1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

HRW: Grindje për municionet thërmuese

Human Rights Watch (HRW) fajëson ushtrinë ukrainase për përdorimin e municioneve thërrmuese në Donbas. Kievi i mohon akuzat. Vëzhguesit në terren shqyrtojnë raportin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Në luftimet në lindje të Ukrainës ushtria ukrainase ka përdorur bomba dispersive. Kjo është akuza e organizatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Human Rights Watch. Në dymbëdhjetë raste të dokumentuara janë vrarë gjashtë vetë nga municionet thërmuese dhe dhjetra janë plagosur.

"Në fillim të tetorit ne kemi dërguar një mision në Ukrainën lindore për të hetuar njoftimet lidhur me përdorimin e bombave dispersive", thotë Hugh Williamson, drejtor rajonal i HRW për Europën dhe Azinë Qendrore, në një intervistë me Deutsche Wellen. ata kanë qenë ekspertë armatimi dhe kanë intervistuar njerëz në vend kanë folur me një gazetar, i cili kishte qenë në zonën e prekur. "Ai ishte në gjendje të përcaktonte llojin e raketave të përdorura dhe ushtria e Ukrainës i posedon ato", thotë Williamson. Por më e rëndësishme është të përcaktohet se nga cilat pozicione është qëlluar. "Ekspertët tanë kanë llogaritur trajektoret e raketave dhe kanë vizituar pozicionet e raketahedhesve. Ata kanë arritur në përfundimin se trupat e qeverisë ukrainase janë ato që kanë qëlluar. Ne nuk mund të jemi absolutisht të sigurtë, por të gjitha dëshmitë të çojnë në këtë përfundim", thotë Williamson.

Hugh Williamson ngre akuza kundër ushtrisë ukrainase

Hugh Williamson ngre akuza kundër ushtrisë ukrainase

Armë të ndaluara

HRW e cilëson përdorimin e bombave dispersive si krim lufte. Të drejtat e njeriut i referohen konventës mbi municionet thërrmuese, një marrëveshje e hyrë në fuqi në vitin 2010 për ndalimin e municioneve thërrmuese. Atë e kanë nënshkruar 114 shtete, 86 e kanë ratifikuar. Por as Ukraina, as Rusia nuk i janë bashkangjitur ndalimit. Prandaj HRW i bën thirrje Kievit për ta bërë këtë dhe thekson faktin se përfaqësuesit e organizatës për të drejtat e njeriut kanë gjetur në Donbas 22 copa të mbetura nga raketat me municione thërrmuese, 16 të një raketahedhësi të tipit Uragan dhe gjashtë të tipit Smertsh.
Kievi i kundërshton akuzat e HRW. Vladyslav Seleznjov, zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, deklaroi për DW, se trupat kanë raketahedhës të tipit Uragan dhe Smertsh, por jo për municione thërrmuese. "Në qoftë se ne e dimë, se në zonat e pozicioneve të rebeleve mund të ketë civilë, ne nuk i bombardojmë ata në asnjë mënyrë", tha Seleznjov.
Edhe zëdhënësi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Ukrainë, Michael Bociurkiv, thotë në një intervistë për DW se ushtria ukrainase nuk ka përdorur bomba dispersive. "Ne kemi rreth 90 vëzhgues në Ukrainën lindore. Po të kishim parë një gjë të ngjashme, do ta kishim raportuar, por kjo deri sot nuk ka ndodhur. Gjithçka, që ne mund të themi në lidhje me municionin dhe të shtënat, është në raportet tona të përditshme", thotë përfaqësuesi i OSBE-së.

Dyshime në lidhje me raportin e HRW-së

Prova të besueshme për përdorimin e municioneve thërrmuese mund të japin vetëm ekspertët ushtarakë, thotë Anton Mihnenko nga Qendra ukrainase e Kërkimeve për Ushtrinë. Ai është kritik ndaj raportit të HRW-së. "Organizatat shoqërore nuk kanë profesionistë të kualifikuar, të cilët mund të thonë, nëse është fjala për shpërthime me municione thërrmuese dhe nga cili drejtim është qëlluar", thotë ai në një intervistë për DW. Mihnenko beson se separatistët i kanë dezinformuar qëllimisht përfaqësuesit e HRW.
Edhe Nikolaj Sunhurovskyj nga qendra kërkimore e Kievit Rasumkov i vë në dyshim akuzat e HRW. "Ata bazohen vetëm në deklaratat e dëshmitarëve, të cilët pretendojnë se kanë vërejtur fluturimin e plumbave", thotë ai për DW. Sunhurovskyj nuk përjashton mundësinë, që "njësitë vagabonde rebele" të përdorin bomba thërrmuese. Ata mund të hyjnë në zonën tampon midis separatistëve dhe ushtrisë ukrainase dhe të marrin që atje në shënjestër fshatrat.
Ukraina nuk është e interesuar që të shkatërrojë infrastrukturën dhe shtëpitë e banimit në Donbas, mendon Serhij Sgurez nga firma ukrainase për informacion dhe këshillim, Defense Express. Sepse pas përfundimit të konfliktit Kievit do t'i duhet ta ndërtojë përsëri rajonin. Ai beson se Moska synon ta dobësojë potencialin ekonomik të rajonit industrial të Donbasit dhe të diskretitojë ushtarakët ukrainas. "Përdorimi i mucioneve thërmuese është më i përshtatshmi për këtë detyrë", thotë Sgurez.

Berlini është për një hetim të pavarur

Gernot Erler flet pë nevojën për sqarimin e çështjes

Gernot Erler flet pë nevojën për sqarimin e çështjes

Ndërkohë qeveria gjermane shprehet për një hetim të pavarur të akuzave për bombat dispersive kundër ushtrisë ukrainase. Siç deklaroi i ngarkuari për Rusinë i qeverisë gjermane, Gernot Erler (PSD), qeveria gjermane nuk zotëron njohuri, nëse dhe nga kush janë përdorur bombat dispersive në Ukrainë.
"Por Human Rights Watch është një institucion serioz dhe projekti është bërë së bashku me New York Times, që do të thotë se nuk ka dyshime që të ketë diçka kundër qeverisë ukrainase," tha Erler. "Prandaj kemi nevojë të madhe për sqarim. Duhet kërkuar gjithsesi një shqyrtim ndërkombëtar, i pavarur."

DW.COM