1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hungaria ka një kryetar të ri qeverie

Gordon Bajnai zgjidhet me votë mosbesimi

default

Kryeministri i ri hungarez Gordon Bajnai duke bërë betimin në parlament.

Në Hungari u zgjodh kryeministër ministri i ekonomisë, deri tani pa parti, Gordon Bajnai (Bòjnoj). Më parë, parlamenti i Budapestit i i hoqi votëbesimin kryeministrit Ferenc Gyurcsany. Me këtë rokadë, socialistët në pushtet synojnë të pengojnë zgjedhjet e parakohshme, në të cilat sipas sondazheve, do të humbisnin. Bajnai do të qëndrojë në post deri në zgjedhjet e reja të planifikuara në prill ose maj të vitit 2010.


Kryeministri i ri i Hungarisë quhet Gordon Bajnai. Para një ushtari me flamurin hungarez, 41 vjeçari pa parti bëri të martë pasdite (14.04) para parlamentit hungarez betimin. Me anë të heqjes së votëbesimit, 204 deputetë të socialistëve dhe liberalëve e larguan nga posti parardhësin Ferenc Gyurcsany dhe e kurorëzuan kryeministër Bajnai-n. Në fjalimin e tij, eksperti i ekonomisë u bëri thirrje edhe njëherë për bashkëpunim parlamentarëve:


"Si drejtues i qeverisë së menaxhimit të krizës unë jam i hapur për çdo bashkëpunim me të gjithë. Askush nuk është jolegjitim, nëse kërkon të zgjidhë krizën. Unë u kam kërkuar shefave të partive: ne duhet të ulemi në një tryezë dhe të vrasim mendjen se çfarë mund të bëjmë së bashku, dhe kjo jo kundër njëri-tjetrit, por në interes të vendit. Unë kam propozuar një pushim zjarri, sepse për sulme vendi nuk ka as kohë, as para."


Bajnai synon të qeverisë me ritëm të shpejtë. Që në ditët e ardhshme kabineti do të konsultohet për programin e kursimeve të 41-vjeçarit. Bajnai planifikon kursime masive në shpenzimet sociale dhe në pensionet. Në sektorët kyç Bajnai vendosi specialistë të ekonomisë.


Proteste in Ungarn bei Wahl des neuen Premierministers Gordon Bajnai

Policia hungareze u përpoq t'i mbante demonstruesit jashtë zonës së ndërtesës së parlamentit.

Para parlamentit demonstruan rreth 5 mijë mbështetës të opozitës dhe radikalë të djathtë. Policia përdori gazin lotsjellës, sepse pati demonstrues që u përpoqën të prishin gardhin përreth parlamentit.


Shumë demonstrues qenë ngritur herët në mëngjes, për të protestuar kundër procedurës parlamentare, me të cilën socialistët mund të rrinë në pushtet deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare pas një viti. Ky burrë vjen nga Keszthely. Ai thotë:


"Jemi të hidhëruar. Jetojmë në kushte të këqia. Kam punuar 42 vjet- për të mos marrë as 200 Euro pension. Këtu nuk është e mundur të zgjedhësh një kryeministër normal. Këta janë të gjithë kriminelë."


Opozita kishte javë që po nxiste atmosferën për zgjedhje të parakohshme. Me sulme personale, partia më e madhe e opozitës, Fidesz bëri në parlament një bilanc shkatërrimtar të 7 viteve qeveri socialiste. Kryeministri që po largohet nga posti, Ferenc Gyurcsany i socialistëve e regjistroi këtë atmosferë në fjalimin e tij para deputetëve:


"Urrejtja, përçmimi, përpjekja për t'ia kaluar tjetrit dhe për ta spostuar e rrezikon bashkësinë në masën më të madhe. Gara politike nuk duhet të bëhet në kurriz të së mirës së përgjithshme. Kur qytetarët dhe politikanët nuk e kuptojnë këtë, ata e dëmtojnë vendin më shumë se një deficit i lartë dhe një rritje e ulët ekonomike."


Me zë të mallëngjyer nga lotët u nda socialisti nga kolegët e partisë së tij dhe kërkoi mbështetje për kabinetin e pasardhësit të tij, Gordon Bajnai. Gyurcsany do të drejtojë në të ardhmen fondacionin politik të socialistëve.

Autor: Stephan Ozsvath / Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 15.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HXVM
  • Data 15.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HXVM