1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

I dobishëm vetëm vendeve të pabesa? - SHBA-të nënshkruajnë me Poloninë një pakt për stacionimin e mburojës raketore

Ky pakt shihet me zemërim nga Rusia e cila e sheh atë si një kërcënim. Por nëse marrëveshja do të zbatohet vërtet kjo varet nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA në fillim të muajit nëntor.

Uashingtoni ka premtuar se do të stacionojë në Poloni sisteme të mbrojtjes nga ajri të tipit patriot

Uashingtoni ka premtuar se do të stacionojë në Poloni sisteme të mbrojtjes nga ajri të tipit "patriot"

Palët negociojnë për vendosjen e raketave mbrojtëse amerikane që prej vitit 2005. Me sa duket kriza e fundit në Kaukaz i mundi të gjitha dyshimet dhe çoi në një marrëveshje të shpejtë. Krahas dhjetë raketave Uashingtoni ka premtuar se do të stacionojë në truallin polak sisteme të mbrojtjes nga ajri të tipit "patriot", do të ndihmojë në modernizimin e forcave ushtarake polake dhe siç thuhet do të reagojë bashkë me Poloninë në rast kërcënimesh eventuale ushtarake.

Condoleezza Rice dhe presidenti polak Lech Kaczynski në ceremoninë e nënshkrmit të marrëveshjes për stacionimin e mburojës antiraketore amerikane në Poloni

Condoleezza Rice dhe presidenti polak Lech Kaczynski gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për stacionimin e mburojës antiraketore amerikane në Poloni

Ministrja e Jashtme amerikane Kondoliza Rajs shkoi në Varshavë për nënshkrimin e marrëveshjes. "Marrëveshja do të nënshkruhej sapo të bihej dakort për të gjitha pikat, dhe ne kemi rënë dakort", u shpreh ajo me kënaqësinë që më në fund plani po finalizohej. Rusët sigurisht që janë shumë të inatosur për këtë. Moska e ka refuzuar qysh në fillim planin amerikan për të stacionuar një pjesë të sistemit të tyre të mbrojtjes antiraketore në Poloni dhe Çeki. Ajo madje pati kërcënuar se nëse plani vihej në jetë, raketat ruse do të pozicionoheshin drejt objektivave në Evropë. Administrata Bush pranon tani një rëndim tjetër të marrëdhënieve amerikano-ruse të cilat mund të cilësohen të akullta qysh prej fillimit të krizës së Kaukazit.

Ç'e shtyn Uashingtonin për zgjerimin e mburojës antiraketore?

Synimi i qeverisë Bush është krijimi i fakteve përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane në fillim të muajit nëntor. Për më tepër që projekti "mburoja raketore" sipas interpretimit zyrtar nuk drejtohet aspak kundër Moskës, ka theksuar në mënyrë të përsëritur presidenti Bush:

"Shërbimet tona sekrete vlerësojnë se Irani me ndihmë të vazhdueshme nga jashtë do të përfundojë deri në vitin 2015 ndërtimin e raketave ndërkontinentale të cilat mund të arrijnë Amerikën dhe gjithë Europën."

Pra është vetëm frika ndaj të ashtuquajturave shtete armike që shtyn Uashingtonin në zgjerimin e mburojës antiraketore: "Rusia ka qindra raketa transportuese dhe mijëra koka eksplozive. Ndërsa ne flasim për 10 raketa mbrojtëse në Europë. Ky raport flet vetë."

Një dobi e paqartë

Xhorxh W. Bush mbetet në pozicionin e tij: programi i tij i mbrojtjes raketore është sipas pikëpamjes amerikane dyfish i dobishëm. Ai u vjen në ndihmë fqinjëve pro perëndimorë të Rusisë dhe shton sigurinë e SHBA-ve. Por jo të gjithë e shohin kështu këtë program. Eksperti ushtarak Xhon Pajk (John Pike) nga shërbimi në internet "globalsecurity.org" e sheh projektin të padobishëm:

"Raketat iraniane do të ishin jashtë rrezes së veprimit të sistemeve të stacionuara në Poloni. Edhe pjesa më e madhe e raketave ruse nëse do të niseshin nga Sibiria apo pjesë të tjera të Rusisë nuk do të mund të ndaleshin."

Një argument më shumë për kandidatin demokrat për president në SHBA, senatorin Barak Obama. Ai ka lënë të kuptohet se në rast se do të zgjidhej president i SHBA do të shkurtonte në mënyrë drastike shpenzimet për "sisteme të paprovuara mbrojtjeje nga raketat." Duket pra se marrëveshja amerikano-polake do të kishte një mundësi reale të vihej në jetë vetëm nëse zgjedhjet presidenciale në SHBA do të fitoheshin nga kandidati republikan, përfaqësues i linjës së ashpër, senatori Xhon Mekein (John McCain).

  • Data 20.08.2008
  • Autor Carsten Schmiester
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F1RX
  • Data 20.08.2008
  • Autor Carsten Schmiester
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F1RX