1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Incidente në Veri të Kosovës

Në Veri të Kosovës, në katër komunat e banuara me shumicë serbe, nuk ka pasur votime të lira dhe demokratike. Janë shënuar edhe incidente të cilat cënojnë rregullsinë e zgjedhjeve në Veri.

Me rënien e errësirës, në Veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, kanë filluar edhe incidentet e dhunshme. Incidenti i parë ka ndodhur në shkollën „Sveti Sava“, në Veri të Mitrovicës. Një grup i personave të maskuar është futur në qendër të vendvotimit dhe ka hedhur gaz lotsjellës. Të gjithë vëzhguesit e OSBE-së dhe komisionerët për shkaqe sigurie janë larguar me shpejtësi nga vendvotimi. Pasoja në njerëz nuk ka pasur. Policia pohon se ka siguruar një pjesë të votave, por një pjesë tjetër është dëmtuar. Ky dhe tri vendvtome të tjera në Veri të Mitrovicës janë mbyllur, ndaj nuk mund të flitet për zgjedhje të rregullta.

Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vuciq ka kërkuar që t'i lejohet policisë serbe të ndërhyjë në Veri me shpjegimin se „do t'i zgjidhin problemet brenda 45 minutash“. Por ministri i Brenshëm i Kosovës Bajram Rexhepi e ka përjashtuar një mundësi të tillë, me shpjegimin se këto kërkesa janë plotësisht të papranueshme. Analistët në Prishtinë i quajnë këto deklarata të Beogradit si „provokim i hapur“.

Incidente edhe në Zvecan dhe Zubin Potok

Për incidente të dhunshme është raportuar edhe nga Zvecani dhe Zubin Potoku, poashtu në Veri të Kosovës. Në këto dy komuna janë sulmuar edhe fizikisht vëzhguesit e OSBE-së dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët janë larguar na vendvotimet. Bëhet e ditur se në këto vendvotime janë dëmtuar edhe kutitë me vota. Komisioni Qendror Zgjedhor është mbledhur menjëherë për të analizuar gjendjen në Veri, por vëzhguesit thonë se në këto qendra votimesh nuk mund të flitet për një votim të rregullt. Në Zubin Potok dhe në Zvecan edhe pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më e ulët se në Veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës siguron territorin para shkollës Sveti Sava

Policia e Kosovës siguron territorin para shkollës "Sveti Sava"

Gjendje e tendosur edhe gjatë ditës

Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë flasin për një atmosferë shumë të tendosur në katër komunat e Veriut edhe gjatë ditës, para rënies se errësirës. Grupe të ndryshme civilësh serbë kanë penguar votuesit që të votojnë. Aa i kanë frikësuar, fotografuar dhe kërcënuar personat që kanë dashur të votojnë.

Në afërsi të vendvotimeve në Veri ka pasur forca të mëdha të Policisë së Kosovës, por jo edhe policë të Eulexit apo pjesëtarë të KFOR-it - të paktën nuk ka pasur persona të uniformuar ndërkombëtarë. Vëzhguesi Naim Rashiti, pohon se gjendja do të ishte më e mirë, sikur atje të kishte edhe policë ndërkombëtare dhe përfaqësues të KFOR-it. Pas mbylljes së këtyre vendvotimeve, Policisë së Kosovës i kanë ardhur në ndihmë edhe forcat ndërkombëtare. Por gjendja në Veri mbetet e tensionuar.

Pjesëmarrja në votime

Deri në ora 17:00, kur ndodhën incidentet e para serioze, në Veri të Mitrovicës, të drejtën e votës në Veri të Mitrovicës e kanë shfrytëuar më shumë qytetarë se sa që është parashikuar në sondazhe. Votuesit kanë ardhur në mënyrë të organizuar me dhjetëra autobusë edhe nga Serbia. Autoritetet e Beogradit u kanë bërë thirrje zgjedhësve serbë që të shfrytëzojnë të drejtën e votimit dhe t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Ndërsa një nga udhëheqësit e serbëve në Veri, Krstimir Pantiq tha se „serbët duhet të votojnë, sepse ndryshe mund të ndodhë që shqiptarët ta marrin pushtetin edhe në këtë pjesë të Kosovës“. Megjithatë analistët thonë se „mbetet plotësisht e hapur nëse zgjedhjet në Veri do të shpallet si të rregullta apo të dështuara“.

Votimet në komunat e tjera të banuara me shumicë serbe

Për dallim prej pjesës veriore, në të gjitha komunat e tjera të banuara me shumicë serbe, është shënuar një pjesëmarrje shumë e lartë (për kushtet e Kosovës) në zgjedhje. Në këto komuna kanë votuar më shumë qytetarë me të drejtë vote, se sa në shumicën e komunave të banuara me shumicë shqiptare.