1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hyseni përfundon vizitën në Tiranë

Kosova është gati të bashkëpunojë me Serbinë dhe të marrë pjesë me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor në nisma rajonale dhe evropiane. Por, nuk do të negociojë kurrë për statusin dhe ndarjen e Kosovës.

Ilir Meta dhe Skender Hyseni

Ilir Meta dhe Skender Hyseni

Deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, në Tiranë përkojnë në kohë më takimin po sot në Beograd të Ministrave të jashtëm të Spanjës, kryesuese e radhës së Presidencës së BE- së, Serbisë dhe Turqisë për të gjetur një zgjidhje lidhur me mënyrën e paraqitjes së Kosovës në konferencat ndërkombëtare rajonale. Këto përpjekje të BE janë përqëndruar tani në mundësimin e pjesëmarrjes të Serbisë dhe të Kosovës në Samitin e Sarajevës, që zhvillohet më 2 qershor.

Qëndrimi i Prishtinës është shprehur qartë në Tiranë

Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni tha pas përfundimit të bisedimeved me zv. Kryeministrin dhe ministrin e jashtëm Ilir Meta, me ftesë të të cilit ai erdhi në Tiranë: " Kosova do të bashkëpunojë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Por ajo nuk do të bashkëpunojë asnjëherë dhe me askënd për të diskutuar pavarësinë e saj dhe po kështu edhe ndarjen e Kosovës."

Bashkëpunimin me Serbinë Ministri i Jashtëm i Kosovës, e ka parë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, të aspiratës së dy vendeve fqinjë për integrim në strukturat euro- atlantike. Gjithsesi ai ka qartësuar se një bashkëpunimi Kosovë - Serbi është i mundur në kuadrin e marrëdhënieve "të dy vendeve fqinjë, të lira, të barabarta dhe të pavarura".

Marrëdhëniet Tiranë- Prishtinë në plan rajonal dhe dypalësh

Përtej deklaratave me kontekst rajonal takimet e kreut të diplomacisë së Kosovës me autoritetet më të larta të Tiranës kanë sjellë rikonfirmimin e mbështetjes së gjithanshme të Shqipërisë, ndaj ecurisë demokratike të Kosvës dhe proceseve te saj integruese euro-atlantike. Burime zyrtare nga Presidenca pohojnë për DW se në takimin me dyert të mbyllura Topi- Hyseni, Presidenti i Shqipërisë ka premtuar mbështetje ndaj Kosovës për harmonizimin e legjislacionit të saj me atë të BE-së.

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka artikuluar mbështetje në zbatimin e ligjit dhe të rendit publik. " Shqipëria mbështet plotësisht angazhimin e autoriteteve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në gjithë territorin e Kosovës dhe për sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për të gjithë qytetarët e saj," tha Ilir Meta. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësisë që ka për progresin demokratik të Kosovës konsolidimi i institucioneve demokratike dhe funksionimi i tyre në të gjithë territorin e saj, pa lënë jashtë vëmendjes integrimin e gjithë komuniteteve etnike, përfshirë atë serb në këto institucione.

Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe Tiranë- Prishtinë, dhe sidomos ato në fushën e ekonomisë të dyja palët ndanë të njejtin vlerësim për impulsin, që do t`u japë këtyre marrëdhënieve vazhdimi i autostradës Durrës- Kukës në territorin e Kosovës. Në takimet që Ministri i Jashtëm i Kosovës me autoritetet e larta të Tiranës, të dyja palët e konsideruan përfundimin e autostradës Shqipëri - Kosovë bazë për lulëzimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe me gjithë vendet e tjera të rajonit. Në shërbim të këtij qëllimi do të jenë edhe tri pikat e reja kufitare që Shqipëria do të hapë me Kosovën. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ministri i jashtëm i Kosovës, Hyseni u prit edhe nga kryeministri Berisha dhe kryetarja e Parlamentit, Topalli.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 20.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N1O9
  • Data 20.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N1O9