1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hoxhiç: Përpiqem për një të ardhme më të mirë për njerëzit në veri të Mitrovicës

Adriana Hoxhiç, drejtuese e Zyrës së Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, shpjegon për DW gjendjen aktuale dhe detyrat e institucionit, që ajo drejton.

Bild 2: Barrikaden auf der Straße nach Pristina Bild: Ajete Beqiraj, am 17 juni 2012, in Nord Mitrovica(Kosovo)

Blick aus dem Norden von Mitrovica

DW: Cila është detyra e Zyrës Administrative në veri të Kosovës?

Hoxhiç: Zyra Administrative u krijua nga qeveria e Kosovës në vitin 2012 dhe pas pak muajsh, pasi përzgjodhëm stafin, ajo u vu në funksionim. Ne kemi shtatë sektorë, ku janë të punësuar gjithsej 53 punonjës, 70% e tyre janë serbë dhe pjesa tjetër janë shqiptarë, boshnjakë, goranë dhe turq. Ndërkohë ne përpiqemi që t’u ofrojmë shërbime publike çdo qytetari, që jeton në veri të Mitrovicës. Shërbimet tona publike ofrohen me transparencë dhe efikasitet të plotë. Dua të theksoj, se menjëherë pasi filluam nga puna, ne mbështetëm qytetarët në iniciativat e tyre dhe deri tani kemi arritur të realizojmë rreth 12 projekte të qytetarëve. Ne kemi regjistruar rreth 600 çetifikime të qytetarëve si dhe të gjitha organizatat joqeveritare. Të gjitha parqet e lojërave këtu në veri të Mitrovicës janë ngritur me angazhimin tonë. Nga ana tjetër ne kemi mjaft për të bërë në drejtim të sektorit të shëndetësisë, arsimit, shërbimeve civile. Njerëzit e kuptojnë, që qendra jonë është adresa e duhur dhe se ata mund të kenë besim tek ne. Me mbështetjen e qeverisë së Kosovës dhe të donatorëve ne do të përpiqemi t’i zgjidhim në mënyrë të qëndrueshme afatgjatë të gjitha problemet e këtij rajoni, siç janë p.sh. problemi i furnizimit me ujë, me energji, apo problemi i transportit dhe depozitimit të mbeturinave.

Adriana Hoxhic (Hodzic) Leiterin des Bürgeramtes von Nord Mitrovica im Kosovo, 22.01.2013; Copyright: DW/V. Filaj-Ballvora

Adriana Hoxhiç

DW: A gjeni mbështetje për këto kërkesa?

Hoxhiç: Unë besoj se po. Ne e kemi përcjellë qartë mesazhin tonë. Unë jam e suprizuar nga interesi, që shprehet edhe përmes vizitave të shumta të përfaqësuesve ndërkombëtarë në zyrën tonë. U jam mirënjohëse edhe disa ministrive të qeverisë së Kosovës, që vërtetë përpiqen të jenë shumë fleksibël dhe shprehin gatishmërinë për ta mbështetur popullsinë në veri. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Ne tashmë i kemi gati planet tona. Më duhet ta theksoj, se edhe qeveria e Kosovës nuk e ka të lehtë, pasi këtu në veri nuk mbizotëron ligji. Ka grupe, që duan të pengojnë çdo aktivitet, që mbështetet prej qeverisë së Kosovës, duke përfshirë edhe zyrën tonë. Ne do t’i inkurajojmë autoritetet e rendit në Kosovë, KFOR-in dhe policinë, që të na mbështesim, sepse ne duam t’i vemë në jetë planet tona bashkë me qytetarët në veri.

DW: Sa kanë besim qytetarët tek institucioni, që Ju drejtoni dhe a i pranojnë ato shërbimet, që u ofroni?

Hoxhiç: Unë mendoj, se ne jemi në rrugën e drejtë për të fituar besimin e qytetarëve në veri ndaj punonjësve dhe institucionit tonë. Në zyrën tonë janë të punësuar banorë të qytetit, të cilët e ndiejnë veten të lidhur me të ardhmen e qytetit. Ata janë të motivuar fort dhe duan, që të kemi një sistem më të mirë arsimor, sepse këtu mësojnë fëmijët e tyre.

DW: Kosova është një vend me popullsinë më të re në Evropë. Si është aktualisht gjendja sociale e të rinjve në veri të Mitrovicës?

Hoxhiç: Rinia në veri të Mitrovicës po përjeton një krizë. Ka barrikada, protesta e demonstrata në vend të aktiviteteve, përmes të cilave mund të ndëmerret diçka e arsyeshme. Këtu s’kemi asnjë qendër sportive, ndërkohë që para luftës Mitrovica ka qenë një qytet i aktiviteteve sportive dhe kulturore. Ne kemi sot të regjistruar 2500 atletë, por s’kemi infrastrukturë sporti. A është kjo normale? Ndaj ne duam të vemë t’i trajtojmë këto tema. Do t’i kërkojmë qeverisë së Kosovës dhe donatorëve, që të investojnë në këto fusha.

DW: Çështja e veriut të Mitrovicës ishte edhe tema kryesore në raundin e fundit të dialogut me Prishtinës dhe Beogradit, ku palët ranë dakord për zbatimin e plotë të marrëvesje për menaxhimin e interguar të kufijve të njohur si IBM. Cili është perceptimi i qytetarëve lidhur me këtë?

Hoxhiç: Ka dy mendime të ndryshme. Nga njëra anë është mendimi i biznesmenëve, të cilëve u intereson, që të vazhdojë gjendja e mosfunksionimit të ligjit. Prej kësaj përfitojnë bizneset e tyre, sepse askush nuk do të paguajë taksa. Nga ana tjetër janë qytetarët e thjeshtë, të cilët druajnë se këtej e tutje, kur të gjithë duhet të paguajnë taksat, në treg do të shtrenjtohet gjithçka. Megjithatë qytetarët e kuptojnë, se përmes taksave do të mund të ripërtërihet edhe buxheti i qytetit, që tek e fundit do jetë në dobi të tyre.

DW: Së shpejti Kosova do të kremtojë pesë vjetorin e pavarësisë, cili është perceptimi në veri të Mitrovicës për këtë event?

Hoxhiç: Ky jubile nuk ndihet fare në veri të Mitrovicës. Popullsia serbe nuk i pranon institucionet e Kosovës dhe nuk do ta kremtojnë këtë ditë. Sa i përket mendimit tim, dua të theksoj se ne jetojmë në një Kosovë të pavarur dhe ky është një fakt. Ne duhet ta kuptojmë këtë realitet dhe ka shumë mundësi që të përmirësohet jeta e qytetarëve, duke u integruar në institucionet e Kosovës dhe që popullsia të jetë e përfaqësuar mbi baza ligjore në to. Njerëzit në Mitrovicë jetojnë në një situatë të vështirë. Këtu ke ndjenjën, sikur konflikti s’ka fund kurrë. Ka vazhdimisht tensione dhe jeta nën këtë presion është vërtetë e lodhshme. Popullsia nuk ka qenë e kënaqur me shërbimet civile, që u ofroheshin atyre nga disa institucione në veri. Ne tani duam të dëshmojmë, se shërbimi civil mund të funksionojë më mirë. Ne duam të tregojmë, se është e mundur, që qytetarët të përfshihen në proceset e vendimmarrjes për gjithçka bëhet në qytetin e tyre.

DW: Gjatë kësaj kohe, që drejtoni Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës, a jeni përballur me paragjykime?

Hoxhiç: Kur unë mora këtë detyrë, jam përballur me paragjkime, por jo në mënyrë direkte. Nga persona radikalë u hapën fjalë lidhur me pozicionin tim. Pala shqiptare thoshte, që ajo është pro-serbe dhe pala serbe thoshte, ajo është pro-shqiptare, sepse paguhet nga qeveria e Kosovës. Por ata gabohen. Pozicioni im është i tillë: Unë nuk përfaqësoj asnjë grup politik. Unë jam drejtuese e një zyre adiministrative dhe jo përfaqësuese e popullit. Unë përpiqem të ndërtoj diçka të re, një të ardhme më të mirë për njerëzit këtu në veri të Mitrovicës. Në letër mund të shkruash, çfarë të duash, por në fund qyteti do t’u përkasë njerëzve, që jetojnë në të.