1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Humbje e lëndës së parë më të vlefshme: migrimi i forcave të specializuara

Në globalizim bën pjesë migracioni i fuqisë së punës, megjithatë me shpërndarje të pabarabartë, sepse vendet industriale përfitojnë në kurriz të vendeve më të varfëra.

Gjermania është synimi kryesor i migrantëve në Evropë

Gjermania është synimi kryesor i migrantëve në Evropë

"Dita ndërkombëtare e migrantëve" u përcaktua si ditë përkujtimore në vitin 2002 nga OKB-ja

Migrantët trajtohen shpesh si njerëz të kategorisë së dytë

Në shumicën e vendeve fjala migrant është gati një fjalë sharëse. Migrantët trajtohen shpesh si njerëz të kategorisë së dytë. Ata janë të zëvendësueshëm, shpesh pa të drejta dhe fuqi e lirë punëtore. Por njerëzit, të cilëve ose u është dashur të largohen nga vendi, apo që nga nevoja ekonomike punojnë si migrantë sezonalë, nevojiten urgjentisht në vendin e tyre, qofshin si specialistë në shëndetësi, apo arsim, qoftë si paraprijës të demokracisë, apo jo rrallë edhe si prindër.

Kushtet e punës, në të cilat duhet të punojnë migrantët, në shumë vende janë shkatërruese. Qoftë si punëtorë ndërtimi nga Azia në vendet arabe, apo si mbledhës të korrash nga Nepali në fushat e çajit në Indi, apo si punëtorë minierash nga Kongo në Angola. Ata të gjithë kanë emigruar për shkak të nevojës ekonomike, për t´u ndihmuar familjeve dhe mbahen si kafshë pune në vendin, ku punojnë. Apo përfundojnë në ilegalitet, në prostitucion, të fshehur, në fabrika ilegale, prej ku as nuk kanë mundësinë të dalin me ndihmën e autoriteteve shtetërore.

Ana tjetër: largimi i forcave të kualifikuara është problem për vendet prej të cilave largohen

Por edhe atëherë, kur kushtet e punës për migrantët janë më të mira, p.sh. në Gjermani për mjekët rumunë, apo në Britaninë e madhe për infermieret afrikanojugore, mbetet problemi i largimit të forcave të kualifikuara, që nevojiten në vendet, prej të cilave largohen. Me fjalë të tjera vendet, të cilat kanë më shumë nevojë, duhet të paguajnë për planifikimet, që janë bërë gabim në vendet e pasura. Dhe vendet e pasura industriale duhet dhe janë në gjendje, që të sigurojnë një sistem arsimor, që është i nevojshëm për të mos lejuar krijimin e boshllëqeve në personel.

Është e vështirë t'i kundërshtosh motivet e migrantëve për t'u larguar nga vendi i origjinës

Nga këndvështrimi i atyre që i kthejnë shpinën atdheut, vendimi i tyre është i vetëkuptueshëm. Me pagat, që janë sa pesë apo shtatëfishi i rrogave në atdheun e tyre, nuk është çudi, që vendi i huaj i tërheq. Të ardhurat mund t´i ndihmojnë familjes për të mbijetuar, mund t´u mundësojnë fëmijëve shkollim të lartë, mund të sigurojnë një pronë dhe një shtëpi për pleqëri. Për shumë vende në zhvillim paratë, që vijnë nga migrantët janë faktori më i rëndësishëm ekonomik. Kundër kësaj nuk mund të thuash asgjë. As kundër faktit, që në këtë mënyrë mund të shkëmbehen përvojat.

Megjithatë në vështrim afatgjatë, është e papranueshme, që kjo rrugë njëdrejtimëshe e migracionit t´u marrë vendeve më të varfëra të vetmen lëndë të parë efektive, me anë të së cilës ata dhe ne të gjithë mund të ndërtojmë të ardhmen. Aftësinë dhe diturinë njerëzore.


iv (AUD)

DW.COM

  • Data 18.12.2008
  • Autor Helle Jepesen
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GJ8F
  • Data 18.12.2008
  • Autor Helle Jepesen
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GJ8F