1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ikja e madhe e refugjatëve

Çdo ditë, mijëra refugjatë marrin rrugën për në Evropë. Shpresa për një jetë të re është më e madhe se frika nga udhëtimi. Për dramën e refugjatëve në Mesdhe, DW tregon shkaqet, rrugët e largimit dhe fatet e migrantëve.

Pranvera ka nisur. Dhe refugjatët vijnë sërish në Evropë. Shkaqet janë të shumëllojshme. Varfëri, shpesh varfëri e hidhur. Pamundësi shkollimi. Mungesë shansesh për të gjetur punë. Diktatura. Despoti. Tortura. Përndjekje. Shtypje. Luftë civile. Luftëra. Shpesh edhe një shtet që është shpërbërë, në të cilin sundojnë banda që plaçkisin.

Është mjerimi i mirëfilltë, mungesa e rrugëdaljes, që i bën njerëzit që të marrin arratinë, të kërkojnë një jetë të re në botën e huaj, të shpresojnë për pak fat. Nga Eritrea, Somalia, Libia, Siria, Iraku, Afganistani vijnë njerëzit, nga shumë vende të tjera - për të mos folur për lëvizjet e migrimit brenda rajoneve të krizave.

Një biznes cinik

Vlerësohet se 50 milionë refugjatë kanë marrë rrugën e arratisë. Odiseja e tyre është e rrezikshme për jetën, shpesh përfundon me humbjen e jetës. Sepse ata nuk e marrin të vetëm rrugën, arratinë. Ata lejojnë që bandat e trafikantëve të njerëzve t'i sjellin në vendet e shpresës së tyre, shpesh edhe përmes rrugëve të ngatërruara - për shembull nga Siria nëpër Turqi në Algjeri, prej atje përmes shkretëtirës për në Libi dhe pastaj me anije në kontinentin e shpresës në Evropë. Kur nuk lihen nga ekipazhi i anijes në baltë dhe mbyten. Në një biznes prej miliardash është kthyer prej kohësh kjo tregti moderne e skllavërisë - brutale dhe cinike.

Dhe pastaj vijnë refugjatët, të cilët rrasen në strehime emergjence, nganjëherë pasi i mjekojnë, për të përjetuar shpesh kthimin pas, pas një kohe të shkurtër. Ose kalojnë në ilegalitet, përpiqen me punë ilegale, shpesh nën dinjitetin e tyre që të mbijetojnë disi dhe madje të ushqejnë edhe familjet e tyre.

Alexander Kudascheff, kryeredaktori i Deutsche Welle-s

Alexander Kudascheff, kryeredaktori i Deutsche Welle-s

Disa gjejnë ndihmë dhe mbështetje nga familja e tyre, të tjerë marrin ndihmë nga qytetarë që punojnë në mënyrë honorifike, të cilët i mbështesin refugjatët e zbarkuar. Të tjerë gjejnë mirëdashjen e shteteve, që u japin azil. Dhe shumëve, tepër shumëve u duhet të kthehen në varfëri dhe në mungesën e shprese, prej së cilës kanë marrë arratinë.

Fitore të vogla dhe disfata të mëdha

DW do të përqendrohet në një javë tematike në lëvizjen e refugjatëve - nga pragu i nisjes, në ikjen e tyre deri në mbërritje. Ajo do të bëjë portrete vendesh, prej të cilave largohen njerëzit. DW dëshiron të tregojë marshimin e gjatë, shpesh të rrezikshëm për jetën, shpesh vdekjeprurës. Dhe ajo përshkruan çfarë i pret refugjatët ose azilkërkuesit këtu në Gjermani dhe në Evropë.

Java tematike do të tregojë realitetin, shpresat dhe zhgënjimet, fitoret e vogla dhe disfatat e mëdha, ajo do të tregojë njerëzit dhe hutimin e politikës. Sepse pranimi i refugjatëve, ndihma ndaj tyre përballë rrezikut për t'u mbytur - është një detyrim i vetëkuptueshëm human. Por që nuk mund të vijnë të gjithë ata që duan të vijnë është po kaq e drejtë. E drejta e azilit është një e drejtë e shenjtë. Por pikërisht në realitet ajo tendoset dhe copëtohet.

Për qindra-mijëra vetët në plazhet e Afrikës së Veriut megjithatë ka rëndësi vetëm një gjë - varka tjetër që niset për në Evropë. Ajo që u intereson atyre është të mbërrijnë, ta mbijetojnë udhëtimin drejt destinacionit.