetësimit të BE-së për pjesëmarrje të ulët të grave në poste drejtuese në aktivitetin ekonomik dhe hedhjes së idesë për vendosjen me ligj të një kuote njëlloj si për pjesëmarrjen e gruas në politikë.

Indeksi i Barazisë Gjinore, 2012 nga Organizata ndërkombëtare Watchdog, një rrrjet social ndërkombëtar që lufton për zhdukjen e të gjitha formave të diskriminimit, ka marrë në analizë 154 vende të botës lidhur me aksesin e gruas në arsimim, ekonomi dhe në politikë. Në bazë të treguesve në këto tri fusha, Shqipëria rezulton të ketë një indeks prej 55 pikësh të barazisë gjinore. Para Shqipërisë është Malta me 63 pikë dhe pas saj është Turqia me 45 pikë, por që të tre këto vende bëjnë pjesë në të njëjtin grup: Vende në Europë me një nivel "shumë të ulët të barazisë gjinore". Kjo sepse indeksi i nivelit "të ulët" të barazisë gjinore në Europë është 73 pikë. Ndërsa pjesëmarrja e gruas në ekonomi dhe politikë për Shqipërinë klasifikohet me 13 pikë ose në nivelin " kritik". I vetmi klasifikim "i pranueshëm" për Shqipërinë është aksesi i grave dhe i vajzave në arsimim. Me të tillë tregues Shqipëria zë vendin e 111-të ndër 154 vendet e analizuara nga "Watchdog Organization" dhe është në të njëjtin nivel me Bangladeshin, Kamboxhian, Libanin dhe Zimbaven. Me këtë pozicion Shqipëria është mjaft larg nga Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Mongolia, që kryesojnë me indeksin më të lartë të barazisë gjinore.

Ligjislacion i standardeve europiane vetëm në letër

Klasifikimi i Shqipërisë si një nga tre vendet me nivelin më të ulët të barazisë gjinore në Europë tregon se arritjet në arsimim janë ende larg të qenit në nivelin, që të ndikojnë në përmirësimin e aksesit të gruas në pozicione drejtuese në ekonomi dhe në politikë në mënyrë të barabartë me burrat. Në legjislacionin e Shqipërisë ka një ligj të standarteve europianeve "Për barazinë gjinore", por realiteti i sapozbuluar nga "Watchdog Organization" tregon se ky ligj ka mbetur në letër. Edhe pse qeveria e Tiranës e vlerëson barazinë gjinore si një nga mundësitë më të mëdha për zhvillimin e shoqërisë. "Në barazinë gjinore qëndrojnë potencialet më të mëdha të shoqërisë. Do të bëjmë gjithçka që gratë dhe vajzat të shpalosin të gjitha potencialet e tyre te inisiativës së lirë, potencialet krijuese. Do të bëjmë gjithçka që me përparësi të mbështesim karierën e tyre. Në të gjithë procesin e kualifikimeve do t'u japim përparësi grave dhe vajzave", ka premtuar kryeministri Sali Berisha.

Por indeksi i barazisë gjinore 2012 tregon se në Shqipëri këto potenciale kanë mbetur deri më tani të pashfrytëzuara. Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive e Aleancës Gjinore për Zhvilim, një nga organizatat më aktive dhe të njohura të shoqërisë civile me seli në Tiranë, thotë për DW: "Në Shqipëri ka një pjesëmarrje shumë të ulët të gruas në pozicione drejtuese në ekonomi, pa folur këtu për përfaqësimin e tyre të ulët në politikë. Gratë kanë paga më të ulta se burrat për të njëjtën punë, ndërkohë që një përqindje e konsiderueshme janë të punësuara në punë të parregullta."

Një studim i sapobotuar nga Aleanca Gjinore për Zhvilim lidhur me pabarazinë gjinore në pagë vëren se: "pjesëmarrja e burrave në pozicione drejtuese në aktivitetet ekonomike është më e lartë se ajo e grave. Si burrat ashtu edhe gratë kur marrin pjesë në borde drejtuese të aktiviteteve ekonomike përfitojnë në masën 18% të pagës bonuse financiare, por këto bonuse shpërndahen me vlera më të larta tek burrat."

A duhet ligji i kuotës së pjesëmarrjes së gruas në pozicione drejtuese?

Në Shqipëri pozicionet më të paguara, ato drejtuese i mbajnë kryesisht burrat. Pjesëmarrja e ulët e gruas në pozicione drejtuese në ekonomi është shqetësuese edhe për vendet e BE-së. Të dhënat e një raporti të publikuar së fundi nga Komisioni i BE-së treguan se në tre vitet e fundit pjesëmarrja e gruas në të tilla pozicione është rritur në vendet e BE-së me 2% duke arritur në total në 14%. Përjashtim bën vetëm Gjermania, ku kjo rritje është 3 %. Por kjo rritje mbetet ende larg konceptit të barazisë gjinore. Në këto kushte po shihet mundësia e plotësimit të legjislacionit me një ligj që vendos një kuotë për pjesëmarrjen e gruas në pozicione drejtuese në ekonomi. Shqipëria, si një vend aspirant për t'u anëtarësuar në BE ka adaptuar legjislacionin e saj me atë të BE-së. Edhe ligji "Për barazinë gjinore" është sipas modelit europian. "Shqipëria ka adaptuar dhe vazhdon të adaptojë legjislacionin e saj me atë të BE-së. Dhe në këtë kuptim edhe ideja e pasjes së një ligji që cakton një kuotë për pjesemarrjen e gruas në pozicione drejtuese në ekonomi nuk ka pse të mos shihet si një ide pozitive dhe komplementare në përpjekjet për një barazi gjinore reale. Por më shumë se miratim i tij, problem është zbatimi. Shqipëria ka precedentë që ligjet e mira , të standardit europian mbeten për fat të keq në letër. P.sh. ligji "Për barazinë gjinore" nuk i ka ndaluar praktikat diskriminuese në punësim dhe pagë, numrin e pakët të grave deputete. Ndërkohë së ky ligj kërkon plotësimin e kuotës prej 30%, që do të thotë 42 deputete në një Parlament me 140 vende. Pra ajo që i lipset Shqipërisë është jo vetëm miratimi i ligjeve të adaptuara sipas modelit të BE-së, por edhe zbatim i tyre", thotë Arqimandriti.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora