1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Idetë e Merkelit për reforma në Evropë

Angela Merkel pas fitores në zgjedhjet parlamentare në Gjermani, do t'i japë një shtysë të re reformave në BE. Në kantierin evropian ka ende shumë punë.

Për rreth një vit rresht të gjitha planet e mëdha për reforma të BE-së u pezulluan; qeveria gjermane donte të shmangte para së gjithash çështjet veçanërisht të kontestuara. Tani që kancelarja gjermane Angela Merkel mund të paraqitet në Bruksel më e fuqishme nga rezultati i mirë në zgjedhjet parlamentare, duket se do të guxojë një rinisje të reformave. Në samitin e BE-së Merkel tha: "Kam bindjen se nëse duam të kemi një monedhë të përbashkt duhet të bashkëpunojmë në mënyrë më të koordinuar dhe më të ngushtë se deri tani në çështjet e aftësisë konkurruese dhe forcës inovative."

Por çfarë do të thotë kjo konkretisht? Nga Berlini ka disa ide, si p.sh. që Komisioni i BE-së të ketë më shumë mundësi kontrolli në buxhetet kombëtare dhe që për forcimin e aftësisë konkurruese vendet e veçanta të BE-së të zotohen kundrejt Komisionit për reforma të hartuara sipas nevojave specifike. Në këmbim ata mund të kenë akses në fonde shtesë nga arka e përbashkët.

Dikush duhet të jetë në pozicionin e kritikuesit

Angela Merkel në një gazetë greke

Frikë nga supremacia gjermane - Angela Merkel në një gazetë greke

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert deklaroi se e gjitha kjo nuk është diçka e re. Në të vërtetë që prej shpërthimit të krizës, aktorë të ndryshëm në BE përpiqen të arrijnë më shumë disiplinë buxhetore tek shtetet anëtare, në veçanti qeveria gjermane. Për shkak të këtij qendrimi ajo është akuzuar për ndërhyrje e madje edhe për përpjekje për hegjemoni.

Janis Emmanouilidis nga instituti Qendra e Politikës Evropiane ( European Policy Centre) në Bruksel, në një intervistë me Deutsche Welle, thotë: "Në Berlin, por edhe në kryeqytete të tjera ekziston përshtypja se Komisioni nevojitet si një aktor mbi shtetet, që është në gjendje të kritikojë në rast nevoje qeveritë e vendeve të veçanta". Por ky rol nuk pranohet nga asnjë prej vendeve anëtare.

Nevoja të bën të arsyeshëm

Reagimet e para ndaj ideve të Merkelit janë të paktën si fillim shpresëdhënëse. Miratim vjen jo vetëm nga radhët e partisë së saj. "Është e qartë se asnjë shtet nuk pranon të dorëzojë kontrollin mbi buxhetin kombëtar", deklaron eurodeputeti socialdemokrat Jo Leinen. "Por kaosi që përjetuam dhe gati rrënimi i ekonomisë në Evropë, na mësojnë se nuk mund të kesh një treg të brendshëm dhe aq më pak një bashkim monetar, nëse nuk bashkërëndohet edhe politika buxhetore dhe ekonomike." Ai kërkon shprehimisht nga kancelarja "më shumë guxim" në artikulimin e propozimeve të saj. "Ato vetëm duhet të shpjegohen mirë dhe pastaj të shtrohen për diskutim me sa më shumë partnerë."

Në samit propozimet i miratoi në parim edhe ministri finlandez për Evropën, Alexander Stubb: "Nëse një pakt konkurence do të thotë që të rregullosh financat publike, nëse ai do të thotë të zbatosh reforma strukturore, nëse do të thotë të liberalizosh tregjet, atëherë ne natyrisht e përshëndesim këtë inisiativë."

Qendresë në rritje kundër "Brukselit"

Shumë britanikë duan më pak dhe jo më shumë Evropë

Shumë britanikë duan më pak dhe jo më shumë Evropë

Finlanda është megjithatë një nga aleatët e zakonshëm kur është fjala për më shumë disiplinë dhe aftësi konkurruese. Shtetet me probleme të mëdha buxhetore dhe aftësie konkurruese si Greqia apo Spanja, por edhe Franca, janë të rezervuara. Prej tyre ashtu si deri tani pritet qendresë e mëtejshme edhe pse kritikat vijnë nga Komisioni dhe jo nga Berlini. Por është një tjetër grup që bën qendresë dhe që duket së është në rritje. Këto janë shtetet që janë jo patjetër kundër kursit të konsolidimit, por kundër më shumë centralizimi në Evropë. Këtu bëjnë pjesë në radhë të parë britanikët dhe pak më të dobët, holandezët. Edhe vetë Merkel gjatë fushatës elektorale pati thënë se duhet menduar për të kthyer në kryeqytete një pjesë të kompetencave të Brukselit.

Për secilin diçka

Si shkojnë këto së bashku? Dhe si mund të pajtohen të gjitha këto grupe për kryerjen e reformave? Janis Emmanouilidis beson se Merkel kërkon një zgjidhje të përgjithshme me të cilën t'u ofrohet të gjithëve diçka. Shtetet e orientuara nga stabiliteti do të marrin më shumë konsolidim në eurozonë; shtetet e dobëta do të mbështeten financiarisht në reformat e tyre. Veç kësaj Merkeli do të tregojë mirëkuptim për bashkimin bankar. Këtu bëhet fjalë përsëri për një përgjegjësi të përbashkët të kufizuar, të cilën gjermanët dhe disa vende të tjera e kanë shumë të vështirë ta pranojnë. Emmanouilidis beson se edhe euroskeptikët do të merrnin atë që kërkojnë, pasi nuk do të ketë një ndryshim të gjerë të marrëveshjeve në Evropë: "(...) Fjala është për reforma të veçanta konkrete, të cilat do të jenë të gërshetuara në një paketë të përgjithshme."

Një nga regullat e pakuptimta të BE-së, tashmë i tërhequr: rregulli për formën e kastravecit

Një nga regullat e pakuptimtë të BE-së, tashmë i tërhequr: rregulli për formën e kastravecit

Socialdemokrati Jo Leinen, i cili në përgjithësi është për më shumë dhe jo për më pak Evropë, nuk i sheh me sy aq kritik disa vërejtje të euroskeptikëve: Haga dhe kryeqyetete të tjera janë të interesuara më shumë "për deburokratizim dhe reduktim të lëgjislacionit" se sa për rikthimin e kompentecave të Brukselit tek shtetet kombëtare, dhe kjo duhet mbështetur. Edhe vetë presidenti i Komisionit, José Manuel Barroso, që ndryshe është mishërimi i përpjekjeve për standardizim, duket se ka mësuar nga gabimet e së kaluarës. Në një shkrim për të përditshmen gjermane Rheinische Post të premten (25.10.'13) Barroso shkruan se BE nuk duhet të hartojë rregulla për çdo gjë: "Ne nuk do të nxjerrim rregulla të BE-së për trajtimin e dhimbjeve të kurrizit apo norma sigurie për parukierë". Këto fjalë priten me lehtësim jo vetëm në Londër.