1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Humbje e rëndë elektorale për Silvio Berlusconin

31 Maj 2011

Kryeministri italian Berlusconi pësoi një humbje të hidhur në zgjedhjet rajonale dhe komunale. Pas skandaleve të shumta të korrupsionit dhe seksit vitet e fundit, ndoshta po i vjen fundi epokës politike të carit mediatik

https://p.dw.com/p/11RN9
Kryeministri italian Silvio Berlusconi.
Kryeministri italian Silvio Berlusconi.Fotografi: AP

Ai vetë e kishte quajtur votimin me plot gojën "referendum", një "test kombëtar" për personin e tij dhe qeverinë që drejton. Por zgjedhjet komunale dhe rajonale në Itali përfunduan për Silvio Berlusconin në një fiasko: në zgjedhjet e para pas padisë për shkak të marrëdhënieve seksuale me një prostitutë të mitur, Berlusconit iu desh të pranojë humbjen në zgjedhjet e balotazhit, në dy kështjella të forta të konservatorëve: Milano dhe Napoli.

Që pas rezultateve të dobëta në raundin e parë, si p.sh. në Torino dhe Bolonja, komentuesit bënë fjalë për një "humbje strategjike". Koha e 74-vjeçarit Berlusconi po merr fund, u tha. Ngadalë ai duhet të marrë masa për gjetjen e një pasuesi.

Të majtët në Milano festojnë fitoren në zgjedhjet komunale dhe rajonale.
Të majtët në Milano festojnë fitoren në zgjedhjet komunale dhe rajonale.Fotografi: dapd

Berlusconi humbet edhe Milanon

Para së gjithash humbjet në metropolin financiar Milano vlerësohen si dëshmi se fuqia politike e kryeministrit është dobësuar, dhe se reputacioni i tij është dëmtuar rëndë nga proceset gjyqësore disa vjeçare për korrupsion dhe skandalet e fundit me sfond seksual. Ndikim në zgjedhje ka pasur me siguri edhe situata jo e mirë ekonomike në Itali. Spekulime pati edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi aleanca e qendrës së djathtë, e kryesuar nga Berlusconi është dobësuar dhe ka vetëm një shumicë të ngushtë.

Në Milano ku kryetari i bashkisë zgjidhjet prej gati 20 vjetësh nga rrethi i aleatëve të Berlusconit, kryetarja aktuale Moratti humbi në balotazh ndaj konkurrentit me orientim të majtë Giuliano Pisapia. Në Napoli, kandidati i Berlusconit Gianni Lettieri rezultoi me rreth 30 përqind vota më pak se kandidati i qendrës së majtë Luigi de Magistris, një ish-gjykatës. Edhe në Cagliari, Trieste, Novara dhe Arcore kampi i qendrës së djathtë humbi dukshëm. Qysh në raundin e parë dy javë më parë u përvijëzuan humbje dramatike për partinë e Berlusconit "Populli i Lirisë" (PdL), dhe për aleaten e tij Lega Nord.

Berlusconi: "Kush voton të majtën është pa tru!"

Berlusconi e pranoi humbjen, por përhapi parrulla shpresëdhënëse: "Këtë herë nuk fituam, por do të vazhdojmë punën. Unë kam shpirt luftarak. Sa herë humbas i trefishoj përpjekjet", tha ai gjatë një vizite shtetërore në Rumani.

Berlusconi pas seancës në një proces në Milano, për akuzat kundër tij për korrupsion.
Berlusconi pas seancës në një proces në Milano, për akuzat kundër tij për korrupsion.Fotografi: AP

Gjatë fushatës elektorale Berlusconi përsëri tërhoqi vëmendjen me goditje verbale ndaj opozitës. Proceset për akuzat për korrupsion kundër tij, ai i konsideron të organizuar nga "gjykatës komunistë", Milano në rast fitoreje të së majtës do kthehej sipas tij në "një vend islamik ciganësh". Veç kësaj ai lëshoi dhe parulla të forta fyese si "Kush voton të majtën është pa tru!"

Këtë të martë mbahet seanca e dytë në procesin ku Berlusconi duhet të përgjigjet për akuzat e përfshirjes në një skandal me sfond seksual me një prostitutë nga Maroku. Akuzat janë për marrëdhënie seksuale me të një të mitur dhe abuzim me pushtetin. Në një tjetër proces këtë javë në Milano, bëhet fjalë për mashtrime në shuma milionëshe gjatë blerjes së të drejtave të filmave nga firmat e Berlusconit.

Autor: S.Scheithauer / E.Xhani (dapd, rtr, afp)

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora