1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Inagurohet gazsjellësi Greqi - Turqi

Shndërrimi i Ballkanit në nyje energjitike Lindje-Perëndim ka kaluar tashmë fazën e promovimit të projekteve apo nënshkrimit të marrëveshjeve dhe ka hyrë në atë të materializimit të tyre.

Gazsjellësi Rryma blu që sjell gaz nga Rusia në Turqi dhe Itali

Gazsjellësi "Rryma blu" që sjell gaz nga Rusia në Turqi dhe Itali

Të djelën, më 18 nëntor në zonën e Evros, në kufirin greko-turk, kryeministrat e dy vendeve fqinj Kostas Karamanlis dhe Tajip Erdoan inaguruan një gazsjellës të ri që mundëson transportimin e 3 miliardë metrave kub gazi natyror të zonës së Kaspikut drejt tregjeve të perendimit. “Momenti i tanishëm i vënies në funksionim të gazsjellësit greko-turk është dhe momenti më i përshtatshëm për të falenderuar Bashkimin Evropian,” tha Karamanlis duke nënvizuar faktin e përfshirjes së tij në 5 rrjetet kryesore prioritare të furnizimit me energji të Evropës Qendrore. Karamanlis theksoi gjithashtu rendësinë e energjisë së gazsjellësit “jo vetëm për zhvillimin por edhe për forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy fqinjëve”.

Burim i sigurt furnizimi

“Me bashkimin e gazsjellsave dhe transportimin e gazit përmes tyre u shtua një tjetër hallkë në miqësinë greko-turke,” tha nga ana e tij edhe kryeministri Erdoan, i cili e quajti “një burim të sigurt furnizimi të perëndimit me burimet e pasura energjitike të Kaukazit dhe Kaspikut” dhe jo pa qëllim e cilësoi si vëllazëror bashkëpunimin e Azerbaxhanit presidenti i të cilit, Ilham Aliaj, ishte i pranishëm në ceremoninë e inagurimit. Kuptimplote ishte edhe prezenca e ministrit amerikan të Energjisë, Samuel Bodman kur amerikanët kërkojnë diversitetin e burimeve të energjisë dhe mosvartësinë evropianeve nga monopoli rus.

Edhe Shqipëria përfiton

Gazsjellësi Greqi-Turqi, ose Interconnector Greece-Turkey, siç emërtohet ndryshe, është pjesë e një projekti më të gjerë, atij Turqi-Greqi-Itali, që do të jetë gati në vitin 2012 dhe do të mund të transportojë në brigjet italiane përmes Kanalit të Otrantos 11 miliardë metra kub gaz të zonës së Kaspikut. Një degëzim i tij në zonën e Tesprotisë parashikohet, që të furnizojë me gaz Shqipërinë. Segmenti i parë i tij i inaguruar sot është 285 km i gjatë, prej të cilave vetëm 85 në territorin grek, dhe për dy vitet e ardhshme do të mund të transportojë vetëm nga 750 milionë metra kub, aq sa është sasia e gazit të disponueshëm nga firma turke Botas. Mbetet pra problem i madh furnizimi i gazsjellësit deri në kompletimin e burimit të madh të Shah Deniz të Azerbaxhanit në vitin 2012.

Gazsjellësi rrit rëndësinë gjeostrategjike të dy vendeve fqinj në kuadrin e një loje më të gjerë për energjinë, ku protagonistëve ballkanas u duhet të ruajnë ekuilibra të hollë midis aktorëve kryesorë, rusëve edhe amerikanëve. Këtij ekuilibri do t'i sherbëjë edhe vizita e programuar e kryeministrit grek Karamanlis më 18 dhjetor në Moskë.

  • Data 19.11.2007
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CIfe
  • Data 19.11.2007
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CIfe