1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ilir Meta - kandidatura e vetme e mazhorancës së majtë

Kyetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe i LSI, Ilir Meta është kandidatura e vetme e mazhorancës së majtë për Presidentin e ri të Shqipërisë.

Kandidatura e Ilir Metës vjen pas dështimit radhazi të raundeve për të zgjedhur kandidaturën e Presidentit nga mazhoranca e majtë. Opozita refuzoi të marrë pjesë në këtë proces dhe e vazhdon protestën tek çadra përballë Kryeministrisë dhe bojkotin e Parlamentit.

Kryeministri Rama tha të enjten se "Ilir Meta është një kandidat për president që vjen natyrshëm, sepse është situata e tillë që kërkon Ilir Metën President. Nuk njoh askënd si ai që të jetë i lidhur me të gjithë dhe me askënd . Është i lidhur me të gjithë, ka akses tek të gjithë , flet me të gjithë dhe u thotë të gjithëve se ҫfarë mendon. Kjo është një zgjidhje ideale edhe për vetë PD”. Por edhe pse PD nuk mori pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi se ai ”nuk e mbështet kandidaturën e Ilir Metës" .

Kandidatura e Ilir Metës, e mbështetur unanimisht nga  PS u bë e njohur pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, kur nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, konfirmoi se  ”PS do të mbështesë kandidaturën e Ilir Metës si kandidat i koalicionit qeverisës për të qenë Presidenti i ri i Shqipërisë”. Kandidatura tjetër e propozuar nga LSI ishte ajo e Petrit Vasilit, Ministrit aktual  të Shëndetësisë.

Zyrtarë të Brukselit në Tiranë për hapjen e negociatave

Mbështetja unanime e dy forca parlamentare që bashkëqeverisin, PS-LSI, për kandidaturën e Ilir Metës si President i ri i Shqipërisë i hapi rrugën procesit të votimit dhe i dha fund ngërҫit politik të zgjedhjeve presidenciale. Ajo vjen pas një varg përpjekjesh për të arritur konsensus mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me presidentin e ri. Në tre raunde votimi nuk pati asnjë kandidat për President edhe pse kryemnistri Rama dhe kryetari i Kuvendit Meta kërkuan publikisht që PD të paraqiste kandidaturat e saj për t'u votuar. Opozita bojkotoi tre raundet dhe krijoi premisat për një krizë presidenciale, që do t'i shtohej krizës zgjedhore ku ndodhet Shqipëria që prej  dy muajsh.

Shmangia e krizës presidenciale është një zhvillim pozitiv.  Ajo që pritet është nëse PD do të regjistrohet nesër (29.04.2017)  kur skadon afati,  pas zgjatjes së tij me 19 ditë nga KQZ, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Kjo edhe pse gjasat janë pothuajse zero, pas deklarimeve për fillimin të hënën e ardhshme, më 1 maj, të mosbindjes civile në të gjithë vendin.

Por radikalizimi i qëndrimit të PD, pas refuzimit të saj për të pranuar projektmarrëveshjen e negociatorëve europianë David McAllister dhe Knut Fleckenstein, në fillim të kësaj jave, që do t‘ i hapte rrugë kompromisit politik dhe kthimit të PD në parlament , pjesëmarrjes në zgjedhje duket se nuk kanë ndikuar në agjendën e Brukselit për vijimin normal të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Kryeministri Rama tha mbrëmë se në Tiranë kanë mbërritur zyrtarë të Brukselit lidhur me procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit mes BE dhe Shqipërisë.