1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

I biri i Gaddafit vritet në sulmet e NATO - NATO nuk mund të konfirmojë lajmin

Sipas të dhënave të qeverisë së Libisë prej një sulmi ajror të NATO-s në Tripoli është shkatërruar një nga shtëpitë e Muammar al-Gaddafit dhe është vrarë një nga djemtë dhe tre nipa të tij.

default

Në shtëpinë e bombarduar prej avionëve ushtarakë të NATO-s gjetën vdekjen djali i tij i vogël Saif al-Arab si edhe tre nipa të Gadafit.

Muamar al-Gadafi dhe e shoqja mezi ia arritën t'i shpëtonin vdekjes, ndërsa në shtëpinë e bombarduar prej avionëve ushtarakë të NATO-s gjetën vdekjen djali i tij i vogël Saif al-Arab si edhe tre nipa të Gadafit. Zëdhënësi i qeverisë, Mousa Ibrahim, u shpreh: "Sulmi pati si pasojë martirizimin e vëllait tonë Saif al-Arab al-Gaddafi, 29 vjeç. Përveç tij vdiqën edhe tre nipa të udhëheqësit."

Saif al-Arab al-Gaddafi është djali i vogël i Gaddafit. Sipas zëdhënësit të qeverisë, Mousa Ibrahim, vetë Gaddafi dhe e shoqja janë në gjendje të mirë dhe nuk janë plagosur. NATO konfirmoi në Bruksel se aleanca kishte ndërmarrë sulme ajrore kundër një ndërtese qeveritare, por nuk dha ndonjë të dhënë për viktima. Komandanti i NATO-s, Charles Bouchard, tha se objektivat ushtarakë të aleancës janë të natyrës ushtarake dhe synojnë të pengojnë sulmet sistematike të regjimit ndaj popullatës. Zëdhënësi i qeverisë, Mousa Ibrahim, tha se sulmi i drejtpërdrejtë ndaj Gadafit është shkelje e së drejtës ndërkombëtare."Kjo ishte një përpjekje e drejtpërdrejtë për të vrarë udhëheqësin tonë. Kjo nuk lejoihet as nga e drejta ndërkombëtare dhe as nga ndonjë kod moral."

Televizioni shtetëror libian transmetoi pamje demonstruesish në Tripoli, që kërkojnë hakmarrje për djalin e vrarë të Gaddafit.

Kurse në Bengasi kryengritësit hodhën fishekzjare dhe e festuan këtë lajm me të shtëna në ajër."Ky është një gëzim i madh, por edhe i madh do të jetë ai për vdekjen e Gaddafit." - tha një nga rebelët.

Rusia i kritikoi sulmet ajrore të NATO-s. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Moskë thuhet, se ka dyshime ndaj deklaratës së aleancës, sipas së cilës objektivi i NATO-s "nuk është shkatërrimi fizik i Gaddafit dhe i anëtarëve të familjes së tij". Vdekja e anëtarëve të familjes së Gaddafit është në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit, e cila lejon vetëm sulme në mbrojtje të popullsisë civile.

Zëdhënsja e NATO-s, Carmen Romero, ritheksoi edhe një herë për TV Al Xhazira se "NATO po plotëson me precizion dhe kujdes mandatin e saj për të ndaluar dhe mbrojtur sulmet ndaj civilëve, ndryshe nga forcat e Gaddafit që po shkaktojnë kaq shumë vuajtje."

Pas lajmeve për vrasjen e djalit të Gaddafit njoftohet se në Tripoli janë sulmuar prej demonstruesve që kanë ushtruar akte vandalizimi disa ambasada të huaja, si ambasada britanike, ajo italiane apo zyrat e OKB-së. Për shkak të trazirave në Tripoli OKB-ja njoftoi evakuuimin e stafit të saj ndërkombëtar nga kryeqyteti i Libisë, kurse ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe ka vendosur shpalljen e ambasadorit të Libisë në këtë vend si person të padëshirueshëm dhe dëbimin e tij nga Britania e Madhe.

  • Data 02.05.2011
  • Autor Linda Staude/ Dr. Pandeli Pani
  • Fjalët kyç NATO, Libyen
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/117Xx
  • Data 02.05.2011
  • Autor Linda Staude/ Dr. Pandeli Pani
  • Fjalët kyç NATO, Libyen
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/117Xx