1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Implementimi (nuk) e ndryshon marrëveshjen

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë udhëtuar për në Bruksel për të biseduar lidhur me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës.

Për të arritur një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët lidhur me veriun e Kosovës janë dashur gjashtë muaj negociata maratonike mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Por vlerësimet e disa qarqeve se nënshkrimi i marrëveshjes është vetëm një pjesë e zgjidhjes, u dëshmuan në takimin e parë për implementimin e marrëveshjes prej 15 pikësh. Takimi dyditor, me ndërmjetësimin e drejtorit të shërbimit diplomatik të BE-së për Ballkanin Fernando Gjentilini (i mbajtur me 26.04.) nuk solli ndonjë marrëveshje për implementimin e dokumentit. Pala kosovare e kryesuar nga zv/kryeministri Hajredin Kuçi e ka pranuar planin e propozuar nga autoritetet e BE-së për zbatimin e marrëveshjes. Ajo akuzoi Beogradin për "zhagitjen e implementimit të marrëveshjes".

Në foto, Hajredin Kuçi

Në foto, Hajredin Kuçi

„Disa çështje janë definuar se kur duhet të mbahen, si për shembull, zgjedhjet e lira në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat duhet të mbahen kur të mbahen edhe zgjedhjet lokale në mbarë vendin. Por sa i përket çështjeve të tjera, për këto duhet të vendosin të dy kryeministrat (Thaçi dhe Daçiq) si dhe përfaqësuesja e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Chaterine Ashton. Kryeministri i Kosovës është i gatshëm të udhëtojë për në Bruksel dhe të nënshkruajë planin kohor për zbatimin e dokumentit“, deklaroi Kuçi.

Autoritetet evropiane kërkojnë zbatimin e marrëveshjes

Autoritetet e Beogradit thonë se plani për implementimin është në dëm të palës serbe, me shpjegimin se pala kosovare po përpiqet që në këtë plan të fus edhe gjëra që nuk janë pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel. Sipas tyre, implementimi do të dëshmojë nëse marrëveshja do të çojë deri tek autonomia e vërtetë e serbëve në Kosovë. Ndërkohë që autoritetet evropiane thonë se "implementimi është çelësi" i të gjitha gjërave. Disa vende anëtare të BE-së presin që implementimi të bëhet para se të mirret vendimi i qershorit për afrimin e Serbisë dhe Kosovës me BE-në. Edhe sekretari i përgjithshëm i NATOS, Anders Fog Rasmussen u ka bërë thirrje palëve që të zbatojnë sa më shpejt marrëveshjen duke shtuar se "kjo do të përmirësonte gjendjen në terren". „NATO e ka pranuar që të mbështesë zbatimin e marrëveshjes dhe ne do të bëjmë të gjitha gjërat e domosdoshme për të ndihmuar këtë proces", kumtoi ai.

A mund të zbatohet marrëveshja pa pëlqimin e serbëve në veri?

Pamje simbolike - një serb duke votuar në Graçanicë

Pamje simbolike - një serb duke votuar në Graçanicë

Ende pa u arritur marrëveshja, qeveria kosovare ka deklaruar se do të zbatojë këtë marrëveshje brenda 90 ditësh dhe se deri në fund të qershorit duhet të shihen rezultatet e para në radhë të parë sa i përket zhbërjes së forcave serbe të sigurisë në veri të Kosovës. Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë deklaruar se marrëveshja nuk është kundër askujt, por serbët e veriut e kanë refuzuar atë. Analistët evropianë paralajmërojnë se pozicionet për zbatimin e marrëveshjes ende "janë plotësisht të paqarta".

„Beogradi mund të heqë organet e atjeshme nga regjistri i rrogave në Minsitrinë e Brendshme dhetë mbyllë gjykatën serbe në veri. Por kur bëhet fjalë për organizimin e zgjedhjeve, kjo nuk mund të bëhet pa marrëveshjen me serbët e atjeshëm“, pohon Marko Prelec, drejtor për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.