1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Incidente në prag të festimit të ribashkimit të Gjermanisë

3 Tetor 2016

Pak para festimit qendror të përvjetorit të ribashkimit të Gjermanisë, në Dresden po mbretëron gjendje e tendosur. Gjatë natës janë djegur makina të policisë, ndërsa atmosfera nuk është e mirë.

https://p.dw.com/p/2Qode
Deutschland Dresden Polizeifahrzeuge angezündet
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Halkasch

Në prag të manifestimit qendror të festimit të përvjetorit të 26 të ribashkimit të Gjermanisë (3. tetor), persona të panjohur ua kanë vënë flakën tri makinave të policisë. Makinat kanë qenë të parkuara në një parking në veri të qytetit, në pjesën Dresden-Neustadt. Të plagosur nuk ka pasur, kumtoi policia. Por besohet se kjo zjarrvënie ka pasur një sfond politik dhe ka lidhje me manifestimin qendror, i cili mbahet sot (3. tetor) në Dresden, sepse në afërsi të vendit të sulmit janë shkruar grafite: "I gjithë Dresdeni urrenë policinë". Një 20-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për këto sulme, thuhet.

Masa të jashtëzakonshme sigurie në prag të festës

Deutschland Dresden Vorbereitungen Feierlichkeiten Tag der Deutschen Einheit
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Kahnert

Në prag të festës policia ka ndërmarrë masa të mëdha sigurie dhe ka angazhuar rreth 2.600 policë për këto ceremoni. Rreth hapsirës ku do të mbahet manifestimi qendror në qendër të qytetit janë vënë blloka betoni, për të evituar sulmet e mundshme, të ngjashme me ato që kanë ndodhur në Niza të Francës. Sepse në festimin qendror priten mysafirë të nivelit të lartë, siç janë Presidenti Joachim Gauck, Kancelarja Angela Merkel dhe kryetari i Parlamentit Norbert Lammert. Festa do të mbahet nën masa të jashtëzakonshme sigurie, sepse një javë më parë në Dresden ka pasur dy shpërthime, ndërsa disa ditë më vonë është gjetur mbi një urë një lëndë shpërthyese.

Shpërthimet kanë ndodhur para një xhamie dhe në Qendrën e Kongreseve. Të plagosur nuk ka pasur. Motivet janë të panjohura, por nuk përjashtohet mundësia e sulmeve me sfond armiqësor ndaj të huajve.

Incident para bashkisë në Dresden

Deutschland | Bürgerfest zum Tag der Deutschen Einheit in Dresden
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Kahnert

Gjatë një pritje të organizuar nga bashkësia islame në Dresden, kryetari i bashkisë Dirk Hilbert është fyer dhe është sulmuar nga anëtarët e lëvizjes Pegida. Hilbert është sulmuar me fjalët "Ik, largohu" dhe "tradhëtar". Para godinës së bashkisë kanë protestuar shumë njerëz edhe kundër veshjeve të grave të besimit islam. Ka pasur edhe incidente me rastin e arrestimit të një personi.

Manifestimet festive me rastin e ditës së ribashkimit të Gjermanisë kanë filluar në Dresden të shtunën, në pjesën e vjetër të qytetit. Këtë të dielë në Landtag (Parlamenti i landit) janë hapur dyert për qytetarët e interesuar për vizitë, ndërsa në mbrëmje ka pasur manifestime të tjera.

Kundërprotestat

Por ka pasur disa tubime edhe kundër festimeve. Rruga e demonstruesve ka kaluar megjithatë më larg nga njerëzit që janë mbledhur në festime. Të hënën do të ketë një demonstratë tjetër - si çdo të hënë në dy vitet e fundit. Por as të ashtuquajturit patriotë evropianë nuk do të mungojnë. Protesta e Pegidës është lejuar, por larg qendrës së qytetit ku do të jenë edhe krerët e Gjermanisë.