1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Roli i ICO në Kosovë

27 Janar 2012

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) nuk është treguar efikase dhe ky është shkaku kryesor pse kanë filluar përgatitjet për largimin e saj nga Prishtina. Kështu mendojnë analistët shqiptarë dhe serbë.

https://p.dw.com/p/13rr1
Pamje nga Prishtina
Pamje nga PrishtinaFotografi: picture-alliance/dpa

Grupi Drejtues Ndërkomëtar për Kosovën ka miratuar këtë javë një vendim me të cilin kërkohet që të fillojnë përgatitjet për largimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) nga Kosova. Zyra në krye të së cilës është Piter Feith duhet të mbyllet deri në fund të këtij viti. Por më parë Kosova duhet të zbatojë në tërësi pikat e planit të Martti Ahtisarit që kanë të bëjnë me decentralizimin e pushtetit, sigurimin e të drejtave të bashkësive etnike dhe ruajtjen e pasurive të tyre kulturore. Njëkohësisht Parlamenti i Kosovës duhet të miratojë një paketë amandamentesh për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim kalimin e kompetencave të ICO tek Qeveria e Kosovës.

Analisti politik nga Prishtina Ardian Arifaj vlerëson se mbyllja e ICO do të shënonte edhe përfundimin e pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës.

Pamje nga takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën - Vjenë 24.01.2012
Pamje nga takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën - Vjenë 24.01.2012Fotografi: DW

"Nevoja e mbështetjes ndërkombëtare do të jetë në veçanti e domosdoshme në veri të Kosovës, ku Qeveria e Kosovës nuk mund ta ushtrojë pushtetin e saj. Por mbyllja e ICO nuk do të thotë edhe përfundimin e prezencës ndërkombëtare sepse në Kosovë mbeten KFOR-i dhe EULEX-i. Ato mbikqyrin dy elemente shumë të rëndësishme që prekin sovranitetin e Kosovës, sigurinë e jashtme dhe sundimin e ligjit", shpjegon Arifaj.

ICO nuk ka pasur sukses

Arifaj pohon se një nga shkaqet për largimin e ICO është dështimi i kësaj Zyre për të kryer punët që i takojnë. "ICO ka mundur të ndihmojë Parlamentin e Kosovës që të miratojë ligjet nga paketa e Ahtisaarit. Por ka dështuar në disa çështje shumë të rëndësishme, siç janë: krijimi i komunës në veri të Mitrovicës dhe shtrirja e pushtetit në veri të Kosovës, ku ICO nuk ka kurrfarë prezence“, shpjegon Arifi.

Në foto, Ardian Arifaj
Në foto, Ardian ArifajFotografi: Ardian Arifaj

Deputetja e "Listës së bashkuar serbe" në Parlamentin e Kosovës Rada Trajkoviq po ashtu mendon se ICO ka dështuar në shumë lëmi. "Nuk mund të them se nuk ka bërë asgjë, por me siguri që rreth 50 % të punëve që është dashur nuk i ka kryer, në veçanti sa i përket decentralizimit të pushtetit në anën jugore të Ibrit. Tani kanë kandiduar të bëjnë punë edhe në veri, që tregon se sa joserioze është kjo Zyrë. E të mos flas për Parlamentin e Kosovës, i cili refuzon dhe ndryshon ligjet e nxjerra sipas planit të Ahtisaarit, ndërsa zoti Feith nuk bën asgjë", pohon Trajkoviq.

Serbët e shqetësuar

Rada Trajkoviq është e shqetësuar edhe për faktin se Grupi Drejtues Ndërkomëtar për Kosovën ka kërkuar prej Serbisë që të mos organizojë zgjedhje në Kosovë. "Ky është një grup joformal dhe jo ndonjë institucion ndërkombëtar. Por kur dihet që në të bëjnë pjesë përfaqësuesit e 25 vendeve të ndryshme nga Evropa dhe Amerika, me siguri që do të përpiqet brenda institucioneve ndërkombëtare që kërkesat e tij të bëhen zyrtare. Ndaj do të ushtrohet presion i madh ndaj Serbisë dhe serbëve të veriut", pohon Trajkoviq.

Në foto, Rada Trajkoviq
Në foto, Rada TrajkoviqFotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka krijuar Zyrën Civile Ndërkombëtare me qëllim që të mbikqyrë pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur mbi bazat e planit të Martti Ahtisaarit.

Autor: Zulfija Jakupi / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti