1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Humbësja: drejtësia sociale

Qeveria e re liberalo-konservatore në Gjermani premton reduktim të barrës fiskale duke ruajtur njëkohësisht drejtësinë sociale. Po nga do të vijnë paratë për këtë?

Valixhe e nje deputeti gjerman

Më shumë iluzione sesa shpresa

"Ne synojmë ta nxjerrim vendin nga kriza dhe ta drejtojmë në një start të ri në dhjetëvjeçarin e ri," - thuhet në preambulën e marrëveshjes së koalicionit, e cila u arrit mes Unionit CDU/CSU dhe FDP-së pas tri javë negociatash të forta. Se si do të funksionojë kjo, mbetet megjithatë e vagullt dhe bazohet kryesisht në parimin "shpresë". Në shpresën që koniunktura të hyjë në fazë rritjeje dhe ekonomia të rimëkëmbet shpejt, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e malit të borxheve.

Por këto janë në të vërtetë më shumë iluzione sesa shpresa. Një gjë është që tani e sigurtë: borxhet shtetërore do të rriten, kur qeveria e re të nisë zbatimin e programit të saj. Duke filluar nga 1 janari 2010 qeveria do të nisë reduktimin e barrës fiskale në një shumë miliardëshe. Kjo shumë do të jetë 24 miliardë euro në vit. Por rritja e tatimeve, si p.sh. e tatimit mbi vlerën e shtuar u përjashtua në mënyrë kategorike nga kancelarja Angela Merkel.

Nga do të vijnë atëherë paratë? Merkel e cila e prezantoi marrëveshjen e koalicionit bashkë me kryetarin e CSU-së Horst Seehofer dhe kryetarin e FDP-së Guido Westerwelle, u kufizua në pak formula të gatshme konkrete: "duam të ecim në rrugën e rritjes ekonomike", tha Merkel në konferencën për shtyp në Berlin dhe "duhet të mendojmë në mënyrë dinamike". Qytetari duhet të marrë më shumë neto nga paga bruto dhe duhet t'ia vlejë përsëri të punosh.

Atë çka qeveria do t'i fusë qytetarit vitin e ardhshëm në një xhep, do t'ia nxjerrë nga të gjithë xhepat e tjerë

Lehtësimet dhe barra e re financiare vështirë se do të jenë në ekuilibër. Shembulli i riorientimit të sistemit shëndetsor tregon qartë destinacionin e udhëtimit: sigurimet shoqërore do të privatizohet gjithnjë e më shumë, parimi i bashkësisë solidare të të siguruarve do të zbehet. Reformimi i planifikuar i sigurimit shëndetësor, i cili duhet të fillojë në vitin 2011 parashikon që rritja e kontributeve në të ardhmen do të paguhet vetëm nga punëmarrësit. Veç kësaj qytetarët do të detyrohen të hyjnë edhe në një sigurim shtesë privat për përkujdesjen në rast invaliditeti.

Kjo me siguri e gëzon sektorin e sigurimeve. Në të ardhmen do të mund të sigurojë miliona kontrata të reja sigurimi. Por për kontribuesit ky është një skenar i frikshëm nëse sjellin në mendje se si miliona pensionistë në SHBA, të cilët kishin derdhur kontributet e tyre në sigurime mbi bazë kapitali, u zhytën në varfëri për shkak të krizës financiare dhe menaxhimit pa kujdes të depozitave të tyre nga koncernet e sigurimeve.

A do të çimentohet transformimi i shoqërisë i filluar në qeverisjen e socialdemokratëve dhe ekologjistëve?

A do të vihet në fund në jetë zëvendësimi i sistemit gjerman të bazuar në financimin me pjesëmarrje të barabartë me atë amerikan të bazuar në kapital? A do të çimentohet transformimi i shoqërisë i filluar në qeverisjen e socialdemokratëve dhe ekologjistëve dhe i vazhduar nën qeverinë e koalicionit me bazë të gjerë mes socialdemokratëve dhe unionit konservator? A do të vazhdojë rishpërndarja nga poshtë-lartë, e cila filloi vitet e fundit?

Partnerët e koalicionit, të cilët dolën të shtunën paradite (24.10) me humor të mirë përpara shtypit, duket se duan të shmangin çdo përshtypje se ata formojnë një qeveri të ftohtësisë sociale. Të tre kryetarët e partive theksuan se mbështeten në drejtësinë sociale dhe synojnë të eliminojnë të gjitha padrejtësitë ekzistuese. Këto janë premtimet, me të cilat paraqitet qeveria e ardhshme konservatore liberale. Rezultatet e punës së saj duhet të maten me përmbushjen e këtyre premtimeve. Qytetari mund vetëm të shpresojë që do të mbështetet nga një opozitë e fuqishme.

Autor: Bettina Marx
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 26.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KFcS
  • Data 26.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KFcS