1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hyrja sot në Parlament e deputetëve opozitarë të PS vjen pas një bojkoti 6 mujor

25 Shkurt 2010

Ish kryetarja e grupit parlamentar të PS, në legjislaturen e kaluar Valentina Leskaj, në një intervistë për DW thotë se PS hyn sot në Parlament për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive.

https://p.dw.com/p/MB4T
Selia e Partisë Socialiste në Tiranë
Selia e Partisë Socialiste në TiranëFotografi: DW

Deutsche Welle : Zonja Leskaj, sot ju dhe gjithë deputetët e PS, hyni në Parlament, pas një bojkoti prej gjysëm viti të Parlamentit, të dalë nga zgjedhjet e 28 Qershorit të kaluar. Çfarë ndikoi që PS mori këtë vendim?

Valentina Leskaj:

Qëllimi i hyrjes sonë sot në Parlament është hapja e kutive.Gjatë këtyre 6 muajve PS ka përdorur instrumenta të ndryshëm demokratikë për të bërë presion mbi qeverinë, që për zgjedhjet e 28 qershorit të ketë transparencë. Pasi transparenca e zgjedhjeve është themeli i një shoqërie demokratike. Vendimi i djeshëm është marrë edhe në rrethana të caktuara. Kjo do të thotë, që ka ndikuar pa dyshim edhe rezoluta e Këshillit të Europës dhe gjithë mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe vizita e ditëve të fundit të Hannes Svobodes, Zv.President i Grupit të madh Socialist në Parlamentin Europian. Natyrisht nuk është se na ka detyruar faktori ndërkombëtar të futemi, sepse PS është një forcë konstruktuive që mban marrdhënie serioze partnertiteti me partnerët ndërkombëtarë.

Deutsche Welle:

Për çfarë shkoni sot konkretisht në Parlament, Zonja Leskaj?

Valentina Leskaj:

Ne shkojmë për të paraqitur një projektligj dhe një projektvendim. Projektligji ështe dhe do të jetë edhe në të ardhmen garant i transparencës së zgjedhjeve. Ai formulon qartë dhe pastër që sa herë kërkohet transparenca për atë që ka ndodhur në zgjedhje, qofshin këto parlamentare apo lokale, transparenca duhet të jetë e garantuar. Me këtë projektligj ne nuk garantojmë vetëm PS, por transparencën dhe standartet demokratike të vendit, tentojmë të ardhmen demokratike të vendit. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, nuk kemi kërkuar dhe nuk kërkojmë që të ndërrohet qeverisja. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që t’i jepet fund një herë e mirë abuzimit me zgjedhjet. Vështrimi i PS është nga e ardhmja europiane e vendit dhe jo nga e shkuara. Ne po dëshmojmë që jemi një opozitë konstruktive, realiste, me standarte, e cila synon vendosjen e standarteve demokratike, e cila kontribon për vendosjen e një demokracie funksionale, që është themeli i një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtar në BE. Projektvendimi që do të paraqesim sot, bashkë me projektligjin, ka të bëjë me ngritjen e një komisioni hetimor të pakushtëzuar dhe të pakufizuar. Këtë të drejtë ne na e jep Kushtetuta e vendit. Është në të drejtën tone të kërkojmë një komision të pakufizuar dhe të pakushtëzuar, që do të bëjë transparencën jo për të sjellë PS në pushtet por për t’i dhënë fund njëherë dhje përgjithmonë abuzivizmit në zgjedhje.

Deutsche Welle:

Pra, qëndrim i opozitës në Parlament, do të jetë i kushtëzuar pas ditës së sotme?

Valentina Leskaj:

Po, do të vija edhe tek kjo pikë. Padyshim po shkojmë në Parlament jo për të ikur, por për të paraqitur këto kërkesa. Nëse këto kërkesa nuk do të pranohen nga maxhoranca, ne nuk do të jemi në Parlament për sa kohë që nuk kemi një përgjigje nga maxhoranca. Ditën që maxhoranca do të pranojë kërkesat tona ne do të jemi në Parlament.

Deutsche Welle:

Nëse komisioni hetimor parlamentar, nuk do të ketë në mandatin e tij, hapjen e kutive të votimit, a do të jetë PS pjesë e këtij komisioni?

Valentina Leskaj:

Komisioni ligjërisht e ka mandatin për t’i hapur kutitë, vetëm nëse ndalohet nga kryeministri. Natyrisht ne nuk do të jemi aty për t’ u bërë fasadë e Berishës sepse integrimi në BE nuk duhet të përdoret siç është përdorur anëtarësimi në NATO, si dekoratë për kryeministrin.

Intervistën e zhvilloi Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama