1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hungaria - Ndërmjet Rusisë dhe BE

Marrëdhëniet mes Hungarisë e BE janë të ftohta. Për herë të parë të hënën Angela Merkel shkon në Budapest për t'u takuar me Viktor Orbán. Kjo nuk është një vizitë normale, sepse kreu i qeverisë tenton drejt Rusisë.

Hungaria prej vitesh ka qenë një shqetësim politik për Bashkimin Evropian. Kryeministri Viktor Orban, që erdhi në pushtet në fillim të vitit 2010 me një shumicë prej dy të tretash, e ka ndryshuar vendin në kundërshtim me shumë vlera themelore të BE-së. Që atëherë marrëdhëniet mes Hungarisë dhe BE dhe shteteve të tij anëtare janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme. Edhe marrëdhëniet me Gjermaninë, partnerin më të rëndësishëm ekonomik dhe për kohë të gjatë dhe politik të Hungarisë, janë dëmtuar.

Pavarësisht nga këto kancelarja gjermane Angela Merkel shkoi të hënën për një vizitë të shkurtër në Budapest, për herë të parë që prej ardhjes në pushtet të Orbanit. Kjo është një vizitë befasuese, pasi Merkel një vit më parë hezitoi të shkojë në Hungari për të marrë pjesë në festimet e 25 vjetorit të rënies së Perdes së Hekurt. Edhe pse Budapesti insistonte për pjesëmarrjen e saj.

Merkel në një vizitë pesëorëshe

Gjatë qëndrimit të saj vetëm pesë orë ajo takon kryeministrin e Hungarisë në një darkë pune, si dhe presidentin János Áder, përfaqësues të komunitetit hebre si dhe studentë. Sipas njoftimit të shkurtër të zyrës federale të shtypit Merkel dhe Orban do të diskutojnë për "çështje dypalëshe dhe evropiane, për zhvillimet aktuale në Hungari dhe gjendjen në Ukrainë."

Merkel me presidentin János Áder në Berlin

Merkel me presidentin János Áder në Berlin

Zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltán Kovács nuk është shumë më i qartë: "Gjermania është partneri më i rëndësishëm strategjik i Hungarisë", tha Kovács. "Ndryshimi i tanishëm i situatës gjeopolitike, situatës në Ukrainë, por edhe politika energjetike dhe marrëdhëniet e ngushta ekonomike gjermano-hungareze janë faktorë, që flasin vetë për vizitën e kancelares gjermane në Budapest."

RTL i duket qeverisë Orbán shumë kritik

Në një bisedë me Orban, Angela Merkel pritet që të mos e fshehë atë që mendon për zhvillimet e brendshme politike në Hungari. Në lidhje me këtë ajo është pozicionuar në mënyrë kritike edhe më parë. Në takim do të flitet për çështjen e lirisë së shtypit si dhe për "rastin RTL". Vitin e kaluar qeveria futi një taksë mbi të ardhurat nga reklamat, që prekin kryesisht stacionin televiziv me kuotat më të larta të shikueshmërisë, RTL. Që atëherë ai kaloi befas nga një linjë apolitike në një linjë kritike ndaj qeverisë. Tani qeveria Orbán ka ndërmend të ulë taksat e reklamave për RTL. Momentalisht shefi i kancelarisë së Orban-it, János Lázár, po diskuton me kryesinë e RTL-it në Luksemburg rreth kësaj çështjeje.

Edhe shprehjet e fundit ksenofobe të Orban-it mund të jenë temë diskutimi. Kryeministri hungarez tha pas sulmeve të Parisit, se Evropa duhet të ndalojë emigracionin e njerëzve nga kultura të tjera. Vendi i tij gjithsesi duhet të mbetet i hungarezëve.

Temë e nxehtë sanksionet kundër Rusisë

Me të vërtetë vizita e Merkelit në Budapest duhet të ketë të bëjë në rradhë të parë me luftën në Ukrainë dhe me sanksionet kundër Rusisë, besojnë vëzhguesit. Si anëtar i BE, Hungaria i ka miratuar deri tani ato me zor, po jo pa theksuar se është kundër tyre. Ato dëmtojnë interesat ekonomike të Hungarisë, si dhe të Bashkimit Europian dhe s'arrijnë asgjë politikisht, është ankuar disa herë Orbán muajt e fundit. "Vizita e Merkelit në Budapest është për këtë arsye një lloj testimi", tha ish -iplomati dhe eksperti i politikës së jashtme Attila Ara-Kovacs. "Kancelarja gjermane do të zbulojë se deri ku shkon Orbán dhe nëse mund ta mbajë atë nën kontroll."

Për të reduktuar varësinë ekonomike nga BE Orbán kërkon prej kohësh marrëdhënie më intensive me Rusinë

Për të reduktuar varësinë ekonomike nga BE Orbán kërkon marrëdhënie më intensive me Rusinë

Këtu nuk është fjala vetëm për çështjen e sanksioneve, momentalisht shumë e diskutuar në BE, por në përgjithësi për "politikën e hapjes së Hungarisë në lindje". Për të reduktuar varësinë ekonomike të Hungarisë nga BE, Orbán kërkon prej kohësh marrëdhënie më intensive me Rusinë, Kinën, sidhe Azerbajxhanin, Turkmenistanin dhe Kazakistanin.

Marrëveshja e Orbánit me Putinin

Rusia luan në këtë politikë rolin kyç. Me Putinin Orban gjatë vizitës së tij në Moskë para një viti ra dakord për një kredi prej dhjetë miliardë eurosh për zgjerimin e centralit bërthamor në Paks në jug të Budapestit. Në një fjalim verën e kaluar Orbán lavdëroi Rusinë si model suksesi dhe bëri në të njëjtën kohë të ditur, se në Hungari tani e tutje do të ndërtohet një "shtet joliberal, vlerat kryesore të të cilit janë kombi, komuniteti dhe puna. Kohët e fundit Orbán është shprehur se organizatat joqeveritare, që janë aktive në Hungari dhe marrin para nga jashtë, duhet të kenë një regjistrim të posaçëm, ngjashëm si në Rusi.

Duket si një lojë pokeri e politikës së jashtme, që vetëm dy javë pas kancelares gjermane, më 17 shkurt në Budapest vjen presidenti rus Vladimir Putin. Zëdhënësi i qeverisë, Zoltán Kovács, thotë se në rradhë të parë do të bëhet fjalë kryesisht për politikën energjetike hungareze. Akoma nuk janë sqaruar të gjitha detajet e marrëveshjes së fshehtë për zgjerimin e centalit bërthamor në Paks. Megjithatë, thotë Kovács, këtë vit përfundon kontrata për furnizimet e Hungarisë me gaz rus. Do të negociohen kontrata të reja dhe Rusia është partner kyç i Hungarisë për energjinë. Temat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Rusi Hungaria nuk do t'i cekë, thotë Kovács, ato janë çështje të brendshme të Rusisë. Por vizita e Putinit në Budapest nuk do të thotë se Hungaria vë në ndonjë farë mënyre në diskutim detyrimet evropiane dhe euroatlantike të Hungarisë.

Por pikërisht këtë do të arrijë Putini, mendon sociologu hungarez Pál Tamás, prej kohësh një ndër njohësit më të mirë të marrëdhënieve hungarezo-ruse. "Sipas filozofisë shtetërore ruse Orbán është si Jonasi i Biblës, i cili u gëlltit nga peshku i madh, pra në këtë rast BE, dhe jep shenja prej stomakut të tij", thotë Tamás. "Meqenëse në stomakun e balenës janë edhe të vegjël të tjerë, shenjat e Orbánit mund t'i inkurajojnë edhe ata. Kjo do t'i pëlqente Putinit."