1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungaria dhe eksodi nga Kosova

Keno Verseck / Auron Dodi14 Shkurt 2015

Kufiri serbo-hungarez është porta e hyrjes për refugjatët nga Kosova në BE. Megjithëse shumica e kosovarëve e përdorin Hungarinë vetëm si tranzit, atje është shtuar rezistenca kundër migrantëve.

https://p.dw.com/p/1EbWy
Refugjate nga Kosova ne Budapest
Fotografi: REUTERS/B. Szabo

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë hungareze në pushtet, Fidesz, Antal Rogan, pati zgjedhur për konferencën e tij të shtypit një vend të veçantë: një platformë treni, në Stacionin Lindor hekurudhor të Budapestit. Në një kohë kur gazetarët e pranishëm prisnin të shfaqej Rogani, ata u bënë dëshmitarë -- me siguri jo rastësisht- të një ndodhie kur policë të sigurisë kontrolluan një familje nga Kosova - dhe e morën në arrest. Kur pak më vonë Rogani doli para mikrofonëve, ai fillimisht foli për "shifra alarmante migrantësh" dhe për ligje më të ashpra për migrantët. Migrantët ilegalë, kërkoi Rogani, në të ardhmen duhet të qendrojnë për aq kohë në arrest policor, deri sa të jetë vendosur për procedurën e tyre të azilimit. Në rast nevoje Hungaria duhet t'i ashpërsojë ligjet e saj edhe kundër ligjeve në fuqi të BE.

Dalja e Roganit të martën (10.02.) është pjesë e një fushate të politikanëve qeveritarë hungarezë kundër migrimit. Sinjalin për nisjen e fushatës e dha kryeministri Viktor Orban në fillim të janarit, pas atentateve terroriste në Paris: "Migrimi me motive ekonomike për në Evropë është një gjë e keqe. Ai nuk sjell asnjë dobi, vetëm fatkeqësi dhe rrezik. Prandaj migrimi duhet ndalur. Si kryeministër unë nuk do të lejoj, që Hungaria të bëhet vend migrantësh. Ne nuk duam të shohim këtu minoritete, që dallohen nga ne në tiparet kulturore. Duam ta ruajmë Hungarinë si Hungari."

Merkel zu Gast bei Orban 02.02.2015 Budapest PK
Fotografi: Reuters/L. Balogh

Fjalë që janë të afërta me parrullat e partisë ekstremiste të djathtë Jobbik, e cila në zgjedhjet parlamentare në prill 2014 u bë forca e tretë politike në vend, me rreth 20 përqind të votave. Jobbik ka shumë vjet që kërkon ashpërsimin e ligjit të migrimit dhe me parullën "Hungaria hungarezëve" mbledh me sukses vota.

Kjo në një kohë kur Hungaria, me ligjet e saj të rrepta bën pjesë në vendet e BE me numrin më të vogël të azilkërkuesve dhe të migrantëve. Vitin e kaluar në Hungari kërkuan azil 43.000 vetë- vetëm 500 vetëve iu njoh azili. Megjithatë, ngjashëm si në shtetet e tjera të BE, edhe në Hungari tendenca tregon për lart: në vitin 2012 Hungaria kishte vetëm 2.200 azilkërkues. Me "eksodin" e njerëzve nga Kosova, shifrat në fillim të vitit u shtuan edhe njëherë: që prej janarit, autoritetet hungareze kanë regjistruar 25.000 refugjatë të ardhur në mënyrë ilegale- 13.000 prej tyre paraqitën kërkesë për azil në Hungari.

Qeveria përpiqet ta përdorë temën e migrimit për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e korrupsionit dhe masat jopopullore që ka marrë kohët e fundit (taksa për internetin, taksa për rrugët, ndalimi i hapjes së dyqaneve të dielën).

Në të vërtetë, në Hungari nuk kemi acarim të veçantë të problemeve për shkak të migrimit. Shumica e të huajve që jetojnë në Hungari janë gjermanë dhe amerikanë nga SHBA. Numri i qytetarëve nga shtetet pasuese të ish-Jugosllavisë, si dhe nga shtetet afrikane, arabe dhe aziatike është tek disa mijëra vetë.

Serbische Polizei nimmt illegale Auswanderer aus Kosovo an der Grenze zu Ungarn fest
Policia serbe kap refugjatë nga Kosova në kufirin me HungarinëFotografi: Reuters/M. Djurica

Aktualisht presioni i migrimit është shtuar para së gjithash në Hungarinë Jugore dhe në kufirin me Serbinë. Prej atje në javët e fundit kanë ardhur në Hungari përditë qindra vetë, para së gjithash refugjatë nga Kosova, prej të cilëve shumë duan të vazhdojnë rrugën në Austri dhe në Gjermani. Më fort është i prekur fshati hungarez Asotthalom. Subotica serbe fqinjë është aktualisht pikë mbledhjeje e refugjatëve.

Kryetari i Bashkisë së Asotthalom-it, Laszlo Toroczkai, vlerëson se përditë kufirin e kalojnë mbi 3000 refugjatë. "Situata është e padurueshme", ankohet politikani. "Vijnë shumë familje me fëmijë të vegjël. Kemi pasur edhe të vdekur këtu, që kishin ngrirë."

Numri i policëve të kufirit që prej vjeshtës është shtuar dukshëm, na thotë drejtuesja e policisë kufitare në Budapest, Gizella Vas. Mbështetje ndërkohë vjen edhe nga jashtë vendit: dyzina policësh austriakë dhe gjermanë janë dërguar për të mbështetur kolegët hungarezë në kufi me Serbinë.