1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

I forti i Serbisë do të zgjidhet president

Të dielën (02.04) serbët zgjedhin presidentin e ri. Me shumë gjasë do të fitojë ai që e ka të sigurtë fitoren, Aleksandar Vuçiq. Për opozitën do të ishte sukses edhe dalja në balotazh kundër kandidatit Vuçiq.

Serbien Aleksandar Vucic Autobahnbau E-763 (picture-alliance/Photoshot/N. Cabric)

I kudogjenduri

Ai është i kudogjendshëm, vetëinskenohet si politikan, që lufton i palodhur për të mirën e popullit. Kreu i qeverisë, Aleksandar Vuçiq dëshiron të bëhet tani edhe president i Serbisë, po të ishte për të që në raundin e parë. Përditë ai inaguron fabrika të reja, segmente autostradash, madje edhe një sallë sporti në një shkollë fshati ua dorëzon banorëve vetë Vuçiq. Bashkë me të udhëtojnë shumë gazetarë, nga të cilët shumë pak vetë guxojnë t'i bëjnë pyetje kritike, por edhe përkrahësit e partisë së tij, që e ndjekin pas me kolona autobusësh. Simpatizantët që punojnë në adminitratën publike marrin pushim. Partia e Progresit mendon për të gjitha.

Zlatko Minić nga „Transparency Serbia“ pyet, nëse duhet të jetë gjithmonë një funksionar i lartë ai që inaguron një shkollë apo një segment autostrade. „Raportojnë mediat për një rast të tillë, apo dëgjohet vetëm melodia e lavdisë për kryetarin?" Përgjigjen e ofrojnë statistikat -përveç një gazete me tirazh të vogël dhe një transmentuesi kabllor, të gjitha mediat ofrojnë himne lëvdatash për kryeministrin. Zyra për Studimet e Shoqërisë, një Think-Tank e Beogradit ka llogaritur se Vuçiqi zë më shumë kohë transmentimi, në lajmet televizive se 10 kandidatët e tjerë së bashku.

Pushteti shëtit me Vuçiqin

Kush i njeh zakonet e politikës ballkanike, mund të hutohet disi: Pse një politikan relativisht i ri (47 vjeç), që pretendon se është kryeministri më i suksesshëm në "historinë e re" serbe, do ta ndërrojë postin më të rëndësishëm në vend me atë të presidentit? Sepse si në Gjermani, edhe në Serbi, presidenti ka më shumë funksion përfaqësimi. Jovo Bakić nga Universiteti i Beogradit, Fakulteti i Filozofisë thotë se „në Serbi kushtetuta nuk ka ndonjë vlerë, Pushteti do të ndërrojë vend, varësisht se cilin post mban Vuçiqi." Mazhoranca është e fortë, një sërë partnerësh të koalicionit e mbështesin atë në garën presidenciale.

Por posti i presidentit ka në Serbi një efekt psikologjik, si autokrati, Slobodan Milošević, ashtu edhe demokrati, Boris Tadić qeverisnin më me dëshirë nga zyra presidenciale. Udhëheqja e qeverisë pastaj i jepet një marionete. E Vuçiq ka shumë të tillë në mesin e ministrave të tij. Sipas filozofit Bakić, „kemi në pushtet një garnityrë autoritare. Dështimi do të ishte një katastrofë e madhe për ta”.

Deutschland Angela Merkel und Aleksandar Vucic (Reuters/F. Bensch)

Me kandelaren Merkel - fotoja që i duhet kandidatit për president

Kryeministri akuzohet, se e trajton shtetin si pronën personale: Punët dhe tenderat ndahen sipas zemërgjerësisë së partisë, mediat përdoren si armë propagandistike, ndërkohë që pensionet shkurtohen dhe disa mijëra vetë largohen nga vendi. Jashtë vendit, Vuçiqi paraqitet si njeri pragmatik, si dikush që çon përpara reformat dhe garanton stabilitetin. Vëzhguesit shohin me sy kritik edhe vizitat e tij në Berlin e Moskë. Sipas tyre ai do vetëm të ofrojë pamje të bukura me politikanë të fuqishëm. Nëse vijnë kritika nga jashtë - Merkel e preku temën e lirisë së mediave dhe të drejtave të njeriut në Serbi - ato injorohen nga mediat vendase.

Lufta për balotazhin

Analistët zgjedhorë parashohin një fitore nga 50-60% për Vuçiqin. Prandaj thjesht dalja në balotazh do të ishte si një mrekulli e vogël, sepse konkurrenca e Vuçiqit nuk ka ndonjë përqasje të madhe në media, dhe më shumë bën fushatë-guerilase në rrjetet sociale.

Rivalët që mund t'i afrohen më shumë Vuçiqit janë: Ish-Avokati i Popullit, Saša Janković, i cili në pesë vitet e fundit ka dokumentuar shumë afera të qeveritarëve dhe rivalët politikë e kanë halë në sy. Tjetri: Vuk Jeremić, ish-ministër i Jashtëm, i cili në garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, u rendit i dyti pas António Guterres. Në çështjet kryesore të politikës serbe ata përgjigjen si Vuçiqi: Po për BE dhe bashkëpunimin me Rusinë, Jo për pavarësinë e Kosovës.

Serbien Belgrad - Wahlkampf: Links ein Billboard von Vuk Jeremic, rechts von Aleksandar Vucic (DW/I. Petrović)

Fushatë zgjedhore në Serbi

Pushtetarët shohin rrezik tek këta dy kandidatë. Gazetat e afërta me qeverinë i cilësojnë Janković dhe Jeremićin si “psikopatë”, "agjentë të huaj”, "kandidatë të NATO-s”.

Mesazhi i veshur me të bardha

Edhe dy kandidatë të tjerë luftojnë për vendin e dytë: nacionalisti radikal Vojislav Šešelj, dikur mentori politik i Vuçiqit dhe që u lirua nga Tribunali i Hagës në instancën e parë. Ndërsa politikani tjetër, më pak i njohur është Luka Maksimović. 27 vjeçari ka zgjuar vëmendje të madhe dhe entuziazmon sidomos rininë serbe. Ai paraqitet me pseudonimin Ljubiša Preletačević – i Bardhi, ai vesh kostume të bardha dhe parodizon politikanët: Herë premton të sjellë një det në Serbi, herë kërkon nga politikanët 720 milionë euro për mbështetjen që u jep. Analisti Dušan Janjić analizon fenomenin e Luka Maksimovićit. “Ai është një mesazh: Politikanët nuk janë për gjë. Basta.” Ka madje disa sondazhe që e shohin satirikun në vendin e dytë, me 12% të votave. Nëse Aleksandar Vuçiq nuk ia del në raundin e parë, serbët do të shkojnë sërish në kutitë e votimit më 16 prill.