1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Finanzmarkt Reform

21 Maj 2010

Në një konferencë me pjesëmarrje të nivelit të lartë në Berlin të enjten diskutuan politikanë financash nga e gjithë bota, me shkencëtarë të ekonomisë dhe bankierë për rregulla më të ashpra në tregjet financiare.

https://p.dw.com/p/NTlT

Si mund të zbutet monstra me emrin treg financiar? Si mund të pengohet mospërsëritja e një krize të tillë gjigante, si po e përjeton bota atë që prej dy vjetësh? Kërkesa e përgjigjeve të duhura nga ana e politikës të kujton në mënyrë fatale përpjekjet për shpëtimin e klimës botërore: të gjithë janë të të njëjtit mendim, se diçka duhet të ndodhë. Por kur diskutimet konkretizohen, askush nuk ka dëshirë të fillojë i pari..

Deutsche Welle Wirtschaft Henrik Böhme
Henrik BöhmeFotografi: DW

Politika duhet të vendosë kufij

Në këtë situatë kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkon me këmbëngulje nga shtetet e G-20-ës të veprojnë të bashkuara për taksën për bankat. Dhe i drejtohet për këtë mënyrë konkrete Kanadasë, mikpritësit të takimit të ardhshëm të nivelit të lartë, që refuzon ta mbështesë këtë. Reagimi i përfaqësuesit të Kanadasë nuk vonoi: jo, një zgjidhje të tillë të njësuar nuk do të ketë në Toronto. Në fund të fundit, bankat e vendit të tij nuk u prekën nga kriza dhe as nuk u desh të shpëtohen me para të shtetit.

Këto egoizma nacionale, sado të kuptueshme që të jenë, nuk përshtaten si duhet në kohën e sotme. Tregjet financiare nuk njohin më kufij dhe oqeane. Por politika i njeh. Dhe për aq kohë sa gjendja të jetë e tillë, nuk do të ketë një rregullim të arsyeshëm të tregjeve financiare. Kuptohet, kemi të bëjmë me një fushë tepër të komplikuar, që duhet të përpunohet. Por pasojat duhet të jenë të qarta për të gjithë, nëse nuk arrihet zbutja e tregjeve financiare. Në fillim qe e nevojshme të shpëtohen bankat. Për këtë shpëtuesit qenë të detyruar të mblidhnin para, të cilat nuk i kishin. Tani duhet të shpëtohen të shpëtuarit - me një fjalë shtete të veçanta. Dhe me 750 miliardë eurot duhet të garantohet madje një hapësirë e tërë monetare. Vetëm sa për kujtesë: për ta vënë nën kontroll krizën në Azi në vitin 1997 mjaftuan 10 miliardë dollarë.

Fondet Hedge të kësaj bote i kanë shtrënguar prej kohësh radhët e tyre. Aktualisht ata janë kundërshtarët e preferuar të politikës. Kjo lë përshtypje të mirë te populli, që jep vota. Vetëm se: nuk mjafton. Pse të mos veprojmë me konsekuencë dhe t'ua ndalojmë bankave tregtinë me llogari të tyre- të ashtuquajturën tregti me pakicë? E t'i kthejmë ato në detyrën e tyre primare, shërbyese, që të jenë në shërbim të klientëve?

Ka shumë gjëra, që janë vënë në lojë. Bëhet fjalë as më shumë dhe as më pak për pranimin e sistemit të quajtur ekonomi tregu. Sepse njerëzit do ta humbasin dikur besimin te sistemi, po t'u kërkohet vazhdimisht të tundin paratë, për të paguar dëme, të cilat nuk i kanë shkaktuar ata vetë.

Autor: Henrik Bëhme

Redaktoi: Angjelina Verbica