1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

'Importi' i votave të diasporës

Më 24 mars në Maqedoni zhvillohen zgjedhjet lokale. Mijëra votues do të 'importohen' nga diaspora, gjë që mund të shkaktojë tensione, nëse vërtetohet që udhëtimi i tyre është paguar nga ndonjë forcë politike.

Zgjedhjet lokale janë cilësuar si një test vendimtar për raportin e Komisionit Evropian mbi me datën e negociatave të anëtarësit në BE të Maqedonisë. Sipas zv.kryemnistrit Musa Xhaferri (BDI) tensionet ndëretnike kanë rënë dhe tashmë është gjithçka gati për një votim të qetë brenda standarteve. „Është fakt që në fillim ka pasur një tendencë për incidente, por kjo ka të bëjë me përplasjet mes kulturave, feve, mes grupeve të interesave. Po ashtu është urdhër që për këdo që prish rregullat, do të ndëshkohet edhe politikisht, edhe juridikisht dhe besoj se do të jenë të gjithë të vetëdijshëm që pas votimeve, qytetarët të pranojnë rezultatin“, thotë Xhaferri për DW.

‚Importi' i diasporës

Sipas Abdurrahman Halitit, ish-lideri Partise për Demokraci dhe Prosperitet (PDP), homogjenizmi i bazës etnike nuk është i mirë, sepse nuk zgjidh problemet, por krijon të reja. „Ky debat është shumë i vjetër, anakronik. I kujt do të jetë kryetari? I yti apo i imi? Për mua është shumë e rëndësishme të kesh një kryetar të mirë e nuk ka rëndësi prejardhja e tij etnike. Nuk e pranoj logjikën: “Ai është i keq, por është i imi. E çfarë pastaj se është i ‘imi'? Nuk e pranoj logjikën që ne do të humbim Kërçovën. Pse do e humbim? Ku do të shkojë? Do të zhduket?”, pyet Haliti

Ai nuk beson  tek kthimi i diasporës për të votuar, sepse mendon se ndjeshmëria publike është në rënie dhe nuk ka një entuziazëm për të votuar siç ishte në vitet 90'. Por të dhënat nga aeroportet maqedonase janë duke dhënë informacione kontradiktore, sepse këtë fundjavë priten 17 avionë vetëm nga Zvicra. Përveç tre avionëve normalë të shtunën në Ohër do të ulen 6 të tjerë. E njëtja gjë do të ndodhë edhe ditën e votimit, përveç tre avionëve normalë do të ketë edhe 6 fluturime të tjera. 

Shefi i ODHIR, Geert Ahrens, në lidhje me këtë çëshjte ka kontakuar me kreun e BDI, Ali Ahmeti. “Ai më siguroi se ata njerëz i kanë paguar personalisht biletat e udhëtimit, por nëse ka një vërtetim se kanë marrë para nga BDI-ja do ta vendosim në raport. Pa një provë nuk mund ta vendosim në raport”, thekson Ahrens.

Koalicioni i dyshimtë

Tema që ka shkaktuar mjaft debat është edhe koalicioni në komunat e Strugës dhe Kërçovës mes partisë në pushtet VMRO-DMPNE dhe partisë opozitare SDMS. Të dyja këto parti nuk kanë dashur të komentojnë për mikro-koalicionin e tyre me shpjegimin se kanë një obligim vetëm për nevojat e elektoratit.

Ljubço Georgievski, nga partia opozitare VMRO NP, që është pjesë e koalicionit Bashkimit për të Ardhmen, nuk do ta komentojë marrëveshjen, por mendon se tani janë duke dominuar metodat e vjetra të rritjes së tensioneve ndëretnike vetëm për të patur sa më shumë vota.

“Ne e pamë këtë nga partitë qeveritare në çështjen e Kalasë së Ohrit, në çështjen me Enciklopedinë maqedonase dhe me ligjin për veteranët e luftës. Është paradoks të besohet që partnerët e koalicionit qeverisës janë duke u konfrontuar. Nëse ata nuk bien dakort, ata duhet të prishin koalicionin. Ky është një skenar tjetër i përgatitur, ku partitë qeveritare duhet të rrisin votat e tyre, duke u sjelle si patriotë. Unë shpresoj se këto skenarë nuk do të çojnë në incidente serioze etnike”, thotë Georgievski.

Autor: Katerina Blazhevska/Amarildo Topi

Redaktoi: Auron Dodi