1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Incidente" verbale në paraqitjen e përbashkët Vuçiq-Rama

Vizita historike e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd u shndërrua në një duel verbal mes tij dhe Vuçiqit. Më së shumti mosmarrëveshje kishte rreth çështjes së Kosovës.

Vizita historike e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd u shndërrua në një duel verbal mes tij dhe Vuçiqit. Më së shumti mosmarrëveshje kishte rreth çështjes së Kosovës.

Vizita e shpresuar historike e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd, u shndërrua në një forum shkëmbimi të fjalëve të pakëndshme me homogun e tij serb Aleksandar Vuciq. Për ”beasinë e madhe” të nikoqirit të tij serb Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli - para më shumë se 200 gazetarëve të akredituar për të përcjellur vizitën e parë të një kryeministri shqitpar në Beograd, pas plot 68 vitesh – gjërë e gjatë për çështjen e Kosovës.

“Sa i përket Kosovës, ne kemi dy qëndrime krejtësisht të ndryshme. Por realiteti është që Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm, i njohur prej më shumë se gjysma e vendeve të botës. Ky është një realitet që duhet të respektohet edhe nga Serbia”, theksoi Rama duke shtuar se “pavarësia e Kosovës e ka bërë rajonin e Europës Juglindore më të sigurt. Ndaj edhe njohja e pavarësisë së Kosovës është një çështje sigurie e rajonit, theksoi kryeministri i Shqipërisë.

Reagimi i ashpër i Vuciqit

Në shenjë proteste Aleksandar Vuçiq hoqi kufjet me përkthim nga gjuha shqipe në serbisht dhe nuk dëgjoi përkthimin e fjalëve të Ramës për mbështetjen e Tiranës zyrtare të dialogut mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, për mundësitë e bashkëpunimit të këtyre dy vendeve duke shkëmbyer të rinjtë, idetë, eksperiencat dhe për nevojën e hapjes së niveleve të ndryshme të komunikimit. Vuçiq nuk dëgjonte përkthimin as në momentin kur Rama para gazetarëve tha se Vuçiq është i ftuar që vitin e ardhshëm të vizitojë Tiranën (ndonëse nuk është caktuar ndonjë temrin i saktë). Kryeministri serb memzi priti të marrë fjalën, pas një pyetje të gazetarëve.

“Nuk kam pritur që zoti Rama të flas për Kosovën dhe Metohinë, sepse për këtë çështje nuk është biseduar. Unë e kam për detyrë të mbroj interesat e Sebisë dhe askujt nuk do t'i lejoj ta përulë Serbinë”, tha Vuciq dhe nënvizoi: “Kosova dhe Metohia janë pjesë e Republikës së Serbisë, dhe mua më vjen keq që zoti Rama foli për çështjen e Kosovës, sepse ne s'kemi pse të flasim me Shqipërinë për këtë çështje”.

Rama: qëndrimet janë të ndryshme, por Kosova është e pavarur

Qëndrimet e kryeminstrit Rama për Kosovën Aleksanar Vuçiq i quajti “incident”. “Megjithë këtë incident, ne do të vazhdojmë këtë vizitë”, theksoi kryeministri serb. Këtyre pohimeve menjëherë iu përgjigj edhe kreu i qeverisë shqitpare. “Sa i përket Kosovës: realiteti mbetet një dhe ie pandryshueshëm se Kosova është vend i pavarur, i njohur prej më shumë se gjysmës së vendeve të botës”, theksoi Rama duke shtuar se “të vërtetën duhet t'ia themi njëri-tjetrit në sy”.

Marrëveshjen nën hijen e kundërshtimeve

Nën hijen e shkëmbimit të fjalëve kundërthënëse rreth Kosovës Rama foli edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se ata “duhet të jenë urë lidhëse mes vendeve tona”. Të njëjtat qëndrime kishte dhe Vuçiq, i cili tha se minoriteti shqiptar në Serbi dhe ai serb në Shqipëri duhet të jenë urë lidhëse. Kryeministrat ishin dakord edhe sa i përket nevojës për shtimin e shkëmbimit tregtar (shkëmbimi mes dy vendeve aktualisht arrinë vlerën prej rreth 100 milionë euro), udhëtimit vetëm me letërnjoftime, shkëmbimit të përvojave dhe para së gjithash, projekteve të përbashkëta që duhet të ndertohen me paratë e Bashkimit Evropian.

Në reagimet e para pas konferencës së përbashkët të gazetarëve, delegacionet e të dyja palëve ishin të befasuara më kahjen e paraqitjes para gazetarëve. Ata kanë pritur një takim të rëndë, por jo edhe kaq shumë mosmarrëveshje të hapura.

Vizita e Ramës vazhdon me një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike dhe Fondi për Shoqëri të Hapur, ku ai do të mbajë një fjalim. Ndërsa në ditën e dytë delegacioni i Shqipërisë, në të cilin janë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe shumë afaristë nga Shqipëria, të marten do të vizitojë edhe Luginën e Preshevës.

Pas debatit të sotëm para gazetarëve mes kryeministrave pritet që Rama të jetë i qartë edhe në Luginën e Preshevës, ku do të pritet nga qytetarët dhe krerët e bashkisë në Preshevë.