1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Humbje e rëndë e Partisë Kristjansociale CSU në zgjedhjet parlamentare në Bavari

Zgjedhjet e së dielës sollën në Landin e Bavarisë një tërmet politik: pas 46 vjetësh, Partia Kristjansociale CSU humbi shumicën absolute dhe ka nevojë për partnerë koalicioni për ta qeverisur Bavarinë.

Kryeministri i Bavarisë, Gynter Bekshtajn, ndjek një prononcim për rezultatin e zgjedhjeve të kryetarit të CSU-së, Ervin Huber

Kryeministri i Bavarisë, Gynter Bekshtajn, ndjek një prononcim për rezultatin e zgjedhjeve të kryetarit të CSU-së, Ervin Huber

Pak pas mbylljes së kutive të votimit në landin jugor gjerman të Bavarisë u shpallën rezultatet jopërfundimtare të zgjedhjeve parlamentare: Partia Kristjansociale Gjermane, CSU, e cila e qeveris Bavarinë e vetme prej më shumë se katër dekadash, detyrohet në të ardhmen ta ndajë pushtetin. Partia e kryeministrit Gynter Bekshtajn (Beckstein) arriti të marrë në zgjedhjet e së dielës vetëm 43% të votave të zgjedhësve. Kështu ajo nuk arriti të fitojë shumicën absolute të mandateve në parlament dhe ka nevojë për një partner koalicioni. CSU-ja bavareze është një nga partitë më të sukseshme në Evropë. Por me një humbje prej rreth 18 pikësh në këto zgjedhje, ajo shënoi rënien më të thellë të një partie në Gjermani, që nga viti 1950. Kryetari i CSU-së, Ervin Huber foli për "një ditë të zezë" për partinë e tij:

" Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e zezë për CSU-në. Ne u futëm në zgjedhje me besimin që do ta formojmë vetëm me përgjegjësinë tonë edhe në të ardhmen qeverinë në Bavari. Zgjedhësi nuk na i dha shumicën dhe votat".

Ndërsa kryeministri i Bavarisë, Gynter Bekshtajn u shpreh:

"Me sa duket ne nuk arritëm t'u bëjmë të qartë njerëzve, se ne kemi nevojë për t'u ngarkuar të vetëm për formimin e qeverisë, në të mirë të Bavarisë. Çështja është që njerëzit duan shumë qartë një qeveri nën drejtimin e CSU-së, por ata nuk duan që ne të qeverisim të vetëm...Njerëzit vendosën, se është më mirë, nga pikëpamja e tyre, që të futemi në një koalicion. Ky është për ne një vendim i vështirë dhe i dhimbshëm."

Bekshtajni tha veç kësaj se është në dispozicion për të kryesuar një qeveri koalicioni. CSU-ja i shprehu atij, përmes kryetarit Ervin Huber, megjithë disfatën e thellë, edhe më tej mbështetjen.

Fituesit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë Zgjedhësit e Lirë, të cilët me një rezultat dyshifror do të futen për herë të parë në parlamentin e Bavarisë si dhe partia liberale FDP: Zgjedhësit e Lirë morën sipas rezultateve 10% të votave, kurse liberalët e FDP-së, 8 përqind. Partia Socialdemokrate SPD mori 19% të votave, kurse të Gjelbrit shënuan përmirësime të lehta, duke kapur kuotën 9,2 përqind. Në parlament pritet të ketë në të ardhmen pesë fraksione, në vend të tri fraksioneve të CSU-së, SPD-së dhe të Gjelbërve. Kandidati kryesor i partisë socialdemokrate, SPD, Franc Maget kërkoi që të krijohet një qeveri koalicioni pa CSU-në:

Zv.kryetarja e SPD-së, Andrea Nahles dhe kandidati socialdemokrat në Bavari, Franc Maget

Zv.kryetarja e SPD-së, Andrea Nahles dhe kandidati socialdemokrat në Bavari, Franc Maget

"Patëm një tërmet në Bavari, i cili bëri që CSU-ja ta dorëzojë shumicën absolute- në një rrëzim të papërfytyrueshëm, edhe për optimistët profesionistë. CSU-ja humbi në Bavari dhe njerëzit duan një fillim të ri. Për këtë fillim të ri ne jemi në dispozicion. Ekziston një mundësi për të krijuar qeverinë përtej CSU-së".

Franc Maget tha më tej se kishte ftuar për bisedime të mërkurën Të Gjelbrit. Por vëzhguesit e konsiderojnë jorealist një koalicion të tillë. Kandidati kryesor i FDP-së, Cajl (Zeil) tha se partia e tij nuk do ta refuzonte një ftesë të CSU-së për bisedime.

Një vit para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, humbja e thellë e CSU-së e rëndon shumë edhe partinë motër të koalicionit CDU-në, të drejtuar nga Angela Merkeli. Por nga rezultati i zgjedhjeve në Bavari nuk fitojnë mbështetje as socialdemokratët rreth të ngarkuarit si kryetar Franc Myntefehring dhe kandidatit për kancelar, Frank Valter Shtajnmajer. Kjo pasi rezultati i socialdemokratëve bavarezë ishte vetëm ecje në vend numëro, me fjalë të tjera, stanjacion.

  • Data 28.09.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FQcX
  • Data 28.09.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FQcX