1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Impulse të reja për tregun e librit

Petra Lambeck/Angelina Verbica10 Tetor 2013

Në Frankfurt mblidhen sërish botuesit nga e gjithë bota për të negociuar, për të lidhur kontakte dhe për të diskutuar. Një temë e rëndësishme: e ardhmja e tregut të librit, idetë janë të shumta.

https://p.dw.com/p/19xJ8
Fotografi: Frankfurter Buchmesse/Fernando Baptista

“Dega lulëzon, ajo vibron!" Me këto fjalë euforike drejtori i panairit të librit Jürgen Boos hapi edicionin e sivjetëm të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt. Ai iu referua kompanive të shumta të reja, që duan të prezantohen në panair. "Ka aq shumë ide të reja për shpërndarjen e librit, edhe në bërjen e librave, autorë të rinj me tema dhe formate të reja, të gjitha tregojnë se në këtë degë ka zhvillime", thotë Boos në një konferencë shtypi në shtator. Panairi i Librit në Frankfurt konsiderohet si më i madhi i këtij lloji në botë. Këtë vit priten rreth 7100 ekspozues nga 100 vende.

Sektori i librit është në gjendje të mirë

Për një "frymë optimizmi" flet edhe Alexander Skipis, shefi ekzekutiv i shoqatës së tregtimit të librit gjerman. Situata e kësaj dege shpesh paraqitet më e zymtë në media nga sa është në realitet. "Ne kemi patur nëntë vjet vetëm rritje në këtë degë, me përjashtim të dy viteve të fundit, ku kemi pasur një rënie nga 0,8 dhe 1,4 për qind. Me fjalë të tjera kërkesa për librin, interesi i njerëzve për të lexuar vazhdon të jetë i madh."

Megjithatë sigurisht ka sfida, me të cilat duhet të përballen tregtarët e librit. Libraritë, për shembull, janë në një proces të madh ndryshimi. Konkurrenca e e atyre, që shesin vetëm online, është e madhe. Se kush do të ketë sukses në të ardhmen, vendoset në vlerën e shtuar, që mund të ofrojnë librashitësit në nivel lokal, thotë Skipis. Një pikë e rëndësishme këtu është një kufi çmimi i librave në Gjermani, që do të jetë objekt i diskutimeve në panelet e panairit. Shoqata e librashitësve mendon se ai duhet respektuar sidomos duke patur parasysh marrëveshjen e propozuar të tregtisë së lirë mes Evropës dhe SHBA. Vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet diversiteti i kulturës letrare gjermane.

Porträt Geschäftsführer Börsenverein des Deutschen Buchhandels Alexander Skipis
Alexander SkipisFotografi: picture-alliance/dpa

Pikë takimi dhe tregtimi

Përveç shumë aktiviteve dhe diskutimeve mbi zhvillimin e tregut dhe të produkteve, në panair bëhet fjalë natyrisht për librat dhe letërsinë. Panairi i Librit në Frankfurt konsiderohet si panair i licencimit. Më shumë se 600 agjentë letrarë nga e gjithë bota takohen në Frankfurt për të negociuar për të drejtat e autorëve, librat, përkthimet, apo të tjera. Për Riky Stock, drejtore e zyrës së librit gjerman në Nju Jork, qendra e konsulentëve është "motori i Panairit të Librit."

Për librarët nga ana tjetër panairi është një vend takimi, për të lidhur dhe për të mbajtur kontaktet. Michael Lemling, menaxher i librarisë Lehmkuhl nga Mynihu, për shembull, takohet në Frankfurt me botuesit për të bërë planet për vitin e ardhshëm. "Ne jemi një librari, që organizon shumë lexime, kështu që është e mirë për të ditur se cilat libra do të dalin vitin e ardhshëm dhe se cilët autorë shkojnë në turne leximesh."

Frankfurter Buchmesse 2008
Panairi në FrankfurtFotografi: Frankfurter Buchmesse/Peter Hirth

Në Frankfurt priten edhe rreth 1.500 autorë, duke përfshirë edhe emra të shquar si Martin Walser, Daniel Kehlmann, Terézia Mora, Leon De Winter. "Dëshira për kontakt, për një shkëmbim të drejtpërdrejtë mbi letërsinë bëhet gjithmonë e më e madhe," thotë zëdhënësja e panairit të librit Katja Boehne. Kjo pasqyrohet edhe në programin gjithnjë e më të gjerë të panairit. Këtë vit janë në plan 3600 aktivitete, rreth 150 më shumë se vitin e kaluar. Duke përfshirë formatet ende klasike të tilla si lexime, orët e siglimit të librit dhe panele diskutimesh, si dhe dhënie ämimesh të ndryshme. Ndër të tjera çmimi gjerman i librit, i cili jepet çdo vit para fillimit të panairit, dhe çmimi i paqes i rrjetit të tregtimit gjerman të librit në mbyllje të panairit. Vitin e kaluar atë e mori shkrimtari kinez Liao Yiwu, këtë vit ai i jepet bjellorues Svetlana Aleksieviä.

I ftuar nderi Brazili

Vëmendje e veçantë u kushtohet këtë vit autorëve brazilianë. Nën moton "Brazili - një vend plot zëra" ky vend paraqitet për herë të dytë si i ftuar nderi në Panairin e Librit të Frankfurtit. Programi për të ftuarin e nderit ekziston prej gati dyzet vjetësh. Qëllimi është ndër të tjera për ta bërë letërsinë e vendit të ftuar të njohur në botë dhe për të rritur numrin e përkthimeve. Përveç prezantimeve të librave të shumtë dhe leximeve ka edhe një program të gjerë kulturor, duke përfshirë ekspozita arti, koncerte, valle dhe shfaqje dhe sigurisht pavionin e madh të të ftuarit të nderit në kompleksin e panairit.

Graffiti Deutsche Bank Frankfurt am Main
Grafika braziliane në bankën gjermane në FrankfurtFotografi: imago stock&people