1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Implementimi i risive në votimet parlamentare në Shqipëri

Misioni i vëzhguesve vendorë: Nga ana e komisionerëve në qëndrat e votimit jo pak herë është shkelur ligji.

Duke numeruar votat

Risi e këtyre zgjedhjeve ishte numërimi i votave nën vëzhgimin e kamerave digjitale që e bëri shumë më transparent këtë fazë të procesit

Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë aplikuar disa risi. U eliminuan certifikatat për identifikimin e qytetarëve. U krijua një regjistër elektronik për votuesit, i cili eleminoi mjaft dublime emrash dhe gabime në shkrimin e tyre. Dhe ajo që ishte më e rëndësishme, ishte monitorimi me sistem digjital kamerash të aktit të numërimit të votave në 66 qendrat përkatëse në të gjithë vendin.

Identifikimi i votuesve me karta identeti ose me pasaportë ishte një nga detyrimet e kodit të ri elektoral, që u konsiderua si një faktor pozitiv të zhvillimit të zgjedhjeve. Duke shmangur kështu kontestimet qe kemi parë në votimet e kaluara, kur me certifikatat me ose pa fotografi, abuzohej duke hedhur votë më shumë se një herë.

Këtë aspekt e ka vlerësuar dhe misioni i vëzhguesve vendorë që angazhoi për zgjedhjet parlamentare në terren rreth pesë mijë aktivistë. Njëra prej drejtuesve të misionit, Gerta Meta, thotë për DW-në se në një kohë kur qytetarët e plotësuan këtë kusht, nga ana e komisionerëve në qëndrat e votimit jo pak herë është shkelur ligji. Ata, sipas saj, nuk evidentonin numrin serial të çdo letërnjoftimi dhe karte identiteti çka është shkelje e kodit elektoral.

"Kemi konstatuar raste p.sh. në Ersekë. Nga 57 kuti votimi që kishte në atë zonë, njera prej tyre u shpall e pavlefshme pasi nuk ishin protokolluar numrat e këtyre dokumentave, raste ka pasur dhe në Fier, Bushat etj. Por ka pasur dhe evidenca të tjera. Veçanërisht me ata votues në moshë të thyer, të cilët kanë paraqitur pasaporta të skaduara. Por meqë ata i njohin në komunitet, meqë janë në moshë të thyer i kanë toleruar që të votojnë në mënyrë të kundërligjshme".

Sipas Gerta Metës me përfundimin e procesit të pajisjes së të gjithë shtetasve me karta identiteti në zgjedhjet e ardhshme ky problem do të konsiderohet si i tejkaluar. Objekt tjetër i punës së misionit të vëzhguesve vendorë ka qënë dhe përmbajtja e listave të votuesve. Ata kanë vërejtur një përmirësim të dukshëm të tyre. Kjo në bazë edhe të hartimit të regjistrit kombëtar në mënyrë elektronike. Por megjithatë, sipas Gerta Metës u raportuan nga qytetarët dhe probleme. Më i dukshmi ishte një lloj ndarje në lista të anëtarëve të një familjeje. "Ata nuk ishin të gjithë në një listë, por ishin të ndarë në disa prej tyre. Pra duhej të votonin në qendra të ndara. P.sh. kishte raste kur anëtarë të familjes ishin në minibashkinë 5 në Tiranë, kurse pjesa tjetër në minibashkinë 11". Misioni i vëzhguesve vendorë shprehet se u pa dhe një neglizhencë nga qytetarët, të cilët nuk kishin marrë informacion paraprak se ku do të hidhnin votën të dielën e kaluar. Çdo gjë e kishin lënë për minutën e fundit.

Gjithashtu një procedurë risi e këtyre zgjedhjeve parlamentare ishte dhe numërimi i votave nën vëzhgimin e kamerave digjitale që e bëri shumë më transparent këtë fazë të procesit. "Por nga ana teknike në një farë mënyre kjo uli pak ritmin e procesit të numërimit," - thotë Meta, sipas së cilës nga komisionerët nuk u respektua limiti kohor se sa duhej të skanohej nga të dy anët çdo votë që numërohej. "Por kjo nuk e zbeh efektin transparent dhe e vendos në shumë sy njëherësh verdiktin e qytetarëve më 28 qershor," mendon Gerta Meta.

Autor: Arben Muka
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 02.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IfhY
  • Data 02.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IfhY