1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

I varfër në mes të pasurive

Po ta lejonte gjendja e sigurisë Iraku do të qe një ndër vendet më interesante e premtuese për investime në Lindjen e Mesme. Po dhe gjashtë vjet pas luftës ekonomia e Irakut të pasur me naftë vazhdon të jetë e shkretuar.

Rafineri nafte ne Irak

80% e të ardhurave nga nafta në Irak shpenzohen për rrogat e ushtrisë dhe të policisë

Kur përshkruajnë gjendjen ekonomike të Irakut, shumë ekspertë vendas janë të një mendimi se ekonomia është përtokë dhe i ngjan një rrënoje. Ata janë të një mendimi edhe në argumentimin se kjo është trashëgimia e vështirë e regjimit të vjetër të Saddam Husseinit. Sepse katër luftëra në 30 vjet dhe 13 vjet saksione të vazhdueshme ndërkombëtare lënë pas gjurmë të rënda, të cilat nuk mund të fshihen nga sot me nesër. Biznesmeni irakian dhe anëtari i kryesisë së shoqatës së sipërmarrësve të vendit, Mohammad Shaker Al Delaimi, e përshkruan gjendjen kështu: "Ekonomia funksionon akoma vetëm në disa fusha. Megjithatë sektori industrial pas luftës është shkatërruar krejtësisht“.

Edhe gjashtë vjet pas luftës furnizimi me energji elektrike nuk është siguruar ende

Gjurmët e shkretimit të ekonomisë janë të dukshme, sepse edhe gjashtë vjet pas luftës nuk është siguruar akoma furnizimi me energji elektrike. Dhe pa rrymë nuk mund të fillojë punën asnjë ndërmarrje. Përveç kësaj shumë ndërmarrje shtetërore janë produkt i planifikimit të gabuar dhe nuk i bëjnë ballë konkurrencës. Qeveria e ka të vështirë të privatizojë ndërmarrjet shtetërore, se cili investor është i gatshëm të marrë përsipër një ndërmarrje me 3000 punonjës, nëse për prodhimin nevojiten vetëm 600? Dhe papunësia në Irak është tepër e lartë. Qeveria ka ngritur një rrjet social për të mbështetur të varfërit, por ai është i pamjaftueshëm.

Afro 23 përqind të irakianëve jetojnë nën nivelin e varfërisë, pra ata fitojnë më pak se 60 dollarë në muaj

Problemi më i madh i ekonomisë irakiane është financimi i njëanshëm, sepse zhvillimi ekonomik qëndron apo bie me të ardhurat nga nafta. Afro 80 përqind e të ardhurave nga nafta shpenzohen për rrogat e nëpunësve të shtetit në ushtri dhe polici. Vetëm 20 përqind të të ardhurave janë parashikuar për zhvillimin ekonomik. E shprehur në dollarë kjo do të thotë: Në kryeqytetin irakian nga gjithsej 58 miliardë dollarët amerikanë vetëm 21 miliardë janë planfikuar për programet e rindërtimit.

Burra duke kryer rituale fetare në brigjet e lumit Tigër, Irak

Rituale fetare në brigjet e lumit Tigër, Irak

Turizmi fetar një minierë ari për Irakun

Por ka edhe lajme të mira, sepse dy sektorë të ekonomisë po përjetojnë prej vitit 2003 një bum të vertetë. Fjala është për turizmin fetar dhe sektorin e ndërtimit. Që prej rrëzimit të regjimit të Sadamit miliona pelegrinë mësyjnë vendet e shenjta të shiitëve në Qerbela dhe Naxhaf. Janë turistë të kamur nga Gjiri Persik dhe Irani. "Turizmi fetar është një minierë ari për Irakun. Zgjerimi i këtij sektori i sjell shumë të mira ekonomisë. Por ka edhe anët e saj negative." - thotë Mohammad Shaker Al Delaimi.

Në tre vitet e fundit vetëm në Qerbela dhe në Naxhaf janë ngritur më shumë se 500 hotele të reja nga investorë privatë. Shumë vende të reja pune janë krijuar kështu. Nga ana tjetër janë rritur shumë çmimet e tokave. Kështu një shtëpi në afërsi të vendeve të shenjta në Qerbela para luftës kushtonte rreth 20.000 dollarë. Sot e njëjta shtëpi kushton dy milionë dollarë dhe më shumë. Provinca Naxhaf ka prej pak kohësh një aeroport të vetin, kështu që turistët e huaj nuk kanë nevojë të udhëtojnë me makina në rrugë të rrezikshme.

Bum në sektorin e ndërtimit

Një bum të madh po përjeton edhe ndërtimi, sepse lufta ka lënë gjurmët e saj. "Irakut i nevojiten rreth 3,5 milionë banesa të reja. Ky është një numër relativisht i saktë. Eshtë planifikuar që investuesit privatë të ndërtojnë rreth 80% të nevojave. Ato do të ndërtojnë afro milionë apartamente deri në vitin 2014.“

Punetore duke ndertuar skela

Në Irak nevojiten rreth 3,5 milionë banesa të reja

I gjithë zhvillimi ekonomik në Irak varet nga dy faktorë; nga stabiliteti politik, sepse investitorët e huaj duan kushte të sigurta që të investojnë. Dhe nga çmimi i naftës. Plani i ri pesëvjeçar i qeverisë parashikon që Iraku në vitet e ardhshme të mos prodhojë më pak se 2,15 milionë fuçi nafte në ditë dhe ta shesë atë mesatarisht me 58 dollarë amerikanë pro fuçi. Ekspertët e ekonomisë në Irak vlerësojnë se vendit i duhen tani 20 vjet luftë, derisa ekonomia ta marrë pësëri veten.

Autor: Hasan Hussain/Ina Verbica
Redaktor: Dr. Pandeli Pani

  • Data 21.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IuTa
  • Data 21.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IuTa