1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I zhvilluar në post - ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle

Bettina Marx17 Gusht 2013

Një kancelare e fortë dhe një ministër i Jashtëm pa përvojë - si funksionon ky kombinim? Një vështrim pas në politikën e jashtme të katër viteve të fundit.

https://p.dw.com/p/19RN8
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për Guido Westerwellen, ndryshimi nga banka e opozitës në krye të Ministrisë së Jashtme ishte një ngjitje triumfale. Kryetari i partisë liberale, FDP, të cilin më parë e përqeshnin dhe nganjëherë edhe e përçmonin, i dha partisë së tij me 15 përqind të votave, një sukses të paparë herët e tjera në zgjedhje. Tani ai ishte në kulmin e pushtetit të tij: ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar. Por startimi i tij në detyrën e re ishte me pengesa, sepse në fillim Westerwelle vazhdoi të përzihej në politikën e brendshme dhe t'i kushtonte pak vëmendjes politikës së jashtme.

Vetëm kur e dorëzoi në fillim të vitit 2011 kryesinë e partisë dhe hoqi dorë nga detyra e zëvendëskancelarit, ai pati mundësi t'i kushtohet më shumë detyrës së tij si kryediplomat. Me sukses, siç i dëshmon atij politikani i CDU-së, Ruprecht Polenz, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme. "Të gjithë e vënë re se tani ai është me gjithë shpirt ministër i Jashtëm," lëvdon ai. Westerwelle depërton në tema, është ai angazhuar dhe përpiqet t'i zbatojë interesat gjermane në një Evropë që po ecën më fort drejt konvergimit. "Ai është një multilateralist i bindur, pra ai nuk angazhohet për veprime të veçuara të Gjermanisë. Kjo më duket me vend. Westerwelle është zhvilluar në post."

Ministerpräsidentenkonferenz zum Hochwasser Merkel und Westerwelle
Pranë kancelares Merkel Westerwelle ka pak liri veprimiFotografi: Reuters

Kancelare e fortë - ministër i Jashtëm i dobët?

Këtë vlerësim ka edhe shkencëtari i shkencave politike, Gunther Hellmann. "Westerwelle është ndërkohë një ministër i Jashtëm sovran", gjykon ai. Njëkohësisht, pranë Merkelit ai i ka pak liri veprimi. "Është e vështirë për një ministër të Jashtëm të mbledhë pikë me një kancelare, e cila ndërkohë e kryen me shumë rutinë punën e saj", deklaron politilologu i Universitetit të Frankfurtit

Kësaj i shtohet fakti që për shkak të Marrëveshjes së Lisbonës në zyrën e Kancelares janë përcjellë shumë kompetenca të politikës së jashtme. Merkeli di ta përdorë me shumë mjeshtëri pozicionin e saj të pushtetit, duke ia përcjellë ministrit të saj të Jashtëm vendimet më pak të këndshme të politikës së jashtme. . Kjo është qartësuar veçanërisht pas vendimit për Libinë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mars 2011. Westerwelle abstenoi në votimin për ngritjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi vendin e përfshirë nga lufta civile, së bashku me fuqitë me veto, Rusi dhe Kinë. Për këtë, kundërshtarët politikë dhe mediet e mbuluan me kritika. Në të vërtetë, thotë Hellmann, Merkeli dhe ministri i Jashtëm, Thomas de Maiziere kanë qenë të përfshirë thellësisht në marrjen e këtij vendimi.

Catherine Ashton dhe Guido Westerwelle
Catherine Ashton dhe Guido WesterwelleFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Kritikë ndaj Westerwelles

Politikani i politikës së jashtme i Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD, Rolf Mützenich bashkohet me këtë vlerësim. Edhe ai është dakord që Westerwelle është zhvilluar në post në katër vitet e fundit. Por në fund të legjislaturës ai ka të vështirë të thotë se ku pati vendosur pikërëndesa ministri i Jashtëm. Kështu, ai nuk e konkretizoi në praktikë konceptin e politikës së jashtme të qeverisë, të paraqitur në shkurt 2012. Vendet si Kina, Kazakistani ose Malaizia, ai i quajti "fuqi ndikuese" dhe i deklaroi si partnerë strategjikë, pa marrë parasysh gjendjen e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë atje, kritikon Mützenich. Por cilat objektiva ndiqen me këto vende, kjo mbetet e paqartë. "Ky koncept i fuqive ndikuese me sa duket është një manual për përcaktimin e shteteve që duhen furnizuar me armë", thotë Mützenich. Edhe strategjinë e tij të Amerikës Latine, Westerwelle nuk e avancoi. Gjëra të ngjashme mund të thuhen për raportin me Rusinë. Këtu, Westerwelle humbi shansin për ta mbështetur ish-presidentin Dimitri Medwedew dhe që ta mbështeste si duhet përpjekjen e tij për të krijuar një arkitekturë të re sigurie.

Dr. Rolf Mützenich
Rolf MützenichFotografi: DW

Westerwelle bëri premtimin se do të angazhohet për çarmatosjen atomike. Por kjo përpjekje kundërshtohet me dërgimin e armëve, që Gjermania bën në zona tensioni si Gadishulli arabik.

Doktrina e Merkelit

Në korrik 2011, vendimi i Këshillit të Sigurisë të Federatës, për të miratuar eksportin e 200 tankeve të tipit Leopard Arabisë Saudite, solli shqetësim dhe zemërim. Pak kohë para kësaj -në mars 2011, trupat saudite patën marshuar në shtetin fqinjë të Bahrainit, për ta ndihmuar mbretin që ta nënshtrojë kryengritjen kundër sundimit të tij.

Vendimi për ta furnizuar Riadin me armë buron nga e ashtuquajtura "doktrinë e Merkelit". Ajo thotë që Gjermania, në vend që të dërgojë ushtarë për të qetësuar konfliktet në zonat e krizave, furnizon me armë fuqitë rajonale, në mënyrë që ato ta marrin përsipër këtë detyrë.

Kancelarja federale e sqaroi këtë direktivë të re të politikës së jashtme për herë të parë në një fjalim që mbajti në Fondacionin Körber në Hamburg, në tetor 2011. "Shtetet që janë të gatshme që të angazhohen, ne duhet t'i aftësojmë. E them shprehimisht: kjo përfshin edhe eksportin e armëve." Në tetor 2012, Merkeli precizoi në një fjalim që mbajti përpara Bundeswehrit në Straußberg: "Ai që ndihet i përkushtuar ndaj sigurimit të paqes, por që nuk mund të marrë kudo në botë një rol aktiv për sigurimin e paqes, ai ka për detyrë që të ndihmojë partnerë të besueshëm, në mënyrë që ata ta marrin përsipër detyrën përkatëse."

Jean Asselborn dhe Guido Westerwelle
Jean Asselborn dhe Guido WesterwelleFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Edhe eksperti i politikës, Gunther Hellmann nuk sheh ndonjë deficit këtu: "Sipas mendimit tim, politika e Gjermanisë, ashtu si përkufizohet ajo për momentin në lidhje me përgjegjësinë globale, është krejtësisht në përputhje me rolin, historinë dhe kuptimin e potencialeve të pushtetit të Gjermanisë."

Ministri i Jashtëm, Westerwelle e mbështet këtë jo-angazhim. "Angazhimet ushtarake nuk duhet të jenë një mjet normal i politikës, por duhet të jenë përjashtimi i madh", tha ai në një intervistë. Ai preferon që ta kritikojnë se i mendon gjërat më shumë se rrënjësisht dhe herë pas here shpreh dyshime, "se sa të më akuzojnë që dërgova me mendjelehtësi ushtarë gjermanë në ndërhyrje në botën e jashtme."