Imazhe nga Kosova
Imazhe nga Kosova
Ndërtimet pa leje
Ndërtimet pa leje, apo pa kriter, kanë qenë përherë të pranishme në Kosovë, por ato u shtuan vrullshëm në periudhën e pasluftës. Rrënimet e pasluftës, dyndjet e popullatës, veçanërisht nga zonat rurale në qytet dhe gjendja e rëndë sociale, ishin ndër faktorët kryesorë që ndikuan në përhapjen e kësaj dukurie. As kryeqyteti, Prishtina, nuk u shpëtoi ndërtimeve pa kriter.
Energjia elektrike
Energjia elektrike është një prej faktorëve vendimtar për persepktivat e zhvillimit të Kosovës. Nga furnizimi i rregullt me energji elektrike dhe modernizimi varet jo vetëm rritja e nivelit të jetesës së qytetarëve, por edhe zhvillimi ekonomik i tërë rajonit. Pamje nga termocentrali në Obiliq afër Prishtinës.
Trepça - Gjigandi i fjetur kosovar
Trepça, një kompleks i minierave dhe ndërrmarrjeve industriale në afërsi të Mitrovicës ishte krenaria industriale e Kosovës. Dhe jo vetëm kaq: Trepça është vendi ku filloi kundërshtimi i Sllobodan Millosheviqit.Trepça është simbol i fuqisë industriale dhe emri i saj përmendet shpesh edhe kur bëhet fjalë për aftësinë e ardhshme ekonomike të Kosovës. Pamje nga hyrja në minierë në Stantërg.
Procesi i privatizimit
Sivjet mbushen dhjetë vjet që nga fillimi i procesit të privatizimit në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, gjatë kësaj periudhe janë privatizuar mbi 1000 ndërmarrje. Nga privatizimet deri më tani janë mbledhur mbi 613 milionë euro. Por efektet e privatizimit nuk kanë qenë shumë pozitive. Ndërkohë ende ka paqartësi edhe mbi fatin e kombinatit Trepça.
Simpatia për SHBA-në dhe NATO-n
Kosovarët edhe 14 vjet pas përfundimit të luftës vazhdojnë të vlerësojnë shumë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleanca Veriatlantike NATO i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës. Njerëzit në Kosovë vazhdojnë të valëvisin flamurin amerikan në shprehje të mirënjohjes ndaj SHBA-së. Po nuk mungojnë as graffitit si ky në një urë në magjistralen Prishtinë – Shkup.
Rinia
Ajo çka menjëherë i bie në sy një të huaji sapo mbërrin në Kosovë është numri i madh i të rinjve. Çdo pasdite pas përfundimit të mësimit rrugët e qyteteve mbushen përplot me nxënës. Si rjedhojë rinia karakterizon imazhin e Kosovës. Rinia është plot dëshira e ëndrra për jetën, por ka mjaft pikëpyetje për të ardhmen e saj: A mos vallë rinia kosovare e sheh migrimin si të vetmen rrugëdalje?
Të varfër e të moshuar – pensionistët në Kosovë
Një prej kapitujve më të dhimbshëm në Kosovën e pasluftës është varfëria e të moshuarve. 112 Euro në muaj është shuma e pensionit, që qeveria e konsideron të mjaftueshëm për të blerë ushqime me 2100 kalori në ditë. Ky pension nuk mbulon as shpenzimet për banim e veshmbathje, ndërsa as që mund të bëhet fjalë për për ndonjë akullore herë pas here për nipin apo mbesën.
Shëndetësia kosovare
Joefikas dhe i paguar shumë dobët - Kështu mendojnë shumë qytetarë për sektorin e shërbimit publik shëndetësor në Kosovë. Mjekët nuk paguhen mirë dhe preferojnë më shumë të punojnë në ordinancat private. Mungesa e pajisjeve për diagnostikim dhe terapitë e duhura, bën që shumë pacientë të kërkojnë shërim jashtë vendit. Por në kontrast me këtë farmacitë mbijnë kudo si kërpudhat pas shiut…
Kujdesi për mjedisin
Kosova ka probleme të mëdha me ndotjen e mjedisit. Problemi më i madh është ai mbeturinave - ato janë gjithkund. Mbeturinat janë buzë rrugëve, lumenjtë poashtu janë të mbushur me to si dhe shpatet e maleve. Kujdesi për mjedisin është një nga sfidat më të mëdha për institucionet dhe për qytetarët. Pamje nga një fshat në afërsi të qytetit të Vushtrrisë.