1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

I vendosur në krizë: bilanc i Koalicionit të Madh qeveritar

Koalicioni i Madh qeveritar në Gjermani veproi në mënyrë të vendosur në krizën bankare- për të cilën përgjegjësi mban edhe vetë. Përndryshe, kancelarja Angela Merkel vendosi të veprojë me hapa të vegjël dhe siguroi nj

Koalicioni i Madh arriti më shumë se ç'pritej prej tij. Ne foto: nje laps i zi mbi nje laps te kuq, ngjyrat simbol te CDU dhe SPD

Koalicioni i Madh arriti më shumë se ç'pritej prej tij

Koalicioni qeveritar tregoi unitet me miratimin e ligjit që mbështet Marrëveshjen e Lisbonës

Pak para përfundimit të mandatit, koalicioni qeveritar i kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve tregoi edhe njëherë unitetin e tij. Megjithë fushatën elektorale i është hapur rruga një ligji shumë të rëndësishëm, i cili sipas kushteve të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese i siguron Gjermanisë aftësinë për të vepruar në Bashkimin Evropian. Dhe në Komisionin e Buxhetit të parlamentit opozita mbeti me duar bosh. Ajo deshi të fajësonte ministren e Shëndetësisë, Ulla Schmidt për shkak të përdorimit të automjetit të punës në pushimet e saj në Spanjë dhe ministrin e Ekonomisë Karl-Theodor zu Guttenberg për shpenzimin e të hollave të taksapaguesëve për përpilimin e një projektligji nga një zyrë avokatore. Megjithatë deputeti liberal i opozitës, Jürgen Koppelin deklaroi kryevarur se:

"Thjesht këtë çështje nuk po arrijmë ta çojmë përpara për shkak se koalicioni po mbrohet me vendosmëri. Siç duket këtu vlen: "Mos e godit ministrin tim Gutenberg e as unë nuk do ta godas ministren tënde Shmit".

Koalicioni i Madh mbijetoi nën kristjandemokraten Merkel

Që koalicioni kristiandemokrat-socialdemokrat do ta mbijetonte tërë periudhën legjislative nuk është pritur patjetër. "Ju nuk e merrni me mend seriozisht që socialdemokratët do të pranojnë të jenë në një qeveri nën drejtimin e Angela Merkelit." Kështu iu drejtua që në mbrëmjen e zgjedhjeve të shtatorit në vitin 2005 Gerhard Schrëderi pasueses së tij.

Megjithatë ndodhi ajo, që nuk e priste Schrëderi. Provën vendimtare kancelarja Merkel e kaloi gjatë krizës financiare. Lëvdata për menaxhimin e krizës dha edhe një ekspert financiar, ish-shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe president aktual të Gjermanisë, Horst Köhler:

"Dëshiroj të them që duke patur parasysh përmasat e krizës, qeveria ka reaguar shpejt dhe siç duhet, dhe në përputhje me dimensionin e saj."

Në rast nevoje pjesëtarët e koalicionit lanë mënjanë pikëpamjet e tyre ideologjike

Në rast nevoje pjesëtarët e koalicionit lanë mënjanë pikëpamjet e tyre ideologjike. Shumica prej dy të tretave në Bundestag u dëshmua si e dobishme: në këtë mënyrë u miratuan paketa koniunkturore, paketa për shpëtimin e bankave, kufizimi i të ardhurave të menaxherëve, bile edhe shtetëzimi i një banke të rëndësishme të pasurive të patundshme. Përndryshe aleanca qeveritare ka vuajtur për shkak se secili partner provonte të mblidhte pikë për zgjedhjet e ardhshme.

Bilanci i koalicionit të madh është më i mirë se imazhi i tij. Megjithatë edhe katër vite të tjera martesë me llogari nuk i dëshiron askush nga partitë e mëdha. Kancelarja gjermane Angela Merkel me dëshirë do ta nxirrte vendin nga kriza në bashkëqeverisje me Partinë Liberale FDP:

"Të gjitha këto mund t'i arrijmë më mirë me liberalët, sesa me koalicionin e madh, këtë hov ekonomik për njerëzit, për vendet e punës. Prandaj unë them: ne duhet të kemi një ndërrim të qeverisë, pa e thënë se koalicioni i madh nuk ka punuar mirë".

Merkeli prin në të gjitha anketat ndaj sfiduesit socialdemokrat

Për kristiandemokraten Angela Merkel ia kanë vlejtur katër vitet e qeverisjes së përbashkët me socialdemokratët. Në të gjitha anketat ajo prin dukshëm ndaj sfiduesit të saj socialdemokrat, katër vite të tjera për të si kancelare janë në prag, pavarësisht se me cilin partner koalicioni.

Autor: Bernd Gresler/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 28.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JKtE
  • Data 28.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JKtE