1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Idriz Bardhi dhe marrëdhëniet gjermano-shqiptare

Si ambasador i Shqipërisë në Austri Idriz Bardhi luajti një rol të rëndësishëm në çuarjen përpara të bisedimeve rreth marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-gjermane.

Kur bisedoje me Idriz Bardhin nuk kishte si të mos shkonte fjala tek lidhjet e tij me Gjermaninë dhe marrëdhëniet gjermano-shqiptare. Lidhjet e tij me Gjermaninë kishin nisur gjatë studimeve për gjuhësinë gjermane në Universitetin Humboldt të Berlinit në ish-Republikën Demokratike Gjermane. Pas kthimit në Shqipëri Idriz Bardhi filloi të punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me vite ato do të merrnin një drejtim tjetër, atë politiko-diplomatik.

Problemi i reparacioneve dhe i dëmshpërblimeve

Deri në fund të viteve 1980 Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë. Pengesa kryesore për lidhjen e marrëdhënieve mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, sikurse qe emërtimi zyrtari asaj kohe, ishte kërkesa e palës shqiptare për pagimin e reparacioneve dhe dëmshpërblimeve për dëmet e luftës nga Republika Federale e Gjermanisë.

Por qeveria e RFGJ-së nuk kishte liri veprimi në lidhje me këtë çështje për shkak të Marrëveshjes së Londrës në lidhje me Borxhin e Huaj të Gjermanisë. Në këtë marrëveshje mes përfaqësuesve të Republikës Federale të Gjermanisë dhe disa shteteve fituese e lidhur më 27 shkurt 1953 qeverisë së RFGJ-së i ndalohej trajtimi i diferencuar i shteteve të ndryshme.

Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë qe motiv që përsëritej vazhdimisht në fjalimet e Enver Hoxhës, i cili theksonte se "Qeveria e Bonit .... i ka borxh Shqipërisë reparacione e dëmshpërblime në vlerën e miliarda markave.”

Gjatë bisedimeve në Vjenë për marrëveshjet diplomatike gjermano-shqiptare

Gjatë bisedimeve në Vjenë për marrëveshjet diplomatike gjermano-shqiptare

Nga Beogradi në Vjenë

Por ky qëndrim nuk mbetej vetëm tek deklarat apo fjalimet. Më 1 korrik 1975 ambasadori i atëheshëm shqiptar në Beograd i dorëzoi homologut të tij gjerman atje Jesco von Puttkamer një memorandum të qeverisë shqiptare ku kërkoheshin dëmshpërblime në vlerën 4,5 miliardë dollarë. Deri në fillim të vitit 80-të bisedimet me diplomatët e RFGJ-së për lidhjen e mundshme të marrëdhënieve diplomatike u zhvilluan pëmes ambasadës shqiptare në Beograd. Por ato mbetën gjithmonë pa rezultat për shkak të çështjes së dëmshpërblimeve.

Në shkurt 1980 qeveria shqiptare njoftoi se kishte ngarkuar ambasadorin e vet në Vjenë për të biseduar më tej rreth çështjes së dëmshpërblimeve dhe të marrëdhënieve me RFGJ-në. Ministria e Jashtme e RFGJ-së u shpreh se ishte dakord me këtë ndryshim vendi, sepse, sikurse thuhet në dokumentet zyrtare „Ambasada shqiptare në Vjenë ishte si për nga pikëpamja konsullore ashtu edhe ajo politike përgjegjëse për mbulimin e Republikës Federale të Gjermanisë.“

Zbutja e dogmave

Ishte koha kur me sa duket dogmat e Enver Hoxhës kishin filluar të zbuteshin, sepse në raportin e tij në Pas Kongresin VIII të Partisë (nëntor 1981) ai thoshte se mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë nuk dukej të kishte pengesa të pakapërcyeshme për lidhjen e marrëdhënieve dypalëshe. Pala shqiptare madje i dërëzoi në shkurt 1982 palës gjermane përmes Ambasadës shqiptare në Vjenë një memorandum në të cilin thuhej, se „ne po shohim se qeveria e kancelarit Federal Helmut Schmidt dhe e zëvendës-kancelarit Hans-Dietrich Genscher janë duke ndjekur një politikë pozitive dhe se partia dhe qeveria e Shqipërisë, kishin arritur në përfundimin, se „tani janë krijuar premisat për të lidhur marrëdhënie diplomatike mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Rruga drejt marrëdhënieve diplomatike

Në këto kohë Idriz Bardhi u emërua ambasador i ri i Shqipërisë në Vjenë dhe luajti një rol të rëndësishëm në çuarjen përpara të bisedimeve mes të dyja palëve për hapjen e negociatave rreth lidhjes së marrëdhënieve diplomatike. Kështu gjatë muajit mars 1984 në Bon u zhvilluan bisedime mes palës gjermane dhe asaj shqiptare të përfaqësuar nga Drejtori i Institutit për Studimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Këto bisedime u pasuan në gusht të vitit 1984 nga një vizitë private në Shqipëri e kryeministrit të landit të Bavarisë Franz Josef Strauss, i cili ishte një ndër politikanët e parë perëndimorë, i cili bisedoi në Tiranë me zëvendëskryeministrin e asokohe Manush Myftiun.

Kurorëzimi i bisedimeve

Idriz Bardhi

Idriz Bardhi

Bisedat vazhduan më tej në nëntor 1984 në ambasadat e të dy vendeve në Vjenë. Ambasada shqiptare në Vjenë u kthye në këtë mënyrë në qendrën e përgatijes dhe të thellimit të bisedimeve, negociatave dhe të këmbimeve mes Shqipërisë dhe RFGJ-së të nisura në prill 1984 në Bon. Bisedimet që zgjatën për disa vjet u kurorëzuan me nënshkrimin e Marrëveshjes për Lidhjen e Marrëdhënieve Diplomatike më 15 shtator 1987 në Tiranë. Pas miratimit nga ana e të dy qeverive marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh nisën nga data 2 tetor 1987.

Ura të tjera komunikimi

Edhe pas daljes në pension Idriz Bardhi e vijoi punën e tij për thellimin e urave të komunikimit dhe të lidhjeve mes të dy vendeve duke shërbyer si këshilltar për sipërmarrje dhe institucione të ndryshme. Deri në fund të ditëve të tij ai po punonte për një fjalor frazeologjik shqip-gjermanisht.