1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Identiteti në Ballkan

Ani Ruci2 Maj 2011

Aspirata e përbashkët e Ballkanit Perëndimor për t'u integruar në BE po sjell edhe një konceptim të ri të identitetit kombëtar dhe shtetësisë. Identitetet nga burim konfliktesh etnike po vlerësohen si pasuri dhe vlera.

https://p.dw.com/p/117jN
Kujt i përkas?
Kujt i përkas?Fotografi: Fotolia

Kujt i përkas? Vendit të origjinës apo vendit ku jam nështetas? Këtë pyetje mund t'ia bëjë vetes çdo shqiptar, boshnjak, maqedonas, serb apo malazes që jeton dhe punon jo në vendin e tij por në një vend të BE. Në simpoziumin ndërkombëtar që u zhvillua ditët e fundit në Tiranë lidhur me identitetin dhe shtetësinë në Ballkanin Perëndimor, Martin Berishaj, Prof. Dr. pedagog i antropologjisë politike në Universitetin Shtetëror të Ljubljanës, paraqiti edhe përgjigjet e mundshme për këtë pyetje.

“Identiteti dhe shtetësia janë dy bazamente, që e subjektivizojnë individin. Kështu identiteti e subjektivizon individin që nga lindja e tij, cili është, ku dëshiron të shkojë. Kurse shtetësia është një kontratë mes individit dhe shtetit, të vendit ku ai jeton. A është Europa “kazani i shkrirjes së identiteteve kombëtare? Jo, pasi me futjen në BE nuk do te bëhesh më pak shqiptar, boshnjak apo serb nga sa je sot,” tha për programin shqip të DW, Prof.Dr. Martin Berisha.

Prof. Dr. Martin Berishaj
Martin BerishajFotografi: DW


Identiteti - një vlerë që duhet ruajtur

Pjesëmarrësit në simpozium theksuan që identiteti kombëtar është një tipar me të cilin çdo individ lind dhe nuk e fiton gjatë jetës. Përkundrazi, shtetësia është një tipar që fitohet merret gjatë jetës. Një individ në çdo vend të Ballkanit Perëndimor ka vetëm një identitet kombëtar por mund të ketë më shumë se një shtetësi. A duhen ruajtur identiteti kombëtare në një Ballkan Perendimor që synon integrimin në BE?

At Lucian Agostini , ipeshk i dioqezes së Sapës, në Mirditë, ku në shek. e 16-të dhe 17-të shërbyen si ipeshkvë Pjetër Budi dhe Frang Bardhi, figura të shquara të botës shqiptare, sjell argumeta pse duhet ruajtur identiteti. “Çdo popull që synon të bëjë pjesë në shtëpisë e përbashkët që e quajmë Bashkim Europian do të identifikohet me ato pasuri dhe vecori që i ka kultivuar gjatë historisë dhe vazhdon t' i ketë edhe sot."

Reiz Mulita
Reiz MulitaFotografi: DW

BE- premisë për forcimin e identiteteve kombëtare

Reiz Mulita, politolog, pedagog në Universitetin” Marin Barleti' në Tiranë mendon se procesi i integrimit europioan të vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk zbeh tiparet dalluese të çdo kombi, zakonet, traditën, kulturën dhe në përgjithësi sjelljen sociale. “Përkundrazi i forcon ato. Harta politike e BE krijon mundësi për ruajtjen, kultivimin më në liri të individit, për sa i përket gjuhës, zakoneve, traditave, kulturës së individit, gjithmonë, në përputhje me ligjin,” thotë për programin shqip të DW, Z. Mulita.

Dhe kjo është e kuptueshme nëse kihen parasysh që integrimi rrit kontaktet, shkëmbimin e vlerave kulturore, shpirtërore, materiale dhe forcon identitetet kombëtare të grupimeve shoqërore pavarësisht se çfarë shtetësie kanë. Kjo pasi politikat e BE vënë në qëndër shoqërinë, në diversitetin e saj. Shumëllojshmëri a e kulturave dhe identiteve konsiderohet si një bazsë për qëndreshmërinë e shoqërisë brenda hartës politike të BE. “Integrimi në BE parakupton pranimin e tjetrit, të atij që ka një identitet kombëtar të ndryshënm nga i yti, marrjen në konsideratë të traditave, simboleve të çdo grupimi shoqëror si burim bashkëjetese, si burim këmbimi vlerash,” thotë Z. Mulita.

Europa- çfarë do t' u ofrojë ballkanasve?


Por ndërkohë vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdon t' iu ikë truri në vendet e BE, gjë që ndër të tjera sjell edhe zbehjen e konceptit të identitetit kombëtar. Po kështu edhe liberalizimii vizave po sjell rrafshimin e konceptit të shtetësisë. “Liberalizim i vizave ka për të ndryshuar edhe konceptimin e identitetit kombëtar. Sa do të jenë të vetëdijshëm popujt e Ballkanit për identitetet e tyre kombëtare do të varet nga gjithë sa Europa do t' u ofrojë këtyre popujve për të realizuar aspirat dhe vehten,” thotë Prof. Dr. Martin Berishaj.