1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hungaria u shpall luftë OQJ-ve

Kryeministri hungarez Orban dhe partia e tij Fidesz po u kundërvihen ashpër OQJ-ve, kryesisht atyre që u kushtohen të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve dhe që kritikojnë ashpër sistemin politik autoritar të tij.

Në mes të janarit nënkryetari i partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban nënshkroi  ndalimin e tri OJQ-ve të themeluara nga Fondacioni Soros - organizatën e të drejtave të njeriut "Komiteti i Helsinkit", Unionin hungarez "TASZ " (Civil Liberties Union) dhe organizatën e anti-korrupsionit Transparency International. Një projektligj është vendosur në agjendën e legjislativit për në pranverë.

Lufta ka nisur me kohë

Qysh në vitin 2014 Orban nxiti edhe hetimet ndaj fondacioneve të financuara nga Norvegjia duke i deklaruar si "aktivistë politikë" të grupeve të shoqërisë civile, që financohen nga bota e jashtme. Shefi i pushtetshëm i kabinetit të Orbanit, János Lázár, një vit më parë pati përpiluar një listë të zezë duke renditur në të organizatat civile të cilësuara si "problematike".

"OJQ-të janë ndër të paktat forca që ende kanë mbetur në Hungari, që janë në gjendje të bëjnë diçka në mbrojtje të demokracisë", thotë drejtorja ekzekutive e organizatës TASZ, Stefánia Kapronczay. Në një deklaratë TASZ e quan këtë qendrim një "pikë kritike në fushatën e qeverisë kundër të drejtave të lirisë", Kapronczay e cilëson këtë si një "putinizim të Hungarisë".

Në vitin 2015 prokurori i përgjithshëm rus i deklaroi dy fondacione të Sorosit si "të padëshiruara". Të prekura ishin fondacionet "OSI Assistance Foundation" dhe "OSF". Të dyja këtyre organizatave u është ndaluar aktiviteti në Rusi. Këtë masë prokuroria e përgjithshme e pati argumentuar, se fondacionet e Sorosit me aktivitetin e tyre rrezikojnë bazat e rendit kushtetues dhe sigurinë e Rusisë.

Soros nga hero në persona non grata

OQJ-të e vëna në shënjestër në Hungari mbështeten kryesisht nga "Fondacioni i Shoqërisë së Hapur" (OSF) të miliarderit amerikano-hungarez, George Soros. Ky i fundit dikur në fillim të viteve 90-të u brohorit si një çlirimtar në Hungari. Duke ndihmuar rënien e komunizmit, duke siguruar makinat fotokopjuese për botimet e opozitës liberale Samizdat, ai mori përsipër themelimin e  Universitetit prestigjoz të Evropës Qendrore në vendlindjen e tij në Budapest dhe e ktheu qytetin në një qendër rajonale për Fondacionet e tij të Shoqërisë së Hapur (OSF) një rrjet i madh bashkëpunimi për mbi 60 OJQ në Hungari.

Por qëkurse vizioni i kryeministrit hungarez Viktor Orban po kërcënohej prej globalizimit të demokracisë liberale, Sorosi 86 vjeçar u shpall persona non grata në Hungari, dhe idealet e "Shoqërisë së Hapur" u vunë në shënjestër.