1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

IES-i apelon për fillimin e dialogut të vizave me Kosovën

Iniciativa Evropiane për Stabilizim, IES, prezantoi në Berlin rekomandimin e fillimin e dialogut të vizave për Kosovën. Në aktivitetet promovuese ishte ftuar edhe Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi

Kosova ende pa dialog vizash me BE

Kosova ende pa dialog vizash me BE

“Duam të influencojmë debatin në Bruksel, që Kosova të mos trajtohet ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor“, thotë Besa Shahini, analiste dhe njëra nga hartueset e dokumentit të IES-it." Ndërsa qytetarët e vendeve të tjera të rajonit - përfshirë edhe Shqipëria e Bosnja, liberalizimi i vizave për të cilat u miratua këtë javë nga ministrat e rendit dhe të drejtësisë së BE-së - kanë të drejtë të lëvizin lirshëm në hapësirën Schengen, Kosova ende nuk e ka një dokument zyrtar (roadmap), i cili do ta drejtonte atë në këtë proces.

“Edhe pse Këshilli i Ministrave të BE-së, qysh në dhjetor të vitit të kaluar e ka dhënë dritën e gjelbër për fillimin e dialogut për procesin e vizave, Komisioni ende nuk e ka hartuar një udhërrëfyes për Kosovën, por flet se së shpejti do të ketë një një strategji për liberalizimin e vizave,” - ankohet Shahini.

Kryetari i IES-it, Gerald Knaus, thotë se dallimi nuk qëndron vetëm tek terminologjia: “Përdorimi i termave të ndryshëm ka të bëjë me një debat që zhvillohet brenda BE-së”, sqaron ai për Deutsche Wellen. “Shumë vende anëtare do të preferonin më mirë të mos flisnin fare për Kosovën”. Disa syresh janë lodhur duke u marrë me këtë çështje, të tjerë janë të frikësuar se liberalizimi i vizave do ta shtojë numrin e azilkërkuesve.

Azilkërkuesit janë shtuar

Fakt është, që sipas Eurostatit në Gjermani vetëm gjatë vitit të kaluar ka pasur afro 2000 azilkërkues nga Kosova, ndërsa në Francë 2500. Këto shifra janë shumë të larta për një vend me as dy milionë banorë. Nga ana tjetër, edhe përqindjet e njohjes së kërkesës për azil kanë qenë relativisht të larta. Një fakt, që e ka shtrënguar Komisionin që në maj të këtij viti, përmes një letre dërguar qeverisë së Kosovës, ta vendoste reintegrimin e të riatdhesuarve si parakusht për fillimin e dialogut të vizave. Një praktikë kjo, që u përdor për herë të parë ndaj Kosovës. “Kjo nuk është e drejë,” thotë Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi për Deutsche Wellen. “Riintegrimi është një proces afatgjatë prej disa vitesh dhe nuk mund të gjykohet brenda një periudhe kaq të shkurtër.”

Gerald Knaus, kryetar i ESI-it

Gerald Knaus, kryetar i ESI-it



Por IES-i në rekomandimin e tij e merr numrin e lartë të azilkërkuesve pikërisht si një argument që flet për domosdoshmërinë e fillimit sa më të shpejtë të dialogut. “Në një udhërrëfyes do të përcaktoheshin qartë reformat që duhet të bëjë Kosova për të plotësuar kushtet: Ato fillojnë që nga ligjet kundër diskriminimit, garantimi i lirisë së lëvizjes së pakicave, programet e integrimit, dokumentet e shumë të tjera", numëron Besa Shahini nga IES. "Këto janë aktivitete shumë të vështira dhe kushtojnë shumë. Prandaj edhe udhërrëfyesi do ta shtynte qeverinë e Kosovës që të investonte më shumë, si financiarisht por edhe në njerëz, për arritjen e këtyre qëllimeve.”

Dialogu me Serbinë pa joshje

Një afat i qartë për liberalizimin e vizave do të shërbente edhe si nxitje për fillimin e dialogut politik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që konsiderohet si shumë i rëndësishëm nga BE-ja, thotë Gerald Knaus. Analisti austriak vëren se ka shumë vendimmarrës në Bruksel që janë të vetëdijshëm, se do të jetë e vështirë që Kosova të motivohet për një sjellje konstruktive në këtë dialog: “Ndërsa Serbia joshet me procesin e anëtarësimit në BE, për Kosovën nuk ka asnjë joshje: Ajo nuk e e ka të sigurt perspektivën evropiane, përsa kohë që nuk mund të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhe sa më shumë që të zvarritet procesi i liberalizimit të vizave, aq më pak e besueshme bëhet e BE-ja në Kosovë.”

I zhgënjyer, por jo i dekurajuar

Bajram Rexhepi, Ministër i Brendshëm i Kosovës

Bajram Rexhepi, Ministër i Brendshëm i Kosovës


Që BE-ja sa vjen e po humbet kredibilitet tek kosovarët, kjo vihet re kur flet me ministrin e brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepin. "Nga njëra anë jam i zhgënjyer që Komisioni nuk arriti ta mbante premtimin e shpërndarë nga drejtori i departamentit të zgjerimit Pier Mirel, se dialogu do të fillojë në shtator të këtij viti. Por nga ana tjetër, jam mësuar me mosmbajtjen e premtimeve që nga koha e Unmik-ut, “ - thotë politikani i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministër i Kosovës. "Ne nuk dekurajohemi nga këto obstruksione që bëhen, ne do t'i kryejmë punët tona, e kemi roadmap-in tonë unilateral, do të vazhdojmë t'i plotësojmë kushtet, të cilat përafërsisht i njohim dhe ndoshta ndërkoha edhe Komisioni Evropian e sheh se nuk është rruga e duhur dhe fillon dialogun”, thotë Rexhepi.

Koncept i integruar

Që Kosova ka bërë disa përparime pikërisht në çështjet e rendit e sigurisë, kjo përmendet edhe në raportin e fundit e të Komisionit të publikuar këtë javë në Bruksel. Gunda Schumann, e cila për ka punuar në kuadër të Eulex-it për një vit me radhë si konsulente për ministrinë e rendit të Kosovës, gjithashtu mendon se Kosova i ka plotësuar kushtet për fillimin e dialogut. Juristja nga Berlini çuditet se si Bashkimi Evropian nuk po i hap portat për një vend kaq të vogël siç është Kosova. Por ajo mendon, se liberalizimi i vizave mund të ketë sukses, vetëm duke e kombinuar atë me një koncept më të gjerë, ndër të tjera edhe lejimin e një kontigjenti për punë sezonale.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 12.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Q6q9
  • Data 12.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Q6q9