1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Impianti bërthamor më problematik në Evropë"

Mbas publikimit të një raporti për depon e plehrave atomike në Asse të Saksonisë së Poshtme qeveria gjermane vendosi ta ndryshojë shfrytëzuesin e impiantit që deri tani e ka fshehur të vërtetën

default

Zonë e kontaminuar në Asse

"Ka qenë një gabim katastrofik vendimi për të depozituar aty mbeturinat me radioaktivitet. Ky gabim na vë përballë sfidave të mëdha. Asse është kompleksi bërthamor më problematik në Evropë", vë alarmin ministri socialdemokrat Sigmar Gabriel gjatë prezantimit të një hulumtimi të ministrisë së tij.

Kompleksi i Asses në landin e Saksonisë së Poshtme ishte depoja e parë e mbeturinave bërthamore nëntokësore në botë. Afro 126.000 fuçi me lëndë radioaktive janë depozituar aty në 40 vitet e fundit. Në raport thuhet se depoja, e cila më parë ka qenë minierë kripe, nuk është e izoluar dhe se në të rrjedhin lëndë alkalike. "Të paktën dy herë ka patur aksidente. Kur janë lëvizur fuçitë ka rrjedhur lëngu dhe ka patur edhe kontaminime", thotë Ulrih Kleman (Ulrich Kleemann) nga Zyra Federale për Mbrojtjen nga Rrezatimet.

Deri tani nuk ka patur dëmtime në njerëz. Shumë aktivistë të gjelbër dhe politikanë socialdemokratë po kërkojnë tani me urgjencë transportimin e mbeturinave në një vend tjetër. Për shkak të mungesës së izolimit parashikohet që hyrja në depo të vështirësohet tej mase mbas vitit 2014. Kompleksi fillimisht ishte planifikuar të mbyllej brenda vitit 2017.

Banorët të zhgënjyer

Në raport thuhet se shfrytëzuesi i depos, Instituti për hulumtimin e rrezeve radioaktive Helmoltz, e ka ditur që në fillim që depoja nuk mund të siguronte izolim të plotë. Banorët e Asses janë të zhgënjyer që atyre vazhdimisht u është siguruar se depozitat janë të thata. Kompleksi u hap në vitin 1965 për të hulumtuar mundësinë e depozitimit të lëndëve radioaktive në masivet e kripës dhe nuk ishte paraparë si depozitë përfundimtare. Zgjatja me çdo dy vjet e lejes së shfrytëzimit për qëllime studimi e shndërroi Assen në një depo të përhershme, një tjetër shkak ky për frustrimin e banorëve: "E merrnim me mend se ç'ishte por ata na siguronin vazhdimisht se aty bëheshin vetëm hulumtime", thotë njëri prej tyre.

Kryetarja e të gjelbërve Renate Kynast (Künast) e ka ngritur tashmë një padi penale ndaj Institutit Helmoltz. Gabriel ua hedh fajin politikanëve, ku bën pjesë edhe ai vetë si kryeministrë i landit të Saksonisë së Poshtme në periudhën 1999-2003. Por disa komentatorë nëpër media e akuzojnë ministrin socialdemokrat se alarmi i tij ka motive elektorale. Asse ndodhet në zonën e tij zgjedhore, ndërsa depoja e mbeturinave nuk është nën kompetencën e tij, por në atë të ministres së shkencës, unionistes Anete Shavan (Annette Schavan). Në një takim të posaçëm të enjten paradite, më 4 shtator 2008, ata dy ministrat morën vendim që për kohën që ka mbetur përgjegjësia për Assen të kalojë tek Enti për Mbrojtjen nga Rrezatimet, duke ia hequr kështu të drejtën e shfrytëzimit Institutit Helmoltz.

  • Data 04.09.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FAjI
  • Data 04.09.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FAjI